Xhemajl Ahmet Mehmeti (5.1.1948 – 29.6.1998)

Xhemajl Ahmet Mehmeti (5.1.1948 – 29.6.1998)

Xhemajl Ahmeti lindi në fshatin Plluzhinë të Skënderajt, më 5 janar të vitit 1948. Ishte djali i Ahmet Mehmetit (1917-2005), veprimtarit dhe luftëtarit të lirisë, i cili mori pjesë në mbrojtjen e Kosovës nga forcat çetnike serbe në vitet 1942-1944 si dhe në luftën heroike të Shaban Palluzhës. Edhe pas ripushtimit serb të Kosovës, në vitin 1945, Ahmet Mehmeti nuk e kishte ndërprerë aktivitetin e tij çlirimtar, duke iu bashkuar radhëve të Lëvizjes së Adem Demaçit, Fazli Graiçevcit e veprimtarëve të tjerë, të cilët me kundërvënie ndaj pushtuesit dhe aktivitete të ndryshme mbanin gjallë idealin e lirisë dhe të bashkimit kombëtar.
Xhemajl Mehmeti shkollën fillore e kreu në fshatrat Ticë dhe Likoc. Kishte regjistruar shkollën e mesme në Skënderaj, por nuk i vijoi mësimet meqenëse duhej të angazhohej në punët fizike për ta mbajtur familjen. I edukuar në frymë atdhetare nga babai, si dhe veprimtarët e dalluar të kohës, ai asnjëherë nuk e pushoi interesimin e tij për fatin e kombit e të atdheut. Ishte në mesin e rinisë përparimtare, e cila në vitin 1964 shpërndau flamuj kombëtarë në shumë qytete dhe vende të Kosovës, si të Llapit, Drenicës, etj.
Me qëllim për ta mbajtur dhe ndihmuar familjen, në vitin 1974 Xhemajli kishte shkuar në Austri, ku punoi deri në vitin 1976. Atje kishte ushtruar dhe e kishte përforcuar zanatin e muratorit.
Pasi kthehet në fshat punoi së bashku me të vëllain, Hazirin. Ndërkohë gjeti punë në një ndërmarrje ndërtimtarie të qytetit serb të Vranjës, e cila vepronte edhe në Kosovë. Pavarësisht se bënte punë fizike, Xhemajli nuk e kishte ndërprerë kurrë aktivitetin e tij propagandistik kundër pushtetit okupues serb. Ndërkohë ai ishte martuar me Sevdije Tahirin, me të cilën pati gjashtë fëmijë: Syla, Samiu, Arsimi, Hanumshahja, Zyrafetja dhe Valdetja.
Me rastin e aplikimit të masave të dhunshme nga regjimi i Milosheviqit, qysh në vitin 1989-1990, Xhemajl Mehmeti lëshoi punën në ndërmarrjen ku punonte dhe u kthye te familja në Plluzhinë. Në vitet e pastajme të dekadës së fundit të shekullit 20, përcolli me interes të veçantë lëvizjet politike, legale dhe ilegale të kohës. Ai me kohë e kishte kalitur bindjen se vetëm me armë e me luftë të armatosur mund të dëbohej pushteti shtypës e pushtues serb dhe mund të çlirohej Kosova.
Ishte në dijeni të krijimit të grupeve të armatosura në Drenicë. Me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci, nga Llausha, më 28 nëntor të vitit 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli publikisht, së bashku me imamin e Plluzhinës, Zeqir Hoxha, mori pjesë në tubimin ceremonial të varrimit dhe qysh nga ajo ditë ishte paraqitur në Shtabin lokal të Açarevës për t’u inkuadruar në radhët e UÇK-së. Fillimisht për këtë çështje kishte kontaktuar Sylejman Selimin.
Pas mobilizimit ushtarak, mori pjesë në luftimet e zhvilluara në fshatrat Likoc, Plluzhinë e në fshatrat e tjera përreth. Në familje kishte lënë babain, Ahmetin, vëllain, Hazirin, bijtë, bijat dhe bashkëshorten.
Likoci, në pranverë të vitit 1998 ishte kthyer në bastion të UÇK-së. Atje ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Shtabi i Zonës së Drenicës, Spitali ushtarak, madje edhe kuzhina për ushtarët. Nga një fshat i pazhvilluar dhe i humbur i Drenicës, Likoci në verë të viti 1998 ishte bërë baza e luftës së Ushtrisë Çlirimtare, ku venin e vinin gazetarë nga vendi e bota dhe shumë diplomatë e politikanë të huaj.
Pas Betejës, qëndresës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendari, Adem Jashari dhe të jasharëve të tjerë në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat liridashëse të Kosovës ishin mobilizuar me shpejtësi të rrufeshme. Vetëm gjatë muajve prill, maj e qershor të atij viti, UÇK-ja ishte shtrirë në tërë Drenicën, ku ishin krijuar shumë baza e shtabe lokale të luftës, por edhe në trevat e tjera, siç ishte ajo e Dukagjinit.
Në qershor të vitit 1998, formacionet ushtarake të UÇK-së kishin filluar të zgjeroheshin edhe përtej Qyqavisë, në fshatrat e Vushtrrisë dhe të Kastriotit, (ish-Obiliq). Komanda e Zonës së Drenicës, në krye me komandantin Fehmi Lladrovci, pastaj, Shaban Shala, Ilaz Dërguti, Asllan Fazliu, Sabit Lladrovci, me një numër të madh ushtarësh nga Drenica e më gjerë, kishin marrë përsipër vënien nën kontroll të Minierës së Mihjes Sipërfaqësore në Bardh të Madh, (ish-Bellaçevc). Aksioni ushtarak për çlirimin e kësaj Miniere me rëndësi strategjike, ekonomike, politike dhe ushtarake u ndërmor më 29 qershor të vitit 1998. Në mesin e luftëtarëve të lirisë ishte Xhemajl Mehmeti nga Plluzhina, Ismet Uka nga fshati Ticë, Mentor Dërvishaj nga Zabllaçi i komunës së Burimit, Alban Hoti e shumë të tjerë. Pas një sulmi të furishëm dhe të organizuar mirë, Miniera e Mihjes Sipërfaqësore ishte vënë nën kontrollin e UÇK-së. Në këtë betejë lavdiplote të luftës për çlirimin e Kosovës kishte rënë dëshmor, Xhemajl Mehmeti e së bashku me të edhe bashkëluftëtarët: Mentor Dervishaj, Ismet Uka, ndërsa kishin marrë plagë, Alban Hoti dhe Sabri Aliu.
Të nesërmen, më 30 qershor, bashkëluftëtarët i varrosën të rënët, në fshatin Hade. Ndërkohë, trupat e dëshmorëve Xhemajl Mehmeti dhe Ismet Uka, me nderime ushtarake u varrosën në varrezat e fshatit, në Plluzhinë.
Më 29 qershor të vitit 2002, në vendin e rënies së dëshmorëve, në fshatin Hade është ngritur lapidari i përjetësisë me emrat e dëshmorëve Xhemajl Mehmeti, Mentor Dërvishaj dhe Ismet Uka.
Familja e dëshmorit, Xhemajl Mehmeti ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …