Xhevat Bislimi: Gjithmonë i pa pajtuar me qyqarllekun dhe mjerimin e Rugovës, Albin Kurti u "shtrëngua" të shkonte e të përulej me "nderim" të varri i tij

Xhevat Bislimi: Arrestimi i Albinit, nuk është diçka e jashtëzakonshme

U tha se u arrestua Albini sot. Asgjë e pazakonshme ! Ka 100 vjet që arrestohet çdo kush që është bartës i konceptit të “rrezikshëm” të Vetëvendosjes dhe të bashkimit kombëtar. Është një koncept i rrezikshëm për çdo pushtet i cili kërkon të vendos një rend kundër natyror dhe konservator mbi popullin shqiptar. Qysh prej momentit kur u vunë kufij në mes popullit shqiptar ka një dialektikë historike që ka lind ndërmjet atyre që i përshtaten status quo-s, deri në atë masë sa të humbasin konceptin e historisë, dhe të atyre që ripërshtasin pozicionin e tyre krahas peshës së historisë tek e cila kërkojnë vrimat që të kapen për ta futur në lëvizje atë. Në këtë dialektikë lind automatikisht konflikti ndërmjet atyre që thonë “lere historinë këtu” dhe atyre që thonë “kjo histori duhet të përfundoj atje për ku është nisur”.

Që të dy palët kanë interesin e tyre përbrenda kësaj dialektike. E para gjen interesin e vetë në ndalesën momentale (status quo), të cilën mundohet ta bëjë ndalesë historike, kurse e dyta në historinë duke u bërë. E para gjithmonë gjen përkrahjen nga jashtë në pozicionimin e saj sepse askush, përveç shqiptarëve, nuk ka interes që kjo histori të përfundojë në një bashkim kombëtar. E dyta kërkon të gjejë përkrahjen e popullit sepse e di se ai është i vetmi që ka interes që kjo histori të lëvizë tutje dhe të gjejë fundin e saj të kërkuar. Kështu ata, të parët, me ndihmën nga jashtë marrin pushtetin e ofruar, i cili nuk ka si të jetë ndryshe përpos se reaksionar ndaj të gjithë atyre që duan ta fusin historinë në lëvizje. Kuptohet se motivi i reaksionit fshihet gjithmonë nga një zbukurim kombëtar i cili, si gjithmonë, thotë se “duhet të presim situata më të favorshme për të lëvizur”. Në anë tjetër, përball kësaj filozofie “pritëse” shfaqet gjithmonë filozofia “lëvizëse”, e cila thotë gjithmonë “duhet të lëvizim që situatat tona të favorizohen”.

Kjo dialektikë historike është motori i çështjes sonë kombëtare ku në kulmimin e saj merr përmasa të një konflikti të hapur dhe të dhunshëm. Pikërisht sot këtu jemi. Jemi në një moment të historisë ku forcat lëvizëse po e tundin peshën e rëndë të historisë. Ajo po bëhet gati të bëjë, së paku, një rrotullim përpara siç e kishte bërë edhe më parë më 1968, 1981, 1989 dhe 1999. Ky moment, siç ishin edhe momentet tjera të kësaj historie, ngjallin frikë për partizanët e brendshëm të pushtetit dhe të atyre që e përkrahin nga jashtë. Një lëvizje e tillë rrezikon  pozicionimin socio-ekonomik që ata kanë fituar përgjatë periudhës ngecëse të historisë ku kanë uzurpuar të drejta dhe të mira materiale e simbolike nga pasuria kolektive e kombëtare e popullit të tyre. Një lëvizje përpara e historisë do ti rrezikonte këto përfitime individuale dhe familjare të tyre. Prandaj edhe, në momentin kur duket se historia do të bëjë hapin e saj, reaksioni i tyre shpërthen haptazi kundër këtyre forcave lëvizëse dhe del në shesh gjithë egoizmi i tyre dhe antikombëtarizmi që i përçon. Në këto momente historike jemi sot. Në këto momente nuk ka askush qëllim dhe as interes që të arrestohet Albini si person, por që të ndalet historia në hapin e saj.

Pra këtu Albini nuk është i arrestuari sepse, edhe nën pranga, ai mbetët protagonisti i kësaj historie. Halli është se po tentohet të arrestohet momenti historik i një fitore të forcave “lëvizëse” ndaj atyre “pritëse”. Në këtë histori, Albini është vetem bartësi momental i një historicizmi shqiptar i cili ka kapacitetin që të krijojë dinamika shoqërore vështirë të kontrollueshme nga një pushtet kuisling dhe mbështetësit e tij. Frika e humbjës së kontrollit në momente historike mbi këto lëvizje, që pavarësisht dallimëve të tyre kohore, janë bartëse të një esence të njejtë, ka çuar shpesh pushtetarët që të ndërmarrin masa drakoniane kundër popullit të tyre dhe, sidomos, kundër udhëheqjës së tij. Pra, asgjë e jashtzakonshme në sytë e historisë për arrestimin e sotshëm të Albin Kurtit. Një refren historik që njohim tanimë ! E jashtzakonshme do të ishte sikur ky pushtet kuisling të mund ta ndalonte historinë në hapin e saj. Kjo do të ishte një humbje e madhe për popullin shqiptar të Kosovës i cili do të humbiste një rast të madhe në historinë e tij. Kërkesa për ta liruar Albinin, Sadriun, Albulenën, Donikën, Frashërin, Egzonin, Adea-n dhe Atdheun është, në realitet, arsyeja jonë për ta çliruar historinë që të mund të hedh hapin e saj. Kurse arrestimi i tyre është, në realitet, arsyeja e tyre për ta mbajtur peng historinë që të mos mund të hedh hapin tjetër të saj. Mirëpo, kur është fjala për histori dhe jo për individë, aty e ka fjalën populli dhe jo prokurorët e gjykatësit e një sistemi të ngritur dhe të mbajtur nga jashtë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …