Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Dikush duhet t’ia thotë Vulinit të Serbisë dhe gjithë botës…

Ideja  e drejtë e Kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, që dy shtetet e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, të kenë një Kryetar, politikë të jashtme të përbashkët (të unifikuar) dhe unifikim të politikave të sigurisë i paska shqetësuar edhe autoritetet shoviniste serbe në Beograd!

Ideja e Kryeministrit shqiptar i shqetësoi dhe trazoi jo me pak edhe jugo-kosovarët që kanë uzurpuar pushtetin, pasurinë dhe privilegjet tjera në Kosovën shqiptare! Kjo shtresë parazite dhe mohonjëse e shqiptarësisë së Kosovës dhe kombit shqiptar afrimin dhe unifikimin e dy republikave-shteteve të Shqipërisë e sheh si kërcënim për privilegjet e fituara dhe të “cimentuara” duke bashkëpunuar me Serbinë, me miqtë e saj në rajon e në botë dhe me “patriotët” luftëtarë pas Luftës së Madhe të LPK-UÇK-së!

Serbia dhe shtetet fqinje shoviniste, që mbajnë akoma të pushtuara toka të konsiderueshme te Shqipërisë (rreth 50 000 km katrore tokë), afrimin e dy republikave të sotme të Shqipërisë dhe të krahinave tjera shqiptare e paraqesin dhe propagandojnë si projekt dhe përpjekje të shqiptarëve për ta krijuar “Shqipërinë e Madhe”, e cila, sipas shovinistëve fqinj dhe sipas mikes së madhe të Serbisë, Rusisë, është kërcënimi më i madh për paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon dhe Evropë! Këtë kërcënim dhe “frikë” nga krijimi i “Shqipërisë së Madhe” e paska shprehur botërisht sot edhe Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, dhe qarqe tjera shoviniste shtetërore e joshtetërore në Serbi!

Prandaj, mendoj, që Tirana zyrtare, Prishtina dhe Shkupi ynë, akademitë tona (nëse meritojnë akoma këtë emër!), mediet autoktone-kombëtare dhe inteligjencia jonë shqiptare duhet t’ia thonë Serbisë dhe gjithë botës se me (ri)bashkimin e katër vilajeteve të dikurshme të Shqipërisë në një shtet të vetëm nuk krijohet “Shqipëria e Madhe”, por Shqipëria e Vogël, ajo që ka mbetur pas pushtimit dhe spastrimit të dhjetëra mijëra kilometrave katrore tokë shqiptare. “Shqipëri e Madhe”, sot, me të drejtë do të quhej pretendimi për rikthimin e Nishit, Prekuplës, Vrajës, Leskocit, Kurshumlisë, Toplicës, etj., në Serbi e krahina tjera në Iliri, që dikur ishin arbërore-shqiptare, ose rikthimin i Athinës, Selanikut, Peloponezit, etj. në Greqi, etj.! Por, të pretendosh, me të drejtën historike dhe aktuale ndërkombëtare, ribashkimin e tokave dhe të pjesëve të kombit që edhe sot janë shqiptare në Serbi ( tri komuna shqiptare), në Maqedoni (pjesa më e madhe e saj), në Greqi (Çamëria), në Mal të Zi (një pjesë e madhe), është e drejtë dhe zgjidhje e përhershme e fatlume për Ilirinë-Ballkanin.

Kjo zgjidhje nuk është në interesin e borgjezive të sotme të shteteve fqinje dhe të interesave-pretendimeve ruse në Iliri, por do të ishte zgjidhje që do të garantonte paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe fqinjësinë e përhershme në këtë rajon të trazuar për shkak të copëtimit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në gjashtë shtete. Popujt fqinj këtë zgjidhje do ta përjetonin si “çlirim” të shumëpritur nga shqiptarët dhe mundësi të pakufizuara për lirinë, demokracinë dhe zhvillimin e tyre.

Pra, bota duhet të mësojë se te ky copëtim edhe qëndron shkaku i parë dhe i fundit i tensioneve, konflikteve dhe luftërave të herëpasherëshme midis shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre shovinistë, shkak që duhet eliminuar me krijimin e një shteti të vetëm dhe të përbashkët për shqiptarët dhe pakicat që do të përfshiheshin me të gjitha të drejtat e tyre. Të tjeratë janë pasoja të këtij copëtimi tragjik, që fqinjët e kombit shqiptar, me ndihmën e Fuqive të Mëdha (edhe për fajin e madh të Perandorisë Osmane), i kanë bërë Atdheut tonë të përbashkët, Shqipërisë!

Heshtja e Tiranës zyrtare, e Prishtinës, e Shkupit, e medieve tona dhe e qarqeve intelektuale, shkencore e kulturore përballë kësaj fushate antishqiptare dhe fashiste me “Shqipërinë e Madhe” nga ata që kanë krijuar Serbinë e Madhe, Malin e Zi të Madh dhe Greqinë e Madhe në toka të Shqipërisë është e pajustifikueshme, e patolerueshme dhe me pasoja për pozitën e kombit tonë! Dikush duhet t’ia thotë troç Vulinit të Serbisë dhe krejt botës se (ri)bashkimi i Shqipërisë nuk është krijim i “Shqipërisë së Madhe”, por jetësim i një të drejte të garantuar me të gjitha konventat dhe të drejtën ndërkombëtare për vetëvendosjen e popujve. Dikush duhet t’ia thotë botës se “Shqipëria e Madhe” ishte shpikje e Rusisë dhe e borgjezive shoviniste-pushtuese fqinje për t’ua tundur si gogol popujve të tyre dhe Evropës saherë që shqiptarët përpiqen për t’u çliruar nga zgjedha e robërisë! Ky dikushi duhet të jetë Tirana zyrtare, e cila është e vetmja që ka “tapitë” dhe të drejtën për përfaqësimin dhe interesimin për Shqipërinë e katër vilajeteve, për tokatë e Saj dhe për shqiptarët kudo ne botë.

Kërcënim për paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe fqinjësinë në Iliri-Ballkan, do të duhejë t’i thoshte Tirana zyrtare Vulinit të Serbisë dhe krejt botës, nuk paraqet afrimi dhe bashkimi i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë, por projekti, angazhimi dhe këmbëngulja e Serbisë dhe e aleateve të saj për ta mbajtur kombin shqiptar të copëtuar dhe tokatë e Shqipërisë të pushtuara! Ky fakt ishte dhe mbeti kërcënim real për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë, që quhet Iliri (Ballkan). Kjo e vërtetë nuk mjafton të thuhet dhe përhapet vetëm nga Tirana zyrtare dhe qeveritarët e diplonatët e Saj. Kjo e vërtetë e madhe dhe me pasoja paqedashëse e stabilizuese duhet të argumentohet dhe shpërndahet nga qarqet hulumtuese-shkencore, nga mediet dhe nga çdo shqiptar që ka “zgjedhur” të mbetet shqiptar në Kosovë dhe kudo në Shqipërinë e katër vilajeteve e në botë…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …