Xhevdet Shehu

Xhevdet Shehu: Sikur të ishim pak marksistë!

Para dy ditësh filozofi i madh, ndoshta më i madhi i të gjitha kohërave, Karl Marksi kishte 200-vjetorin e lindjes. Është shkruar e folur shumë për të në këtë përvjetor, thjesht se ai është i pakontestueshëm dhe i paarritshëm në filozofinë e tij. Ai vazhdon të studiohet dhe të analizohet në shumanshmërinë e mendimit ekonomik dhe filozofik të tij, madje edhe në Shtetet e Bashkuara, por kurrsesi nuk mund të flaket.

E mallkojnë për Manifestin e Partisë Komuniste (1848) me bashkautor Frederik Engelsin, (pasi ai manifest u shndërrua në një doktrinë që solli komunistët në skenë dhe sundoi për rreth një shekull gjysmën e botës) ndërsa e mbivlerësojnë për “Kapitalin”, një vepër themelore nga më të studiuarat edhe sot e gjithë ditën në mbarë botën.

Marksi është një nga shumë pak filozofët modernë që janë përfaqësuar shumë keq nga pasardhësit, mbështetësit si edhe kundërshtuesit pas vdekjes së tij. Duket si anekdotë, por është e vërtetë se pak kohë para vdekjes së tij, Marksi mori pjesë në një mbledhje të dishepujve të tij dhe u tmerrua nga ato që dëgjoi. Duke iu drejtuar disa të ashtuquajturve “marksistë” të cilët mbronin reformat në vend të revolucionit ai lëshoi këto fjalë proverbiale: “Nëse ky është Marksizmi, unë nuk jam marksist”.

Më vonë, bashkimi i mendimeve Marksiste me Leninizmin, që krijoi ideologjinë (Marksizëm-Leninizmin) e bllokut lindor sovjetik, flamurin e të cilit e kemi valëvitur edhe ne në Shqipërinë tonë për rreth gjysmë shekulli, vazhdoi të largohej nga besimet dhe analizat origjinale të Marksit. Pas kolapsit të regjimeve komuniste në kapërcyellin e viteve ’90 të shekullit të kaluar, emri i Marksit ka qenë një tabu dhe etiketimi marksist është konsideruar një mallkim nga politikanët tanë të paditur. Por edhe nga studentët dhe intelektualët të cilët e identifikonin Marksin me regjimin komunist që kishte perënduar, sikurse pohohet edhe në këtë shkrim të Profesor Fatos Tarifës.

Ndoshta për kohën kur tregon episodin me studentët Tarifa (1991) mbase ishte me vend ky të huajësim nga Marksi, sikurse dhe nga Lenini e Stalini, (nga Enveri po se po) pasi sapo kishim dalë nga një regjim diktatorial. Në fund të fundit kjo ka qenë një sjellje jo vetëm e jona. Në të gjithë Lindjen janë sjellë kështu. Më kujtohet një episod me të cilin është marrë shumë politika jonë në mesin e viteve ’90: Profesor Servet Pëllumbi, nënkryetari i atëhershëm i Partisë Socialiste, mbase njeriu më i ditur që ka pasur ajo parti, vetëm pse deshi ta përmendte në programin e asaj partie që kjo forcë politike udhëhiqet nga idetë përparimtare bashkëkohore, social-demokrate dhe marksiste, etj, gati u linçua jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga të vetët. Sepse pavarësisht se shumë pak vetë në Shqipëri (përfshi edhe udhëheqësit komunistë të kohës) e kishin lexuar filozofin e madh të dy shekujve më parë, Marksi i kujtonte shumëkujt, Leninin, Stalinin dhe Enverin. Ky po na kthen regjimin komunist, thanë për Profesor Pëllumbin dhe e hoqën fjalën “marksiste” nga programi i PS-së.

Që të ndodhte kështu njëzet e ca vjet më parë ishte deri-diku e pranueshme dhe e kuptueshme. Por që të vazhdohet me një mendësi të tillë edhe sot e kësaj dite është për të ardhur keq. Marksi, ndërsa në SHBA e vende të tjera konsiderohet një idhull nëpër universitete e akademi, tek ne jo vetëm që është “harruar” por edhe sulmohet verbërisht. Në këtë kontekst ndodhi dhe ai barbarizmi i pardjeshëm ndaj veteranëve të Luftës së Dytë Botërore te Varrezat e Dëshmorëve. Ata (demokratët) u tërbuan pse veteranët mbanin portretet e Enverit, pa e ditur se as veteranët nuk valëvitën flamurin e Marksit, as të ashtuquajturit tanë “demokratë” nuk e kanë kuptuar se ç’është Marksi dhe marksizmi si ideologji dhe si praktikë.

Në të vërtetë, nuk do të ishte keq sikur politikanët tanë të djathtë e të majtë të ishin sado pak marksistë. Nëse nuk e kanë lexuar në atë kohë kur Marksi ishte “i lirë”, përsëri nuk është vonë ta lexojnë tani që është “i ndaluar”. Nuk do t’u bëjnë keq idetë e tij. Dhe të mos kenë frikë se do t’i quajnë “marksistë”.

Sidoqoftë, është një fakt i pamohueshëm se edhe anti-Marksistët më të fuqishëm të botës i janë rikthyer shkrimeve dhe veprave të Marksit, sidomos për thellësinë e mendimeve të tij mbi analizimin e kapitalizmit, analiza që po vërtetohen çdo ditë e më shumë. Sepse si askush tjetër këtu e dyqind vjet më parë Marksi argumentonte se kapitalizmi detyrimisht do të kishte kriza të herë pas hershme. Ai sugjeronte se me kalimin e kohës, kapitalistët do të investonin gjithmonë e më shumë në teknologji dhe gjithmonë e me pak në vlerën e fuqisë punëtore. Ai besonte se në qoftë se proletariati do të merrte kontrollon e mjeteve të prodhimit, do të forcoheshin dhe inkurajoheshin marrëdhëniet sociale dhe çdo kush do kishte përfitime të barabarta si dhe një sistem me më pak kriza periodike. Në përgjithësi Marksi besonte se negociata paqësore të këtij problemi janë të pamundura dhe se është i detyrueshëm një revolucion masiv i dhunshëm dhe i mirë organizuar, sepse klasa në pushtet nuk mund t’i lëshojë karriget pa dhunë.

Pikërisht kjo i tmerron antimarksistët e sotëm. Marksi vdiq në Londër më 1883 dhe është varrosur në Varrezat Highgate, Londër. Mesazhi i gdhendur në gurin e varrit të Marksit është: “Punëtorë të të gjitha shteteve, bashkohuni!”, një parullë që u shndërrua në devizë për të gjitha partitë komuniste të botës. Me këtë nuk dua të them se partitë tona kanë nevojë për këtë parullë, se jo vetëm janë tepër larg ideve marksiste, por edhe po e bënë këtë thirrjen nuk i dëgjon kush.

Por le të marrin të paktën thelbin e doktrinës ekonomike dhe sociologjike të filozofit të madh. Njerëzit e mençur që mund ta bëjnë këtë nuk kanë munguar e nuk mungojnë në këtë vend, ndonëse janë të pakët.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: MBAJTJA E AKADEMISË PËR GAZETËN E LËVIZJES -ZËRI I KOSOVËS

U konstatua në këtë Akademi se dy numrat e parë të kësaj gazete janë dalë …