Brickos

Xhevë Avdyl Krasniqi – Lladrovci (1.6.1955 – 22.9.1998)

Xhevë Avdyl Krasniqi – Lladrovci (1.6.1955 – 22.9.1998)

Xhevë Krasniqi-Lladrovci lindi më 1 qershor të vitit 1955 në fshatin Drenoc të Klinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës, paralele e ndarë në Kijevë, ndërsa studimet i kreu në Universitetin e Prishtinës, në degën gjuhë dhe letërsi shqipe. Kishte absolvuar edhe në Fakultetin Juridik të Prishtinës.

Në vitet 1983-1984 ka punuar profesoreshë e gjuhës shqipe në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” të Kijevës. Pas 8 muajsh pushohet nga puna për shkak të aktivitetit politik të babait të saj Abdyl Krasniqi. Vitet më të rënda për Xhevën ishin atëherë kur Fehmiu ndodhej në burgjet jugosllave i dënuar 10 vjet burg për veprimtari antishtetërore jugosllave. Këtë gjendje e rëndonte edhe më shumë situata e vështirë ekonomike e familjes, sepse edhe i ati i saj, Abdyli, përndiqej vazhdimisht nga sistemi represiv i atëhershëm. Abdyl Krasniqi, një atdhetar i njohur edhe për zbulimin dhe nxjerrjen e eshtrave të heroit kombëtar Azem Galica nga Shpella e Përçevës në një thellësi prej 70 metrash. Në kohën kur Fehmiu vuante dënimin e shqiptuar prej 10 vjetësh në burgjet e Kroacisë, Xheva, e përcjellur nga i ati, vendos ta kalojë kohën në gjirin e familjes së Fehmiut në fshatin Shkabaj të Drenicës, për t’iu gjetur pranë dy pleqve-prindër të Fehmiut, meqë ata po i kalonin ditët e pleqërisë në skamje e satanizim nga organet e UDB-së. Ishte kjo një dasmë pa krushq e pa dhëndër. Me t’u liruar nga burgu të bashkëshortit të saj, Fehmiut, jeta e Xhevës do të marrë një kuptim dhe dimension krejt tjetër. Lufta kundër shkelësit të tokave shqiptare do të jetë sinonim i jetës së saj. Për asnjë moment tani e tutje nuk do t’i ndahet bashkëshortit dhe së bashku me të do të vazhdojë aktivitetin patriotik, por edhe do të gjendet krah për krah me të në vijat e frontit në Kroaci, në Gjermani, në UÇK.

Xhevë Krasniqi, e edukuar në frymën kombëtare nga babai Avdyl Krasniqi, atdhetar i përkushtuar i çështjes kombëtare, do të niset në rrugën e lirisë së bashku me bashkëshortin dhe luftëtarët e të famshmes UÇK.

Më 6 maj të vitit 1997, në mesin e Fehmi Lladrovcit, Luan Haradinajt, Ramush Haradinajt, Ramiz Lladrovcit, Selim Krasniqit, Rafet Ramës e të tjerëve, në rrugë për të hyrë ilegalisht në Kosovë ishte edhe Xheva. Në luftime e sipër bie në altarin e atdheut luftëtari i paepur i çështjes kombëtare, Luan Haradinaj, ndërsa plagoset rëndë Rafet Rama, ndërsa plagë të lehta marrin Fehmi Lladrovci dhe Ramush Haradinaj.

Më 11 mars të vitit 1998, Xhevë Krasniqi – Lladrovci së bashku me bashkëshortin Fehmi Lladrovci dhe me luftëtarët: Bekim Berisha, Fatmir Limaj, Agim Bajrami, Ismet Jashari, Haxhi Shala, Mirush Daka e të tjerë, kalon alpet shqiptare dhe depërton në Kosovë.

Me rastin e hyrjes në zonat e luftës, Xheva me Fehmiun fillimisht vedosen në fshatin Rezallë, i cili ishte nën kontroll të forcave të UÇK- së.

Pas një kohe, po ashtu pa u ndarë asnjëherë nga bashkëshorti, sistemohen në Abri , në njësitin luftarak të Musë Jasharit, Jahir Demakut dhe Jakup Nurës.

Pas një kohe, duke qenë se radhët e UÇK-së po shumoheshin, Fehmiu me Xhevën dhe me bashkëluftëtarë të tjerë formojnë një pikë luftarake në vendin e quajtur Te Tuneli, në fshatin Baicë e Elshanit. Radhitja e Xhevë Lladrovcit në mesin e luftëtarëve të lirisë ndikoi edhe në mobilizimin e femrës shqiptare për të marrë pushkën dhe krahas burrave, vëllezërve të tyre, të luftojnë për çlirimin e atdheut

nga robëria serbe. Asokohe në radhët çlirimtare në Drencicë ishin edhe shumë luftëtare si Sanie Geci, Antigonë Fazliu, Luljetë Shala, Fatime Hetemi e luftëtare të tjera. Ndikimi që kishte ushtruar Xhevë K. Lladrovci ishte i pakrahasueshëm. Ajo ishte luftëtare, por edhe motër e madhe e luftëtareve të tjera.

Ndërkohë, në një rrethanë të papritur, një kontingjent armësh zbarkon në Likoc. Me ato armë dhe në bashkërenditje të aksioneve në mes të Ismet Jasharit, Fatmir Limajt, Fehmi Lladrovcit, Xhevë Lladrovcit e Rasim Kiçinës, më 9 maj 1998 realizohet plani i zënies së Grykës së Llapushnikut. Në betejën për zënien e kësaj gryke merr pjesë edhe Xhevë Krasniqi – Lladrovci dhe disa luftëtare të tjera nga Drenica. Ajo iu shtonte moralin luftarak luftëtarëve, duke luftuar përkrah trimave të lirisë.

Në qershor të vitit 1998, Xheva, së bashku me Fehmi Lladrovcin, Asllan Fazliun, Sabit Lladrovcin e të tjerë, merr pjesë në krijimin e pikave luftarake të quajtura Shkaba. Në këto shtatë pika prej Shkaba I deri në Shkaba VII e shtrinte rrezen e vet të veprimit Brigada 114 e Zonës Operative të Drenicës.

Xhevë Krasniqi- Lladrovci ka marrë pjesë edhe në luftimet që janë zhvilluar në Bardh të Madh dhe në Hade më 30 dhe 31 qershor të vitit 1998.

Më 22 shtator të vitit 1998, forcat policore dhe ushtarake serbe kishin filluar ofensivë në shkallë të gjerë në tërë Drenicën me qëllim të shkatërrimit të rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria armike kishte sulmuar në relacionin Komaran-Gllogoc-Skënderaj dhe gjithandej nëpër poziconet e Brigadës 114, e cila vepronte sidomos në fshatrat përreth Qyqavicës. Herët në mëngjesin e asaj dite, Komanda ndërkomunikuese Guri III në malet e Kozmaçit kishte bërë të ditur fillimin e ofensivës armike, e cila kishte angazhuar më shumë se njëqind tanke, dhjetëra autoblinda, pizgauerë, topa të kalibrave të mëdhenj dhe forca të panumërta të këmbësorisë. Atë ditë Fehmi Lladrovci kishte komanduar me Shkabën I, II dhe III të Brigadës 114. Në relacionin Gllogoc- Gllanasellë me njësitin e tij luftarak komandonte Sabit Lladrovci, ndërsa Xheva, komandant Fehmiu, Fatime Hetemi, Hazir Berisha, Habib Lladrovci, Muhamet Llugani, Shefqet Morina, Rashit Lladrovci e të tjerë, pozicionohen në vendin e quajtur Gradina, që ishte pika më e rëndësishme strategjike për të komanduar dhe për të përcjellë luftimet.

Zhvillohen luftime të rrepta në të gjitha pikat, veçmas në pikën ushtarake Te Shavarinat, ku luftëtarët e lirisë bënë luftë ballë për ballë me armikun në një distancë 40 deri në 60 metra.

Pushka e parë e zbrazur nga Gradinat në drejtim të tankeve armike ka qenë e Xhevë Lladrovcit, thotë Sabit Lladrovci, njëri ndër luftëtarët më të afërt dhe më besnik të komandant Fehmi Lladrovcit. Forcat ushtarake serbe e kishin identifikuar pikëpozicionin te Gradina dhe kishin filluar luftimet. Një plumb i armës armike kishte goditur për vdekje luftëtaren e Shalës, Fatime Hetemi. Në orët e mesdites serbët kishin arritur të depërtonin prapa shpine. Ndërkohë luftëtari Asllan Fazliu arrin në Gradinë dhe i shpjegon komandant Fehmiut se ka rënë një pikë si dhe ka rënë në altarin e atdheut luftëtari i Kodrës së Trimave, Shefqet Zeka. Luftimet ishin zhvilluar nga afërsia. Një autoblindë armike godet drejt Gradinës, ndërsa në pozicione po luftonin pandërprerë Xhevë K. Lladrovci, Fehmi Lladrovci dhe Asllan Fazliu. Plumbat e autoblindës e përshkojnë shtatin e komandant Fehmiut. Duke e parë që qëndrimi i mëtejmë në atë pikë ishte pamundësuar, ai, i plagosur rëndë, urdhëron bashkëshorten e tij, Xhevën, dhe Asllan Fazliun që të tërhiqen sa më parë. Ndërkohë, 10 minuta pasi merr plagët e vdekjes, Fehmi Lladrovci thith për të fundit herë ajrin e bërë shkrumb të Drenicës së tij të dashur. Xhevë Krasniqi as në ato momente nuk ishte dhënë. Nuk e kishte ndërmend ta linte vetë Fehmiun. Kishte urdhëruar Asllan Fazliun që të tërhiqej, por duke e parë se Asllani nuk bindet, ajo i premton se edhe ajo do të shkonte pas tij. Asllani, duke iu besuar fjalëve të Xhevës, largohet nga Gradina, ndërsa heroina e Drenicës dhe e mbarë Kosovës, Xhevë Lladrovci, qëndron deri në fishekun e fundit. As për së rëni nuk e kishte lënë vetëm shokun, bashkëshortin e jetës, të idealit dhe të luftës, komandant Fehmi Lladrovcin.

Katër ditë pas rënies, bashkëluftëtarët: Sabit Lladrovci, Sami Lushtaku, Asllan Fazliu, Habib Lladrovci, Nuredin Lushtaku, Fadil Kodra e të tjerë, depërtojnë në Gradinë dhe pas një kohe kishin varrosur trupat e dëshmorëve Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovcit dhe Fatime Hetemit. Rënia heroike e Xhevë Lladrovcit i dha impulse të reja luftës çlirimtare. Shembullin e saj e vazhduan edhe qindra luftëtare të tjera të lirisë, që luftonin kudo në zonat e përfshira në luftime.

Në vend rënien e heroinës, të komandant Fehmiut dhe të luftëtares së Shalës, bashkëluftëtarët kanë ngritur kompleksin memorial të përjetësuar me emrin Kulla e Qëndresës. Për merita në aktivitetin e saj atdhetar dhe në luftë për çlirimin e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës i ka dhënë Mirënjohje. Dëshmorja Xhevë K. Lladrovci është nderuar pas rënies edhe nga SHP i UÇK-së dhe nga instanca të tjera organizative vendore në Drenas.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …