Zef Jubani (1818, 1880) ideolog i Rilindjes, ekonomist, folklorist e shkrimtar

Zef Jubani (1818 – 1880) ideolog i Rilindjes, ekonomist, folklorist e shkrimtar

Gjyshi i Zef Jubanit, Illia në mbarim të shek. XVIII kur Kara Mhmud pashë Bushatlliu deshti t’i dalë dore Sulltanit, lidhi besë me Dukagjinin, ndoshta me kompetenca të bylykbashit. Më 1787, ndihmoi Ahmet pashë Bushatlliun kundër trupave turke, duke i ndjekë deri matanë lumit Mat (1786?). Për këtë shërbim ndaj Oxhakut të Bushatllinjëve, Veziri i dhuroi pasuri e çifligje, iu kënduan këngë në vargjet e të cilave gjejmë «gjak e soj i Skanderbegut»[1] Illia kishte tre djem, Gjinin, Prenken (ose Prêçin), dhe Ndokën. N’artikullin «Kujtime të Zef Ndokillís» nga «Brezi i ri», Ersekëlexohet «të parët e tij rridhshin nga Lotajt e Shalës, ose nga Lotajt e Abatit ose Milotaj, fjalë që u tret në Milet, kur ramë në Babë të Zadrimës e Juban të Shkodrës, prej ku dhe muer llagapin. Gjenealogjia e tij dhe e familjes fillon me fitimin e luftës kundër Ali Serdarit, në kohë të Ahmet pashës, prej së cilës datë Miletajt u quejtën Illiaj, emën që sod e mbajnë në katundin Juban, por që më 1918, u ndamë me leçitje në kishë në dy degë: Gjergj e Ndokillijaj».

I biri i Ndok Illisë, dhe i një gruaje nga Malta të quajtur Korina, u shkollua në vendlindje (1825-1829) ndër shkollat e mbajtura nga familjet reshpere, si shkolla e Gegë Kodhelit, Gjon Shkrumit, Zef Kamsit, Jak Krajës, etj. I ati i Zefit, Ndok Illia qe dërguar në shërbime zyrtare pre anës së Vezirit të Shkodres, Mustafa Pashës, herë në Vjenë, herë në Serbi, herë në Trieste etj, vise të jashtme. Meqenëse dajat i kishte në Maltë, qe dërguar për studime atje, ku kreu shkollën e mesme tregtare (1830-1838). Gjatë studimeve mësoi italishten, frëngjishten, anglishten. Zefi me kohë, ra në kontakte tregtare me anglezë e italianë dhe, i ndikuar nga idetë e kohës, nisen t’i ngjallen ndjenjat patriotike që me kohën ia forcuan dashurinë për vendin e dëshirën për lirinë e atdheut nga zgjedha e huaj. Mbasi iu vra i ati me 1840, Zefi në 1841 ktheu në atdhe dhe në Shkodër qe ngarkuar me dëtyra të ndryshme nga ana e qeverisë. Zuri vend në zyrën postare që çdo 10 ditë dërgonte një njeri të besuar me letra dhe pare për në Smilova Uglica, që ishte pika e kufirit mes Perandorisë Austriake e asaj Otomane, në rrethinat e Kotorrit. Prej ku merrte dorëzim postën tregtare drejtuar Shqipërisë nga qytetet austriake e italiane të Adriatikut Qednror e Verior. Përkrahë Hamz Kazazin në rrafshimin e seminarit jezuit t’etënve italianë, në Shkodër.  Më 1847 ngarkohet me ble 100 barrë drithë në tregjet e Tiranës, Kavajës e Durrësit me rastin e një zie buke në Shkodër. Më vonë qe ngarkuar me dëtyrën e krye-intendentit të nozullimeve të Rumelisë deri në Edrene. Për njohuritë e tij tregtare, Porta e Lartë i dha fuqi të pakufshme në kohë lufte. Në vitin 1848 Zef Jubani hyni në shërbim të konsullatës franceze. Konsulli Hecquard e kishte Zefin në patronazh. Të cilin Zefi e ndihmoi me materiale për vëllimin e tij «Historire et descripttion de la Haute Albanie ou Guégarie» Paris 1858. Ngaqë Zefi qysh me 1850, bashkë me mikun e vet shkodran, Halil Koplikun kishte nisë me mbledhë folklorin nga hinterlandi. Zefi do shkruajnë «zoti Hekard e përshkroi Shqipninë e Veriut mbi gjurmët e veprës sime të pabotueme, e futi mbrendë disa kangë, që ia dhashë hua për nder, vetëm në përkthimin italisht. Tekstin shqip e rueja me zili për veprën time, që mendojshe ta botoj»Duhet të konsiderohet ndër të parët pararëndës të Rilindjes, personalitet i kulturuar dhe i pajisur me ide patriotike e përparimtare. Qe kurdoherë një kundërshtarë i klerit katolik të huaj. Që më atë kohë ai e kishte psikologjisë mirë popullin e Shkodres. Veprimtaria patriotike e tij nuk përkonte me mendësinë e shtresës feudale, prandaj përbuzej; veprat e tij për shumë kohë mbeten në heshtje, kontributi i tij në lamën historike, folklorike e letrare u vlerësuan me rezerva në presionin e disa qarqeve konservatore e antikombëtare.

Më 1862 bashkëpunoi në organizmin e lëvizjes antiosmane të Mirditës. Autor i veprave: “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare”, “Aktualiteti i popullit të Shqipërisë së Veriut”, “Kundrime mbi gjendjen morale dhe intelektuale të popullit shqiptar”, etj. Në shkurt të 1868 i kushton një poezi Elena Gjikës, me titullin “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”, ku autori nënshkruan Sepi Ndokë Illija-Jubani. Përmend sesi princesha, me punë e art ishte përpjekur të ndriçonte Shqipërinë, duke ndihmuar shqiptarë e arbëreshë. Ajo do të shkruajë për të në një artikull të “Revista Europea”, numri gjegjës i të cilës s’ekziston, por njihet nga burime të tërthorta. Poezia e Jubanit u botua për herë të parë në veprën “Dora d’Istrias – Shqiptarët” me 1870, përmbledhje poetike. Përfaqësues të inteligjencës nga Shqipnia, arbëreshët e Italisë dhe Greqisë mblodhën në këtë vëllim disa poezi të tyre kësaj shkrimtareje të përmendur për përkrahjen e çështjes kombëtare. Vëllim që dëshmon gjërësinë që kishte marrë shkrimi i poezive në shqip, e ndokush kishte nusur me shkrue edhe vargje të mira. Manifest i parë, i përbashkët i lëvizjes letrare kombëtare, që po rritej në këto vise. Në shenjë falenderimi, princesha Gjika i nisën një foto me autograf. Me 21 qershor 1870 i nisën një letër De Radës, ku në fund shkruan: “Nëse do të dëshironi të më përgjigjeni mund ta dërgoni letrën tuej të porositun në Trieshtë te zoti G. A. Moskem duke nisur në këtë adresë “À Monsieur Jiseph Chevalier Joubany, Trieste, récomandé à M. G.A. Moscheni”». Me sa duket, me 1870 është kalorës. Po kush ia dha këtë titull nuk dihet. Periudhë kjo kur merrej me tregtinë e krimbit të mëndafshit, kulturë të cilën mendonte ta hapte edhe ndër arbëreshët e Italisë duke e menduar me përfitim me të dyja palët. Me 12 korrik 1870, shkroi në Shkodër «Aktualitet i popullit të Shqipnisë së Veriut». Më 1871, botoi në Trieste “Përmbledhje këngësh popullore dhe rrapsodish shqiptare”: Rëndësia e këtij libri qëndron në atë se është përmbledhja e parë e folklorit nga një autor shqiptar brenda vendit. Këngët historike me temë patriotike e kanë vlerën e vet të veçantë, të cilat frymëzonin masat e gjëra popullore për çlirimin kombëtar. Në libër autori ka përfshi edhe disa krijime të autorëve tjerë, si dhe një poezi të bukur nga një autor anonim me titull “Zâni i kasnecëve”, kjo vjershë ishte një kushtrim kundër pushtuesve turq, e ndërtuar bukur artistikisht dhe me porosi të qarta atdhetare. Ishte e përkthyer edhe frengjisht dhe kishte pasur ribotime. Prej saj u frymëzua edhe Pashko Vasa dhe shkroi poezinë “O moj Shqypni”, Jubani shkroi edhe libra tjerë me tema historike e ekonomike, por edhe librin “Histori e Gjergj Kastriotit”, që i mbeti i pa mbaruar dhe pa botuar. Me 1878 ne Venedik botoi vepren “Projekt lundrimi me avulloret italiane ne Adriatik, tregtia e Venedikut me Shqipërinë”. Zef Jubani ishte për zhvillimin ekonomik të vendit, për ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave, për krijimin e shoqërive ekonomike, për themelimin e ndërmarrjeve publike, për zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë së jashtme. Kërkoi që mësuesit të ishin vendës, që arsimi të kishte karakter kombëtar, demokratik e laik. Njihet si krijues i një alfabeti të posaçëm me bazë latine. Si atdhetar dhe mendimtar i dha një ndihmëse të vyer Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhe pak para se të ndërronte jetë i jep testamentin e tij mikut Pjetër Gurakuqit. U nda nga jeta më 1 shkurt 1880 në Shkodër.  (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo ka lindur në vitin 1865 në Strugë të Maqedonisë së sotme dhe ka …