vala – old
vipa
driloni com
Fillimi / Botimet / Zeqir Bekolli: Lëvizja ilegale, një përpjekje për çlirim dhe bashkim kombëtar
Zeqir Bekolli: Lëvizja ilegale, një përpjekje për çlirim dhe bashkim kombëtar

Zeqir Bekolli: Lëvizja ilegale, një përpjekje për çlirim dhe bashkim kombëtar

(Gani Sylaj:”Ilegal i viteve shtatëdhjetë”, botues Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës”, Prishtinë 2018)

Libri “Ilegal i viteve shtatëdhjetë”, autor Gani Sylaj, veprimtar dhe ish i  burgosur politik, për subjekt ka kujtimet e tij për veprimtarinë ilegale dhe legale. Që në nismë të këtij libri, autori thotë se moto e veprimtarisë së tij dhe e bashkëmendimtarëve ishte: “Çlirimi i Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë”.

Gjithçka nisi në familjen Ademi

Sylaj, pasi i hedh një vështrim pozitës së shqiptarëve nën ish-Jugosllavi, konstaton me të drejtë se grupi me të cilin bashkëpunoi ishte vazhdimësi e Lëvizjes kombëtare Shqiptare, nisur nga Rifat Berisha, Kadri Halimi, Fazli Greiçevci, Shaban Shala, Adem Demaçi,….,që për synim kishte Çlirimin dhe Bashkimin Kombëtar. Ndërsa, periudha në të cilën veproi, karakterizohej me kundërshtimin e heshtur të shumicës së shqiptarëve, përballë pushtimit, për të cilin ka një krahasim real. Derisa, thotë autori, Perandoria Osmane, hapësirat shqiptare i ndau në vilajete me qëllim të sundimit, pothuaj të njëjtën gjë e bëri edhe ish-Jugosllavia e cila trojet shqiptare nën Jugosllavi ua ndau republikave dhe një pjesë ia la Kosovës. Kjo ndarje për rininë e asaj kohe ishte e papranueshme, gjë që i shtyu ata të organizoheshin për ta kundërshtuar këtë padrejtësi e cila shoqërohej me shtypje e persekutime tjera.

Gjatë përshkrimit të këtij rrugëtimi, Sylaj, përshkruan individët, karakteret dhe idealin e përbashkët të tyre me një realizëm dhe sinqeritet të veçantë. Ai, pos prirjeve për t’u marrë me veprimtari ilegale, demonstron edhe prirjet e tij prej piktori, qëkur vizatoi portretin e shokut të tij të klasës, të ndjerit  Nuhi Igrishta, një veprimtar, deri te vizatimet që i bëri për ballinën dhe faqes së revistës ilegale ‘Zëri i Kosovës”.

Nga dëshira për t’u organizuar mbi bazat e ilegales Ganiu do t’i takojë shokët e idealit, njërin pas tjetrit. Fillimisht ai do të njihet me Mustafë Ademin, një student i elektroteknikës, që rridhte nga një familje nga Gollaku, që kishte zbritur dhe jetonte në Prishtinë. Ganiu, me Mustafën ishte njohur qyshkur vendosi të banonte si qira gji në shtëpinë e prindërve të tij, bashkë me dy motrat Hamiden dhe Haxheren. Prej Mustafes Ganiu kishte marrë e lexuar shumë libra, që aso kohe konsideroheshin të ndaluara nga regjimi, dhe mbi këtë bazë kishte fituar besimin në të. Përmes Mustafës, kishte njohur edhe Kadri Osmanin dhe Mehmet Hajrizin, Xhafer Shatrin… Ndërkaq, pas një pune e angazhimi të pa lodhshëm, në verën e vitit 1972, në orët e vona të natës, në shtëpinë e Mehmet Hajrizit, formojnë celulën e parë të organizimit ilegal, ku japin edhe betimin. Në krye të celulës vendoset Mustafë Ademi, kurse si i deleguar i saj caktohet Mehmet Hajrizi, ndërsa për aktivitete me rini emërohet Gani Syla, i cili më pastaj përhap veprimtarinë ilegale edhe në Drenicë.

Puna me nxënës në shkollën e Nekocit dhe bashkëpunimi me arsimtarët guximtar si Maliq Vilaj e Heset Çelaj, Safet Kastrati,… paraqesin hapat që bënte Ganiu, me nxënës në edukimin në frymën atdhetare, jo vetëm në shkollë por edhe në fshat. Autori përshkruan mirë atmosferën me rastin e mbajtjes së koncertit në sallën e Komoranit dhe këndimi i këngës “Rrokni armët moj rini’’, sikur edhe reagimin e masës së pranishme në njërën anë dhe të pushtetarëve, si një realitet i kohës. Pastaj marrja në polici, dhe biseda informative që u zhvillua në stacionin e policisë në Drenas, pikërisht për shkak të përmbajtjes së këngës, që u këndua në sallën e Komoranit, ishin sinjal se përplasjet me organet e pushtuesit për Ganiun veç sa kishin filluar.

 Pas formimit të celulës së parë të ilegalitetit, Ganiun e shohim të ndërmerr veprime konkrete në ndërgjegjësimin e masës. Fillimisht ai do të punojë në fshatin e tij, bashkatdhetarë, me nxënës, arsimtarë, me fshatarë dhe rini. Duke përhapur njohuritë për atdhedashurinë dhe figurat tona kombëtare, nëpërmjet mësimit, aktiviteteve kulturore, Ganiu do të arrin të organizojë edhe aksione vullnetare, gjithnjë në ndërtimin e rrugëve, kurse nëpër oda përpiqej të bindte prindërit për shkollimin e femrës shqiptare. Pra, krahas përpjekjeve për të përhapur dijen dhe librin, Sylaj ka bërë një punë të vlefshme në luftën e pa kompromis kundër analfabetizmit dhe dukurive antikombëtare. Për të gjitha këto, ai, do ta lajmëronte celulën e cila e vlerësonte punën  e tij. Pra, gjatë leximit të librit Ganiun e shohim të jetë në kontakt me të gjitha shtresat e masës gjithnjë në funksion të vetëdijesimit të saj. Atë e shohim të jetë në kontakt me Beqir Bajraktarin, mësuesin dhe njeriun e mençur të Drenicës, më rapsodët Adile e Selman Balaj, këngët e të cilëve ishin në funksion të ngritjes së vetëdijes kombëtare. Kjo nismë e tij e kësaj natyre do të vazhdojë deri në fazën kur bëhet bashkimi i grupeve ilegale të Kosovës në një organizatë e quajtur Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Pas kësaj periudhe, nisin aksionet me konkrete dhe më serioze. Njëri prej tyre ishte  edhe shpërndarja e trakteve në Kishnicë, Hajvali, Mitrovicë e Stantërg, në vitin 1973 nëpër një dimër të ashpër dhe plot acar. Përshkrimi që i bënë fillimit të punës së shkuarjes së trakteve, pastaj shpërndarjes së tyre dëshmojnë për një përkushtim të veçantë. Por, ky nuk do te jetë veprimi i vetëm. Pas tij do të pasojnë edhe veprimtaritë tjera, edhe më të organizuara. Shkalla e veprimtarisë së organizatës ilegale do të marrë dimensione të reja. Veprimtarët, nëpër aksione të shpërndarjes së trakteve, shoqëroheshin edhe me armë, që nënkuptonte ngritjen e nivelit të veprimtarive të tyre. Një veprim mjaft i organizuar shihet të aksioni për shpërndarjen e trakteve në Qendrën e Studentëve të Prishtinës ,më 1974, ku menin pjesë pos Gani Sylës, edhe Rexhep Mala, tash dëshmor, Hydajet Hyseni, Kadri Zeka,… Aksioni i shpërndarjes së trakteve, në mesnatën e atij dimri u shoqërua edhe me shkuarjen e parullave, gjë që ndikoi në ndërgjegjësimin e  masës studentore, por edhe futi panik në radhët e pushtetit të atëhershëm, i cili për këto veprime prangosi Adem Demaçin, bashkë me një grup tjetër, që nuk kishin të bënin fare me këto veprime.

Pasi lë punën në Nekoc, Ganiu iu rreket studimeve, por asnjëherë nuk lë veprimtarinë ilegale, në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë kësaj periudhe një kohë nis punën në fshatin Bardh i Madh, ku vepron në përhapjen  ideve të Lëvizjes. Në këtë fshat nuk qëndron gjatë dhe serish kthehet në vendlindjen e  tij, ku rrethanat ishin më të përshtatshme për përhapjen e veprimtarisë së lëvizjes. Aty, në vitin 1975/76 arrin t’i kyç në kuadër të Lëvizjes edhe dy individë, atëherë mësimdhënës, të njohur të Drenicës siç ishin Azem Syla dhe Jakup Krasniqi, të cilët sipas autorit nuk hezituan fare për t’u kyçur në këtë veprimtari ilegale. Pjesë të kësaj lëvizjeje Ganiu kishte arritur t’i bënte edhe  Enver Dugollin, Fehmi dhe Ilmie Plakajn, dy motrat e tij dhe vëllain Ismail Sylen e të tjerë.

Kalimi nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare në GMLK

Një storie më vete ishte edhe strategjia e Lëvizjes për t’i futur në kuadër të organeve të sigurimit pjesëtarët e saj, me qëllim të marrjes së informacioneve nga brenda. Pas një përpjekje, Lëvizja arriti ta fus brenda këtyre organeve Mustafë Ademin, i cili kishte për detyrë që anëtarëve të kësaj lëvizjeje t’u jepte informacione në çdo kohë, por në rrethana tejet sekrete. Prania, e anëtarëve të tillë në këto organe ishte e domosdoshme, sepse me të madhe kishte filluar arrestimi dhe ndjekja e personave në ilegalitet. Pas arrestimeve u krijua përshtypja se mund të rrezikoheshin edhe Mehmet Hajrizi, njëri nga krerët e Lëvizjes dhe Ganiu, ndaj pas disa konsultimeve vendosin të largohen nga vendi. Bashkë me ta shkon edhe Haxherja. Ganiu, për dallim prej dy të parëve kishte një pasaportë falso. Rrugëtimi i tyre, përplot peripeci, nëpërmjet Italisë, kishte për cak Parisin . Atje ata do të qëndrojnë një muaj, ku do të kenë edhe kontakte zyrtare me Ambasadën e Shqipërisë. Kur marrin vesh se nuk gjendeshin në mesin e  të përndjekurve dhe në pamundësi për të qëndruar më tej në Perëndim, vendosin të kthehen në vendlindje. Meqë Ganiu kishte një muaj që e mbante në xhep ftesën për shërbimin e  detyruar ushtarak, lajmërohet me vonesë në kazermën e Pirotit, ku ballafaqohet me situata me të cilat nuk ka pas ushtar shqiptar që nuk është ballafaquar. Megjithatë, ai, gjatë shërbimit kthehet në vendlindje për pak ditë dhe takohet me anëtarët e Lëvizjes. Në këtë periudhë merr vesh se kishte ndërruar emërtimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Grupet Marksiste Leniniste të Kosovës (GMLK), që siç thotë autori, kishin të njëjtin synim siç e kishte edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Por, GKLM-ja thuhet se do të mbante lidhjet me Shqipërinë Socialiste nga e cila prisnin edhe ndihmën më të madhe për çlirimin e vendit.  Pos njoftimit për këtë ndryshim, autori nuk është lëshuar më shumë, përse kishte ardhur deri te ky kalim nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare në GMLK, e cila e kishte edhe një shtesë në raport me të paren-ideologjinë. Kjo, sigurisht se ka ardhur edhe si nevojë për një mbështetje nga shteti amë, që aso kohe ishte Shqipëria Socialiste, pa të cilën aktiviteti është parë i pa mundshëm. Megjithatë, kjo pa bartur në vete edhe pasojat e saja, që nga orientimi nga lindja e  deri të pasojat tjera, që përkonin me zbulimin e burgosjen e veprimtarëve, që dyshohej se ishin edhe “pre” e ndonjë diplomati shqiptar nëpër ambasada, me të cilat mbaheshin kontakte. Tash, kur gjendemi në pozita e rrethana tjera, kur Kosova është orientuar ka Perëndimi dhe SHBA-ja, vetëm tash mund të gjykojmë e vlerësojmë peshën dhe rëndësinë e orientimit, me të cilën nuk është marrë autori, ndoshta edhe për faktin se ai nuk ka qenë “kumbar” i këtij ndryshimi, për të cilin ka patur kundërshti, si në Perëndim ashtu edhe në vend e në këtë plan është i njohur edhe qëndrimi i atdhetarit Metush Krasniqi, me të cilën LKSH-ja, siç thotë edhe autori, është këshilluar shpesh, në fazat hershme të veprimit. Ndoshta, në vazhdimet e tij, autori do të sqarojë këtë çështje, tejet me rëndësi për lexuesin, në mënyrë që rasti të mos mbetet vetëm si informatë.

Autori flet edhe për periudhën e kalimit në ilegalitet të thellë të Hydajet Hyseni e Kadri Zekës i cili kaloi në Perëndim, për demonstratat e vitit 1981, dhe për periudhën kur u arrestua bashkë me Mehmet Hajrizin, bashkëveprimtarin e tij.

Libri autobiografik sjell një realitet nga periudha kur atdhetari Gani Sylaj ka jetuar e vepruar bashkë me shokët e tij, por si i tillë ka nevojë të plotësohet e shoqërohet me gjykime personale . Ky libër është shkruar me një stil të rrjedhshëm, gjuhë të pastër dhe si i tillë nuk të lëshon pa e lexuar deri në fund, pikërisht edhe për faktin se në të mbisundon qëllimi për çlirim dhe bashkim kombëtar. Se autori ishte i kujdesshëm, ai, do të dëshmojë, që në fillim të tij, kur thotë se për ta përmbyllur këtë libër kujtimesh iu deshën plot pesë vjet, dhe shumë konsultime me shokët e ilegales të cilët arritën të mbijetojnë dhe sot janë në mesin e  të gjallëve.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë

Ahmet Qeriqi: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë

( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili ) Këngët historike, duke filluar prej “ciklit ...