Zymer Halim Goxhuli (10.1.1965 - 14.10.1998)

Zymer Halim Goxhuli (10.1.1965 – 14.10.1998)

Familja Goxhuli i Makërmalit të Drenicës është e njohur për mençuri dhe trimëri. Nga kjo familje ishte plaku i fiseve, satiriku i mirënjohur popullor, por edhe krijuesi i shumë këngëve të trimërisë, Dervish Goxhuli. Luftës çlirimtare të Shaban Palluzhës, burrat e këtij fshati i dhanë shumë luftëtarë. Nga presioni dhe maltretimi fizik që ushtruan milicët e Titos dhe të Rankoviqit, Halit Goxhuli, vdiq mizorisht në tortura, gjatë kohës së aksionit të armëve, në vitet 50 të shekullit të kaluar. Ai ishte xhaxhai i dëshmorit Zymer Goxhuli. Luftës së UÇK-së, kjo lagje i ka dhënë 4 dëshmorë, dy martirë dhe dhjetëra luftëtarë të lirisë.

Zymeri lindi më 10 janar të vitit 1965, në Makërmal të Drenicës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin, në Skënderaj. Në vitin 1985 e rekrutojnë dhunshëm në armatën jugosllave, ku detyrohet ta kryejë shërbimin ushtarak në Karlovac të Kroacisë.

Pas kthimit nga ushtria, Zymeri me vëllezërit, Hajzerin, Imerin dhe Skënderin, punon punë private në ndërtimtari dhe në bujqësi. Edhe pse në mesin e vëllezërve, ishte më i riu në moshë, ai nuk iu nda punës asnjëherë, me qëllim për të ndihmuar dhe për ta përmirësuar gjendjen ekonomike të efamiljes. Në vitin 1987 shkon në Slloveni, ku angazhohet në punë të ndryshme fizike në ndërtimtari, së bashku me vëllezërit. Me fillimin e luftës së popullit slloven për shkëputje nga Jugosllavia, në vitin 1990, Zymeri me vëllezërit, kthehet në Kosovë.

Në periudhën kohore prej vitit 1990 e deri në vitin 1997, Zymeri merret kryesisht me punë ndërtimtarie në vend dhe gjithandej ku gjen punë. Punoi edhe në Bujanoc e në fshatra të tjera të Kosovës Lindore.

Në vitin 1996, policia serbe merr në hetuesi Zymerin, të cilit i kërkohet për ta dorëzuar një pushkë të prodhimit jugosllav M-48. Beteja heroike më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz dhe rënia e komandantit legjendar Adem Jashari, rininë vetësakrifikuese liridashëse të Drenicës e gjen të përgatitur për të vazhduar luftën deri në fitore kundër okupatorit serb.

Në pranverë të vitit 1998, pothuajse në të gjitha fshatrat e Drenicës qendrore, krijohen pikat mbrojtëse të zjarrit. Një aktivitet organizues luftarak në krijimin e pikave në Makërmal, Rezallë, Marinë e fshatra të tjera të Drenicës qendrore, kishte ushtruar luftëtari, Ilaz Dërguti nga fshati Rezallë bashkëluftëtar i legjendarit Adem Jashari. Ai, qysh në maj të vitit 1998 themelon pikën Shkalla të lagja Goxhuli.

Asokohe, në radhët e UÇK-së inkuadrohen: Zymer Goxhuli, Faik Goxhuli, djali i vëllait të Zymerit, po ashtu dëshmor, Gani Goxhuli, Sahit Goxhuli, Muhamet Goxhuli, Bali Goxhuli, Mustafë Goxhuli, Sokol Goxhuli, Fadil Goxhuli, Zenel Goxhuli, Safet Goxhuli, Nasuf Goxhuli (dëshmor) Isuf Goxhuli ( dëshmor), Januz Goxhuli e të tjerë. Në të njëjtën kohë, pikës strategjike Te Shkalla i bashkohen edhe luftëtarët e tjerë nga lagjja Asllani: Demir Asllani, Besim Asllani, Sheqir Asllani, Milazim Asllani, Mustafë Asllani, Enver Asllani, Islam Asllani (dëshmor), Haki Ahmeti, Musli Ahmeti, Beqir Ahmeti e të tjerë.

Në fillim të majit të po atij viti, dhjetëra luftëtarë nga kjo lagje iu bashkuan radhëve të qindra luftëtarëve që shkonin në Shqipëri për të marrë armatim. Asokohe në Drenicë kishin arritur edhe Bekim Berisha, Abeja dhe disa oficerë të tjerë, të cilët i stërviti n luftëtarët vullnetarë të lirisë.

Në luftimet për barrikadimin e Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, në mesin e shumë luftëtarëve, shquhet edhe Zymer Goxhuli, me ç’rast luftëtarët e lirisë, forcave të armikut ua prenë arterien më të fortë të qarkullimit dhe të furnizimit në Kosovë, arterie që e lidhte Garnizonin e Prishtinës me Drenicën dhe Dukagjinin.

Me shtrirjen e pikave të mbrojtjes, të cilat quheshin pika të zjarrit, qysh në qershor të vitit 1998, ishte krijuar edhe vija e frontit prej Marinës, në Rezallë, Makërmal e deri në Likoc. Në këto vija të frontit zhvillojnë aktivitet të shquar luftarak edhe Rifat Mëziu,(dëshmor) Malush Ahmeti, (dëshmor), Ahmet Zabeli, Vesel Aruçi, Zymer Goxhuli (dëshmor), Zenel Goxhuli, Faik Goxhuli (dëshmor), Gani Goxhuli, Ilaz Dërquti e të tjerë.

Luftëtarët e Drenicës Qendrore përveç krijimit të fortifikatave nëpër të gjitha pikat strategjike të fshatrave të tyre, qysh në maj e në qershor të vitit 1998, marrin pjesë në zgjerimin e radhëve të UÇK-së deri në fshatrat e Fushë Kosovës dhe të Kastrioti (ish-Obiliq).

Së bashku me luftëtarët e tjerë nga Drenica e nga Dukagjini, Zymeri merr pjesë edhe në formimin e vijës së frontit në Bardh të Madh e në fshatin Hade, në periferi të Prishtinës, në të cilin aksion ishin angazhuar edhe luftëtarët Ilaz Dërguti, Shaban Shala, Fehmi Lladrovci, Abedin Sogojeva, Sabit Lladrovci e të tjerë. Në këtë front luftuan luftëtarë nga Drenica, Dukagjini, Anadrini dhe nga të gjitha trevat e Kosovës, në mesin e tyre edhe Zymer Goxhuli, Xhemajl Mehmeti nga Plluzhina e Skënderajt (dëshmor), Ismet Uka nga fshati Ticë i Skënderajt (dëshmor), Mentor Dërvishaj nga fshati Zabllaç i Burimit (dëshmor), Pal Paluca nga Velezha e Prizrenit, (dëshmor) e të tjerë. Më 30 qershor të vitit 1998, në istikamet e luftës ku rezistonte Zymer Goxhuli dhe shumë luftëtarë të tjerë të lirisë, bien dëshmorë: Xhemajl Mehmeti, Mentor Dërvishaj dhe Ismet Uka. Gjatë ofensivave të verës së vitit 1998, kur e tërë Drenica u gjend nën breshërinë e tërë arsenalit të armëve armike, Zymer Goxhuli me bashkëluftëtarët e tij qëndron i patundur në pikën “Te Shkalla”. Së bashku me djalin e vëllait të tij, Faikun, me kushëririn, Ganiun e të tjerë, merri pjesë në mbrojtje të vijës së zjarrit: Marinë-Rezallë-Makërmal- Palluzhë- Tërstenik.

Duke qenë se popullata civile ishte vënë në rrethim të forcave masakruese serbe, Zymeri me bashkëluftëtarë të tjerë ndihmon në evakuimin e popullatës, e cila nga fshati Makërmal vendoset në malet e Krasmirofcit, në Qyqavicë.

Në tetor të vitit 1998, forcat serbe kishin vënë nën rrethim të hekurt shumë nga pozicionet e luftëtarëve të lirisë, sidomos në fshatrat e Drenicës qendrore. Ato kishin depërtuar deri te lagjja Asllani e Makërmalit. Pika Te Shkalla, e cila ndodhej shumë afër, i sfidoi forcat okupatore serbe. Breshëria e armëve nga të dyja palët ndërluftuese nuk pushoi ditë të tëra. Disa nga luftëtarët e lirisë qëndronin të barrikaduar edhe nëpër shtëpitë e lagjes Goxhuli.

Zymer Goxhuli dhe Isuf Goxhuli kishin marrë përsipër të vëzhgojnë lëvizjet e mundshme të forcave serbe, të cilat qenë pozicionuar dhe po qëndronin në postbllokun e lagjes Asllani. Asokohe Zymeri ishte zëvendëskomandant toge i njësitit që vepronte në pozicionin ”Te Shkalla”, e cila ishte në kuadër të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës.

Më 14 tetor të vitit 1998, Zymeri dhe Jusufi ndodhen duke vëzhguar në pikën e tyre, disa dhjetëra metra larg nga shtëpia e Zymerit. Ndërkohë forcat serbe hetojnë vendin ku po vëzhgonin dy luftëtarët e UÇK-së dhe fillojnë të shtijnë në drejtim të tyre, me breshëri predhash, nga armë të ndryshme. Në luftim e sipër bien në altarin e lirisë, Zymer Goxhuli dhe Jusuf Goxhuli. Trupin e Zymerit, bashkëluftëtarët arrijnë ta tërheqin dhe e varrosin te varrezat e lagjes, ndërsa trupin e Isufit, forcat serbe e marrin dhe e varrosin në një vend te lagjja Asllani, kufoma e të cilit u gjet nëntë muaj më vonë.

Zymeri ka qenë i martuar me Abide Xanin nga fshati Polac. Në jetën e tij bashkëshortore me Abiden, la pas djalin Halimin dhe bijat: Albërinë, Albulenën dhe Hyrijën.

Familjes së dëshmorit Zymer Goxhuli, në nderim dhe respekt të jetës dhe veprës së tij, i ka dhënë mirënjohje Shatabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, Zona Operative e Drenicës, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi komunal i Skënderajt e të tjerë. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …