vala
vipa
muqa 900
Fillimi / Kultura / Zymer U. Neziri: Ibish Neziri, veprimtar i njohur i Lëvizjes Kombëtare, si dhe në fushën e kulturës e të historisë
Ibish Neziri

Zymer U. Neziri: Ibish Neziri, veprimtar i njohur i Lëvizjes Kombëtare, si dhe në fushën e kulturës e të historisë

Fjalë rasti në aktivitetin kulturor ‘Të njihemi me veprën e dushkajasit, Ibish Neziri’, organizuar nga shoqata e krijuesve letrarë, ‘Penat e Dushkajës’ dhe Dega e Gjakovës e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Pallati Kulturës, Gjakovë, më 11.8.2017

Të nderuar të pranishëm,

kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, z. Hydajet Hyseni, drejtues ekzekutiv i kësaj shoqate, z. Meriman Braha, kryetar i Degës së kësaj shoqate në Gjakovë, z. Hyda Dobruna, veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare e luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Rugova, Peja, Dushkaja, Gjakova, Prizreni, Opoja, Drinia, Llapusha, Ferizajt, Prishtina, Dardana, Vitia, të nderuar veprimtarë të njohur dhe shokë të Ibish Nezirit: Ali Lajçi, Binak Dinaj, Bedri Halimi, Bedri Zyberaj, Hasan Ukëhaxhaj, Gani Krasniqi, Nexhmi Lajçi, Pren Marashi, Rexhep Rifati, Xhevat Bislimi, e nderuar familje e Ibishit, kam nderin që sot marr pjesë në këtë aktivitet kushtuar Ibishit, shokut tonë të çmuar, pjesëtar i njohur i Lëvizjes Kombëtare, përgjegjës i Frontit të Kuq në Pejë me rrethinë, i burgosur politik, pajtues i gjaqeve, arsimtar, përkthyes, veprimtar për përgatitjet për luftë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe autor i rëndësishëm në fushën e publicistikës, të kulturës dhe të historisë.

Të nderuar të pranishëm,

unë dua t’i them vetëm dy a tri fjalë për librin e Ibishit kushtuar ‘Shotës’ së Zvicrës, ashtu siç e njohim edhe këtu, edhe në Evropë. Tashmë dihet se ‘Shota’ ishte dhe është vlerë e madhe e etnokulturës sonë, në krye me Agron Bajramin. Është ”Shota” që me programet e saj i nderoi shqiptarët në Zvicër, në Evropën Perëndimore dhe në viset e tjera, kurse Ibishi është autori që mori përsipër një barrë të madhe dhe për ‘Shotën’ krijoi një monografi me rëndësi. Ai shkroi për kërcimet dhe vallet e bukura të ‘Shotës’ që dëshmojnë art, shkathtësi, hijeshi, delirësi, shije, harmoni, elegancë, lirizëm, epizëm, qëndresë, rezistencë, përpjekje për liri, heroizëm. Vepra e Ibishit për ‘Shotën’ është një monument kushtuar kësaj shkolle shqiptare të vallëzimit, shkollë e rëndësishme e ruajtjes së identitetit dhe të rrënjëve tona në mërgatë, në Zvicër.

Falë edhe përpjekjes së Ibishit, ekipi i të rejave dhe i të rinjve të ‘Shotës’, shumica të lindur në mërgim, u paraqit edhe në Festivalin e fundit të Gjirokastrës. Aty lanë mbresa të jashtëzakonshme, po edhe jashtë skenës së festivalit janë pritur me duartokitje në rrugët e këtij qyteti muze, ku shfaqen vlerat më kulmore të trashëgimisë sonë kulturore.

Një përshëndetje kam edhe për Degën e kësaj shoqate në Gjakovë dhe për veprimtarin z. Muhamet Rogova, si dhe për shoqatën e krijuesve letrarë ‘Penat e Dushkajës’, që vjen nga krahina e Ibishit, si dhe për kryetarin e saj, z. Skënder R. Hoxha. Ata kanë meritën që sot jemi bashkë për Ibishin dhe për krijimtarinë e tij të çmuar, në gjashtëdhjetëvjetorin e lindjes së tij në Bardhaniq, në famijlen e madhe dhe bujare, bukëdhënë dhe liridashëse, ku shtegtuan burra të shquar të Lëvizjes Kombëtare edhe ndërmjet dy luftërave botërore, si Demë Ali Pozhari, Mehmet Agë Rashkoci, Ramë Binaku i Dashinocit etj.

Në fund, dua të them se Ibishi nuk ndalet së vepruari, ashtu si përpara, kur shkruante artikuj me interes kombëtar për ‘Zërin e Kosovës’, për gazeta kroate e të tjera, e pas luftës shkroi edhe librat për heronjtë e atdheut, Ahmet Haxhinë e Xhemajl Fetahajn, vepra me peshë për historinë tonë më të re, po edhe tash shkruan, hulumton në biblioteka e arkiva dhe vepron pa pushuar, në Zvicër, bashkë me shokët e idealit: Gani Fetaj, Riza Demaj, Sylë Mujaj, Vaxhid Sejdiu, Xun Çeta, Xhafer Shatri, e të tjerë dhe ruan lidhjet me mësuesin tonë te idealit, Adem Demaçin.

Juve, ju falënderoj për vëmendjen, kurse Ibishit, shëndet dhe suksese të reja në krijimtari!