leoni

Dilaver Goxhai: NATO-ja E VETME NUK MUND TA ÇLIRONTE KOSOVËN

Rajmonda Mojsiu, intervistë me Dilaver Goxhain, ish-zëvendës-shefin e SHP të UÇK-së )

PJESA E PARE

R. Mojsiu: Po citoj titullin e një libri: “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës “, nga Ylli Polovina. Personazhi kryesor Shpëtim Golemi. Ç’ju lidh Ju me këtë libër dhe personazhin e tij?

D. Goxhai: Ylli Polovina nuk më njihte dhe nuk e njihja. Unë kisha lexuar shkrime të tij publicistike, por nuk e njihja personalisht. Një ditë të bukur më thërret në telefon babai i një dëshmori të luftës në Maqedoni, i ati Skerdilajd Llagamit dhe më tregoi se Ylli kërkonte të njihej me mua, i cili po shkruante një libër për djalin e tij. Kështu u lidha më Yllin. Pas disa intervistave me mua, ai kërkoi të më intervistonte edhe më shumë rreth UÇK dhe më në fund vendosi që tregimet e mia t’i botonte libër më vete. Kështu lindi libri “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, ku protagonisti kryesor është Shpëtim Golemi, pseudonimi që unë mbaja gjatë luftës. Më hollësishtë lexuesi e gjen në libër gjithçka rreth meje dhe UÇK-së gjatë periudhës që unë isha në radhët e saj. Qëllimi i autorit është që të njohi opinionin e gjerë shqiptar e të huaj se cilat janë të vërtetat për UÇK-në, e cila është përfoluar në shumë varjante.

R. Moisiu:Kur filluat të krijoni fillimisht në letërsi: në poezi, prozë , tregim apo publicistkë?

D. Goxhai: Fillimisht kam punime të karakterit studimor dhe shkencor-mësimor, sikundër u fola më lartë, kur më emruan pedagog. Më vonë pata studime analitike ushtarake në fushën e armës time rreth luftrave lokale që zhvilloheshin në botë, por gjithmonë në krahun e kundrajrorit dhe aviacionit. E kishim detyrim që çdo vit duhej që pedagogu të përgatiste jo më pak se dy artikuj shkencorë të fushës së tij, të cilat duhej të botoheshin ose në organe shkencore ose t’i dërgoheshin ushtrisë. Këto ishin ngarkesë jashtë ngarkesës së procesit mësimor. Kur isha pedagog duhej tyë jepja jo më pak se 600 orë mësim, ndërsa kur isha shef katedre dhe antar i këshillit shkencor të ushtrisë, duhej të jepja jo më pak se 400 orë mësim në vit, përveç detyrave të tjera. Kjo të detyronte që të shfrytëzoje jo vetëm 8 orarëshin, por të punoj jo më pak se 6 orë pas orarit të punës.
Pastaj erdha deri tek përpilimi i një doktrine, që është kulmi i arritjes së një studjuesi ushtarak për një armë të veçantë.
Pas lirimit nga ushria jam marrë me analiza të luftimeve të ndryshme të historisë së mbrojtjes kundrajrore dhe të aviacionit, por edhe të fushave të tjera të artit ushtarak, deri sa erdha tëk analizat politico-ushtarake për luftën në Kosovë në vitin 1998. Gjajtë luftës në Kosovë hartova: ‘Strategjinë e mundëshme të UÇK-së në kushtet e bashkveprimit me NATO-n”, në dy varjante: edhe në kushtet e veprimit të NATO-s vetëm nga ajri, si dhe atë në kushtet e veprimeve të NATO-s me forca tokësore. Gjithashtu, gjatë asaj lufte, krahas drejtimit të luftimeve të formacineve të UÇK-së, në rolin e koordinuesit midis zonave dhe brigadave si dhe krahas mbajtjes së bashkëveprimit midis UÇK-së dhe NATO-s, bashkveprim i cili ishte i pandërprerë gjatë 24 orëve, hartoja edhe analiza dhe studime për veprimet luftarake të UÇK-së, krahas komunikatave ditore për tërë ushtrinë, të cilat i nisja për botim në shtypin ushtarak të Tiranës, ku një pjesë e tyre botoheshin, një pjesë i ruante për vete gazetari i ushtrisë, Afrim Imaj, dhe i ka botuar me emrin e tij në një vëllim të veçantë për luftën në Kosovë. Fatkeqësishtë, aty nga fundi i luftës, në rrethana që kurrë nuk e morra vesh, më humbi çanta e luftës dhe nuk i kam të gjitha dorëshkrimet. Është një humbje e madhe. Madje edhe ato që më janë botuar janë botuar me shkurtime jashtëzakonisht të dhimbëshme. Por nuk kam ç’t’i bëj. Cmira dhe xhelozia si dhe etja për lavdi, kur atë nuk e meriton, janë veset më të këqija të njeriut.
Përsa i përket librit “UÇK dhe Kadare” jam munduar të nxjerr në pah veprimtarinë e UÇK dhe kontributin e saj të pallogaritshëm për çlirimin e Kosovës, duke dalë në përfundimin se as UÇK-ja e vetme dhe as NATO-ja e vetme nuk mund ta çlironin Kosovën, duhej bashkveprimi luftarak midis tyre që të arrihej ajo fitore. Fatkeqësia është se shtetet pjesmarrëse në NATO dhe ajo vetë e mohuan atë bashkëveprim të domosdoshëm me UÇK-në.

Cilat mund të jenë arsyet e këtij mohimi dhe pse duhej të behej një gjë e tillë? Më duket si diçka e pabesueshme, pavarësishtë se ju tek libri “UÇK dhe Kadare” e trajtoni shkurt, madje duke cituar edhe disa vargje të Kadaresë për Laokontin e Luftës së Trojës.

Menjëherë porsa mbaroi lufta dhe sëbashku me trupat e NATO-s në Kosovë erdhën dhe udhëheqësit e saj politikë e ushtarakë, një pyetje e ngjashme më këtë, u është bërë edhe atyre nga gazetarët vendas. Çudia është se të gjithë ata politikanë të NATO-s, që i kanë kthyer përgjigje kësaj çështjeje, kanë qenë në akordancë, duke u shprehur afërsishtë: Nuk e njihnim dhe ende nuk e dimë se cila ishte ideologjia dhe botkuptimi i UÇK-së. Por unë mendoj se një nga arsyet e mëdha, për mos të thënë kryesorja, pse ishte paraparë qysh herët që UÇK-ja të shkrihej menjëherë pas lufte, madje edhe në Rambuje dhe jo vetëm në Rezolutën 1244 të OKB-së, ishte dhe është se: Fitorja e UÇK-së ata i trembte se mos ajo fitore trajtohej si një fitore tjetër islamike kundër një force jo-islamike, madje kundër një force ateiste, sikundër ishte në atë kohë ushtria e Sërbisë.
E them këtë pasi edhe humbja e ish Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitet ’80-të, e cila solli edhe shpërbërjen e tij, nga historia ushtarake nuk është konsideruar si fitore afgane, por si një fitore islamike kundër një supërfuqie jo-islamike, e për më tepër kundër një ushtrie ateiste. Këtë gjë e pranojnë gjithë analistët civilë e ushtarakë të botës. Ja se si shprehet amerikani George Friedman në librin e tij “America’s secret ëar”, botim i vitit 2004: “Eksperienca në Afganistan do të shihej si një ngjarje kyçe në historinë e Islamit… Lufta e Afganistanit ishte e para luftë në shekuj, ku një forcë islamike kish mundur një forcë jo-islamike. Forca sovjetike nuk ishte vetëm jo-islamike por edhe ateiste. Ajo nuk ishte thjeshtë një vend a një shtet i zakonshëm, por një superfuqi. Ajo nuk ishte thjeshtë një superfuqi, por një superfuqi që u shëmb pas disfatës. Më e rëndësishmja është se kjo u pa si një fitore Islamike më tepër se një fitore afgane. Ushtarët që mundën Bashkimin Sovjetik ishin forca multinacionale të luftëtarëve islamikë, të paktën pjesërishtë, dhe sigurisht u bë një legjendë islamike. Paratë që u paguan për luftën ishin tërhequr prej vendeve islamike. Ideja u shndërua se luftëtarët islamikë i dhanë fitoren e tyre Amerikës kundër Sovjetikëve”, pavarësishtë se amerikanët nuk ishin pjesmarrës të drejtëpërdrejtë në atë luftë. Pra kësaj frike iu frikësuan jo vetëm europjanët por edhe Amerika, se mos edhe lufta e UÇK-së të mund të trajtohej si fitore islamike, pasi edhe në Bosnjë lufta kish përfunduar në favor të boshnjakëve islamikë, aq më shumë që lufta e tyre pat marrë ngjyra islamike ndërkombëtare, pasi patën ardhur vullnetarë nga shumë nacionalitete islamike. Edhe luftën në Bosnjë ishin amerikanët që i dhanë fund, pasi Evropa duke qenë se vriteshin muslimanët bënte sikur interesohej të ndalej lufta. Mirëpo edhe në Kosovë pjestarët e UÇK-së ishin pothuajse qindpërqind të besimit islam, me përjashtim të disa individëve që ishin katolikë të Kosovës. Edhe vullnetarët nga shteti amë dhe trevat e tjera shqiptare në Ballkan, si dhe ata që erdhën nga diaspora shqiptare, ishin qindpërqind të bësimit islam, asnjë i krishter. Të gjitha këto e trëmbën Evropën por edhe Amerikën se mos lufta e jonë merrte ngjyrimet e një fitore të islamikve kundër të krishterëve, edhe pse Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së qysh në fillim të luftës nuk i kish pranuar një grup luftëtarësh vullnetarë nga vendet islamike që patën marrë pjesë në luftën e Bosnjës, dhe këtë NATO-ja e dinte shumë mirë.Kësaj imagjinate të pabazë i vinte në ndihmë edhe propaganda e Rugovës dhe e partisë së tij me qëllimin e vetëm që bota demokratike të mos e përkrahtë UÇK-në, duke botuar madje në gazetën e tyre “Rilindja” edhe një emblemë të rreme të UÇK-së me betim ndaj Allahut. Madje Rugova, edhe kur lufta mbaroi, vuri kusht se nuk kthehej në Kosovë pa u çarmatosur edhe ushtari i fundit i UÇK-së. Gjithashtu, disa vite më pare ai e pat deklaruar hapur se ishte konvertuar në katolik, ndaj dhe shishen me uiski nuk e ndante nga tavolina, si shenjë përforcimi të atij konvertimi.
Ashtu si në Afganistan, ku SHBA u panë si një forcë drejtuese në organizimin e rezistencës dhe ku pa SHBA, sovjetikët do t’ kishin mundur muxhahedinët, pavarësishtë se amerikanët nuk u thanë as edhe një fjalë vullnetarëve islamikë, edhe në Kosovë, në rast se UÇK-ja do të ishte ruajtur e paprekur, SHBA i trembeshin faktit se mund të akuzoheshin nga Evropa dhe e gjithë bota jo-islame se ishte ajo që e organizoi dhe e furnizoi UÇK-në. Megjithëse për luftëtarët e UÇK-së përkrahja diplomatike amerikane dhe ajo nëpërmjet NATO-s kish qenë e rëndësishme, është fakt që amerikanët nuk i dhanë UÇK-së as edhe një mendim. Edhe në luftën tonë amerikanët, njësoj si dhe në luftrat e tjera në Afganistan e Bosnjë, ishin të paparashikueshëm në formën e aleancave, duke pretenduar pa ndonjë bazë se luftëtarët e UÇK-së do të mund të përbënin një marrëveshje me SHBA, ndërkohë që ajo ishte e para që ishte për shpërbërjen e UÇK-së. Ky ishte çelësi i ndarjes. Pra, këto janë dy nga arsyet më kryesore: që lufta e jonë dhe UÇK-ja të mos quheshin fitore islamike dhe që SHBA të mos akuzoheshin se kishin bërë aleancë me UÇK-në “islamike” për ta shfrytëzuar më tej në Kosovën Lindore, në Maqedoni dhe Mal të Zi. SHBA ishin këmbëngulësit kryesorë që UÇK të shkrihej, dhe këtë e paramenduan qysh në projektmarrëveshjen para Rambujesë. Madje për këtë pikë u prishën me Adem Demaçin…

Kanë thënë për Dilaver Goxhajn….alias Shpëtim Golemi…

Kanë thënë e ç’nuk kanë thënë; kanë thënë se bëri heroizëm; kanë thënë se vajti për para; kanë thënë se luftoi si mercenar; kanë thënë se ishte i dërguar i Fatos Nanos; kanë thënë se ishte i dërguar i komunistave; kanë thënë se ishte i dërguar i “komiteteve rebele” të vitit 1997; kanë thënë se ishte i serbëve; kanë thënë se ishte i grekërve, e plot e plot të jera. Madje Hashim Thaçi e kompani kanë thënë se pas lufte përgatiste dhe përgatit grupe terroriste në Kosovë, për këtë i kanë dërguar edhe informacion me shkrim UNMIK-ut dhe KFOR-it, të cilat janë botuar edhe në shtypin e Kosovës. Plot kanë thënë e plot do të thonë. Por ka edhe nga ata që kanë ditur ta vlerësojnë punën time. Një nga ata është shkrimtari shumë i talentuar, mjaft i ëmbël në të lexuar, Ylli Polovina, që druhem të them ato që ai meriton sepse do të thonë se e bëj për servilizëm. I jam shumë mirënjohës.

A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde që ja sheh gjurmët edhe sot?

Po, ka. Një nga ato është vajtja ime dhe e djalit tim në luftë, në Kosovë dhe Preshevë. Pas asaj më dëbuan nga Kosova, më burgosën djalin, më hoqën gruan nga puna shtetërore, nuk donin të më diplomonin vajzën, mua nuk më pranojnë në punë as edhe një dikaster shtetëror, ashtu edhe djalin, por, përkundrazi, më bëjnë provokime nga më të ndryshmet, si e si të më njollosin, mua dhe djalin, që nesër të thonë: ja kush ishin ata që shkuan në luftë në Kosovë…

Cilat janë marrdhëniet me fëmijët Tuaj. Sa ju mbështetën bashkëshortja dhe fëmijët kur ju ju bashkuat UCK-së?

Mardhëniet e mia familjare janë të mrekullueshme, secili e ndjen veten të barabartë midis të barabartëve. Gruaja nuk e morri vesh se unë do të shkoja në luftë. Kur e mësoi u rrebelua disa ditë dhe pastaj unë e morra në telefon. Më vonë më mbështeti në çdo kërkesë që unë u bëja. Djali dhe vajza më mbështetën kur e mësuan se isha në luftë, me gjithçka. Grumbullonin lajmet nga disa gjuhë të huaja dhe ato shqip, m’i sistemonin dhe në ora 02.00 të çdo dite m’i dërgonin në faks ose m’i lexonin dhe unë i regjistroja në manjetofon, të cilat i shfrytëzoja për komunikatën ditore të mëngjezit për ushtrinë tonë çlirimtare. Gjithashtu, kur na bllokohesh dërgimi i fakseve për bashkveprimin me NATO-n në të gjitha pikat e kontaktit me atë, faksin e nisja në shtëpi dhe djali ua jepte amerikanëve, me të cilët punoi prej 29 marsit 1999 deri në fund të luftës, dhe ata ia trasmetonin aviacionit të NATO-s që të godiste objektivat. Bashkëshortja ime dhe vajza shkonin dhe merrnin familjet e bashkëluftëtarëve të mi kosovarë dhe i sistemonin natën e parë në shtëpinë tonë, derisa u gjenin një strehim tjetër. 18 familje kanë sistemuar në këtë mënyrë. Më vonë djali erdhi edhe vetë në luftë në Kosovë e më vonë shkoi në Kosovën Lindore, por me thënë të vërtetën, unë nuk dëshiroja ta lija, por nuk më dëgjoi.

Çfarë ju lidh me “Heroin e Popullit”, Xheladin Beqiri-Karadaku? Besën dhe amanetin e tij, ju e realizuat. Ç’mund të na thoni për këtë?

Unë për Xheladin Beqirin, i njohur gjatë luftës NÇl me emrin Karadaku, pata lexuar dikur një monografi të shkurtër për jetën e tij dhe dija gjithçka rreth tij. Në 25 korrik të vitit 1999, një muaj pasi kish mbaruar lufta në Kosovë, isha i ftuar nga komuna e Vitisë të merrja pjesë në mitingun madhështor që ajo organizonte në fshatin Tërpezë të krahinës së Karadakut, me rastin e kthimit në Atdhe pas 54 vjetësh të patriotit të madh Hysen Tërpezës. Unë mbrita me vonesë në miting, kishin folur dy-tre persona. Me të mbritur në tribunë, menjëherë njoftuan publikun se do t’i përshëndeste koloneli nga Shqipëria, ku ishte mbledhur gjithë krahina, mbi 15 mijë njerëz, ndoshta edhe më shumë. Ishte mitingu i parë i pasluftës. Ishte dhe hera e parë që une ftohesha të flisja në një grumbullim të tillë. Nuk dija ç’të flisja, isha i papergatitur, pasi atë ditë më njoftuan se do të isha i vetëm, si përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. Mirëpo prezantuesi foli fjalë shumë të larta për mua dhe më vuri në pozitë të vështirë. Që të zhvleftësoja sado pak ato lavdërime që u thanë për mua, menjëherë më shkoi mendja që unë ndodhesha në krahinën e Xheladin Beqirit dhe vendosa të flisja për të, dhe, midis të tjerash, thashë: “Faleminderit parafolësit që tha ato fjalë aq të mira për mua, por unë nuk kam bërë ndonjë gjë të veçantë, vetëm se i kam kthyer borxhin një djalit të krahinës tuaj. Do të thoni ju se cili është ai? Ai është Xheladin Beqiri, i cili në kohën e regjimit të Zogut qe larguar nga Kosova për të mos e arrestuar serbët për një vrasje të një xhandari, që e kish rrahur. Pat ardhur në Labërinë time, në Kurvelesh. Kur filloi lufta jonë nacionalçlirimtare ai ishte ndër të parët që u rreshtua në radhët e çetës së Kurveleshit, çeta e dytë në Shqipëri, pas asaj të Pezës, bashkë me babanë tim. Në luftën për mbrojtjen e Kongresit të Përmetit ai u vra bashkë me një nga dajot e mi që ishin partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese Shqiptare. Është i pari Hero i Popullit i shpalluar në Shqipëri pas asaj lufte. Kështu që unë nuk kam bërë asgjë, vetëm se i ktheva borxhin djalit të krahinës tuaj, Xheladin Beqirit, i cili mbante për pseudonim emrin e krahinës nga ai ishte: Karadaku”. Ky ishte edhe fjalimi im, i cili u prit me duartrokitje të pafundme, ndërsa patrioti Hysen Tërpeza qante dhe nuk më shqitej nga kraharori.Të nesermen e pasqyruan edhe gazetat. Mirëpo, sa xhelozë u bënë ca të tjerë!

Keni lindur në Gjirokastër, sot jetoni në Tiranë. Sa jeni sot të lidhur me Kosovën, me çështjen kombëtare, si një kontribues në Pavarësinë e Kosovës?

Më vjen keq që ma bën këtë pyetje, por unë hyj në të harruarit, si dhe gjithë shokët e mi bashkëvullnetarë e bashkëluftëtarë. Nuk e di në se i keni lexuar vargjet e poetit Ali Asllani? Po ua citoj: “Ç’do të thotë patriot, / Sot për sot në Shqipëri? / Një tufë Ah.. e një tufë lot. / Një njeri i pa njeri.” Kjo është ligjësia shqiptare për patriotët dhe më vjen keq që nuk e dini. Unë e kam ditur para se të shkoja në luftë, por ja që s’më la shpirti idealist shqiptar. Ky shpirt më detyron që herë pas here të marr penën e të trajtoj probleme të çështjes kombëtare apo të politikës shqiptare.

Diçka që doni të shtoni për krijimet Tuaja në të ardhmen?

Kam disa libra në duar, ku një ose dy pothuajse i kam përfunduar. Shumica për luftën në Kosovë. Edhe poezitë dhe tregimet përgjithësishtë rreth asaj lufte janë. Vazhdoj të grumbulloj materiale dhe të punoj

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …