Dilaver Goxhaj: Ç’ tregon dorëheqja e Sabit Brokës?

 


Në ditën e fundit të muajit janar, që porsa lamë prapa, në Parlamentin shqiptar ndodhi një ndodhi e panjohur në Shqipëri, gati në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Një deputet i njohur dhe me reputacion, një intelektual i respektuar nga shumica e shqiptarëve me profesion mjek, profesor-doktor i shkencave mjekësore, Sabit Broka, dorëzoi me vullnet të plotë mandatin e deputetit. Ai këtë akt madhor, dorzimin e mandatit të deputetit, e kreu para gjithë deputetëve të mbledhur në Kuvendin Shqiptar, ku motivi kryesor i dorëzimit të atij mandati ishte: “E dorzoj mandatin e deputetit pasi kemi 17 vite që e kemi gënjyer e zhgënjyer këtë popull dhe nuk shoh as edhe një dritë jeshile se mund ta nxjerrim nga bataku ku ne, politikanët, e kemi çuar Shqipërinë”. Deklarata e tij, deputetëve të tjerë u erdhi si një mandatë për ta, ndaj dhe atyre iu duk se i zuri tavani godinës së Parlamentit nën vete. Kjo u duk te heshtja e varrit që ra në atë sallë, por pas një pause e morën veten dhe duartrokitën ndershmërinë e këtij deputeti, i cili, në konferencën e shtypit që dha më vonë, në selinë e partisë ku bënte pjesë si deputet, shpjegoi se e u afrohet shtresës së idealistëve.
Ndoshta nga që shumë të njohur të tij jo politikanë janë idealistë dhe nga bisedat dhe pyetjet e vështira të tyre ai shpesh është vënë në pozitë të vështirë, duke i pranuar vrejtjet e tyre si të mirëqëna, si rjedhojë e pandershmërisë dhe papërgjegjshmërisë së politikës dhe politikanëve shqiptarë të të gjithë krahëve.
Kur ne qytetarët ndoqëm atë lajm sensacional, u gëzuam pamasë në momentin kur deputetët e pranishëm në sallë duartrokitën aktin e tij. Pse u gëzuam? Sepse menduam se edhe deputetët e tjerë do të ngriheshin njeri pas tjetrit dhe do ndiqnin shembullin e z. Sabit e, në këtë mënyrë, Shqipëria do të shpëtonte nga çetat e hajdutëve që sot kanë emër modern, …. .
Por kur kronika televizive vazhdoi të pasqyronte kënaqësinë e deputetit tjetër të LSI-së, tërë gëzim e kënaqësi, të cilën edhe pse bënte përpjekje ta frenonte nuk e frenonte dot, i cili do t’i zerë karrigen në Parlament Sabit Brokës; dhe kur nuk pamë as edhe një deputet që të imitonte aktin e tij të lartë moral, u zgënjyem, si dhe herët e tjera.
Me të drejtë atë mbrëmje në “haberet e darkës” që jep një stacion televiziv i Tiranës, pasi dha deklaratën e zotit Sabit Broka, në komentin e vet tha: “Sa mirë do të ishte sikur të kishin dhënë dorëheqjen të gjithë deputetët e tjerë dhe ta nxirrnin Shqipërinë nga 17-ta”.
Ky është opinion i gjithë shqiptarëve jomilitantë të partive por militantë të Shqipërisë. Por vetëm ish-deputeti Sabit Broka guxoi ta shprehte hapur këtë, ndërsa të gjithë ata deputetë që kanë qenë dhe janë deputetë, kur hartuan ligjin për zgjedhjet parlamentare, madje edhe në këtë të riun që trumbetojnë e mashtrojnë edhe Evropën dhe Amerikën se do ta bëjnë të shkëlqyer (kështu janë shprehur edhe për ligjet e tjera, prandaj dhe populli nuk i beson), do ta shkruajnë me gërma të mëdha se votimet janë të vlefshme edhe në se dalin në votimet vetëm familjarët e deputetëve.
Madje, bazuar në deklaratat e bashkëkryetarëve të komisionit për ligjin zgjedhor kemi kuptuar që do të lejojnë edhe deputetët me listë, taktikë hileqare kjo qysh në Romën e lashtë.
Këtë taktikë e imponoi Berisha qysh në vitin 1997, kur e kish të sigurtë se nuk merrte më shumë se 5 deputetë. Kjo taktikë u pëlqeu e u pëlqen gjithë kryetarëve të partive shqiptare sepse në listë vendosin ata persona që i kanë besnikë të verbër personalë të tyre, kamikaxe, ndërsa për Shqipërinë as që i ha merraku. Sa më shumë kamikaxe të kenë, aq më të sigurta i kanë pozitat personale.

Kjo ndodh se kuvendi i Shqipërisë nuk ka qënë kurrë kuvend i burrave, sipas traditës shqiptare, por ka qenë dhe është një “lloj mbledhje, e cila drejtohet nga ai që ka shkopin në dorë”, sikundër shprehet një shkrimtar. Ka patur edhe karagjoza që kanë bërë ndonjë spektakël, por jo burra. Se po të kishte burra nuk do guxonte ish-kryeministri Meta të tregonte trimëri ndaj një femre, duke rrëmbyer e shkulur karrike e vazo lulesh; po të kishte burra nuk do të ndodhte që kryeministri shqiptar t’i thoshte në parlament deputetit, i cili flet në emër të 30 mijë shqiptarëve: “ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca” dhe, që asnjë televizor gjatë ritrasmetimeve të lajmeve nuk guxoi ta përsëriste këtë thënie dhe skenë gjëmëzezë të keyeministrit; po të qe se parlamenti shqiptar do të përbëhej nga burra, atë ditë kryeministri shqiptar duhej të jepte dorëheqjen me hir a me pahir. Për këto arsye dorzimi i mandatit të deputetit nga Sabit Broka përbën një ngjarje të rallë në politikën shqiptare.

A doni ta kuptoni se ai akt përbën një evolucion në politikën shqiptare?
Quajeni atë përparim; “dhe a doni ta kuptoni ç’është përparimi? Quajeni atë e nesërmja. E nësërmja bën në mënyrë të pandalshme punën e vet dhe e bën qysh sot. Ajo ia arrin gjithmonë qëllimit në mënyrë të çuditëshme”, thotë Viktor Hygo.
Ai akt i Sabit Brokës na thotë se e nesërmja duhet të jetë pa këta deputetë. Ajo e nesërme e përdor Sabit Brokën që nesër e tutje në kuvendin e Shqipërisë të vinë burra idealistë si Fan Noli demokrat. Kështu vepron përparimi. Për përparimin nuk ka asgjë që mos të bëhet, sepse burrat idealistë kur shkojnë në kuvendin e burrave nuk shkojnë për të marrë nga pushteti dhe populli, por për t’i dhënë popullit. Ndaj dhe përparimi është i pandalshëm.
Sabit Broka i dha sinjalin popullit, që ai t’i thotë : “Ndal!” erësisërës ku po na çojnë lepurakët e parlamentit shqiptar, të cilët këta 17 vite nuk e ngopën popullin as me ujë e jo më me bukë. Duke kryer atë akt Sabit Broka u tha numurorëve në parlament: ejani t’i presim rrugën shkatërrimit të Shqipërisë. Duke dhënë dorëheqjen nga mandate i deputetit, Sabi Broka u tha dorëngritësve të kartonave në parlament: Ejani të largohemi pasi u erdhi radha idealistëve mendimtarë. Dorëheqja e Sabit Brokës dhe largimi i tij nga parlamenti, u tha kukullave ekzistuese në parlament: Në ligjin e ri për zgjedhjet që do të hartoni e miratoni shtoni një nen të veantë, ku trë shkruhet: Nuk ka të drejtë as edhe një ish-deputet apo deputet aktual, të këtyre 17 viteve, të kandidojë për zgjedhjet e ardhëshme.
Në rast se nuk vendoset ky nen, shqipëtarë, jini të sigurtë se në Shqipëri do të kemi fitore të kobëshme, do të mundet liria.

Në rast se nuk vendoset një nen i tillë në ligjin e ardhëshëm zgjedhor, do të kemi një akt kundërdemokracisë së vërtetë. Kuptohet që një nen i tillë duhet të vendoset kundër vullnetit të deputetëve aktualë. Në rast se vendoset një nen i tillë, bajraktarët dhe hajdutët do të zbresin nga kali dhe në kalë do të hypi liria, e cila deri tashti nuk është njohur në Shqipëri prej ditës që është shpallur shteti shqiptar. Në rast se do të vendoset një nen i tillë në ligjin zgjedhor, do të thotë se vetëm atëherë merr fund diktatura në Shqipëri, pavarësishtë se shpresat janë të vogla, kjo u dukë qysh të nesërmen e aktit të Sabit Brokës që tërë medjat shqiptare e anashkaluan sikur nuk kish ndodhur gjë, që do të thotë se tërë medjat në Shqipëri drejtohen nga mafiozët e politikës 17-vjeçare.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …