leoni

Dilaver Goxhaj: E drejta zakonore e Lunxhërisë

(Refleksione për librin “Dasma Lunxhote”, autor Koço Vasili, Sh.B. “Argjiro”, Gjirokastër, (faqe 2013, 262)

 

Libri “Dasma Lunxhote”, krahas vlerave të tjera që nxjerrin në pah reçezentët Bardhosh Gaçe, Afërdita Onuzi, Thanas Dino dhe studjuesi Fitim Çaushi, që e shoqërojnë këtë studim, unë do të thoshja se ky libër është një prurje e re në të Drejtën Zakonore Shqiptare, pavarësisht se është i përqëndruar tek martesat dhe dasmat në Lunxhëri. Pra, Koço Vasili, edhe pse  nuk është jurist as studjues i asaj fushe, por thjesht një pedagog i letërsisë dhe apasionant i folklorit tonë, ai me këtë studim ka dalë nga fusha e tij, madje edhe nga ajo e  etnofolkloristit dhe merret me të drejtën zakonore shqiptare, në një nga krahinat e vogla të Shqipërisë së Jugut, Lunxhëri, e cila shtrihet përballë qytetit të Gjirokstrës.

Kushdo që ka lexuar Kanunin e Lekë Dukagjinit, që ndryshe quhet edhe kanuni i Maleve, si dhe Kanunin e Labërisë, ose Kanuni i Malësisë së Jugut, kur mbaron së lexuar librin “Dasma Lunxhote” me të drejtë mund të dalë në përfundimin se Koço Vasili ka bërë të njëjtën punë që ka bërë dikur At Shtjefën Gjeçovi apo Pr.Dr. Ismet Elezi. Por me një ndryshim rrënjësor nga këta dy studjues famozë: Koço Vasili e trajton të drejtën zakonore të martesës dhe dasmën vetëm për krahinën e Lunxhërisë, duke e gërshetuar atë me historinë e atyre riteve dhe ceremonive, prej shkuesisë dhe fejesës, lidhjes së krushqisë, ndërimit të nishaneve, ceremoninë e dasmës dhe deri tek “të shkelurat”, duke e trajtuar çdo lloj veprimi me këngët që këndohen në secilin moment të tyre, sado i parëndësishëm në dukje. Dhe janë jo pak, por 374 këngë, një antologji e tërë, duke i ilustruar ato edhe me shembuj të njerëzve realë dhe fise konkretë, në periudha të ndryshme kohore; dhe,ajo që është edhe më e rendësishme, autori na jep edhe veçoritë e kësaj të drejte zakonore, kur dasmën e bënin familjet e kamura, të mesme dhe të varfëra. Dhe ajo çka të bën më shumë përshtypje është se Koço Vasili duke mos qenë jurist dhe duke jetuar e punuar tërë jetën e tij në fshatrat e Lunxhërisë si mësimdhënës i letërsisë, nuk e ka parë të nevojshme të hulumtoi dhe studjoi mbi të drejtën zakonore shqiptare, qoftë edhe vetëm për martesën dhe dasmën, pasi është familjarizuar thellësisht me këto zakone e tradita. Kjo edhe për vetë faktin që nëna e tij ka qenë një enciklopedi më vete për këto lloj të drejta zakonore. Mirëpo kjo “neglizhencë” e tij, (a si ta quajmë ndryshe), ndaj të drejtës së hershme zakonore shqiptare në tërësi , i ka sjellë një shërbim të madh historisë së saj, pasi kemi një studim të “izoluar” prej studimeve të këtij karakteri. Kjo punë e tij e “izoluar” nga ata dy kanunet e malësive tona të Jugut e të Veriut, na ka dhënë një fakt tjetër shumë domethënës, ku na vërtetohet se martesa dhe dasma lunxhote është tipike me atë të Labërisë, pavarësisht nga disa veçori unikale të saj që, nëse autori do të qe munduar të bënte një studim për të nxjerrë në pah se ku qëndronin veçoritë dalluese midis martesës e dasmës labe dhe asaj lunxhote, vështirë se do të na e kish dhënë në mënyrë kaq brilante dhe kaq artistikisht, me hollësira e imtësira që nuk mund t’i gjesh në asnjë studim të deritanishëm të këtij lloji, madje as edhe tek studimi i specialistit të folklorit Ramazan  Bogdanit, edhe pse ai merret tërësisht me dasmën Lunxhote, duke qenë një studim mjaft voluminoz e serioz.  Pse e thashë këtë gjë? E them se, ashtu sikundër ka thënë dikur Eqerem Vlora: “Shumica e lexuesve, nuk dinë fare që në Shqipërinë e Jugës ka qenë (deri dje) në veprim një “ligj i zakonit” ndërmjet popullatave malore të Labërisë, të Toskërisë dhe të Çamërisë…”, kështu edhe në Lunxhëri nuk e kanë ditur që ceremonitë dhe ritualet e martesave dhe dasmave të tyre bazoheshin në një “ligj’, që Koço Vasili na e ka mbledhur si bleta mjaltin, e sistemuar dhe dhënë me një gjuhë sa të pasur aq edhe artistikisht. Shpesh në Lunxhëri thuhej se  këto janë thjesht  “adete” dhe kaq. Mirëpo ja që nuk na paska qenë kështu.

 Rëndësia e këtij studimi të pavarur prej Koço Vasilit qëndron edhe për faktin se na tregon që edhe pse krahina e Lunxhërisë nuk ka qenë kurrë një krahinë autonome, sikundër kanë qenë Kurveleshi, Himara, Mirdidita, Malësi e Madhe, etj., e drejta zakonore në Lunxhëri, për martesën dhe dasmën, është ruajtur me besnikëri nga populli i kësaj krahine, edhe pse të pushtuar pesë shekujt e fundit nga otomanët, pavarësisht se në këngët dhe fjalorin e mjeteve të punës për këto aktivitete gjejmë edhe fjalë turke, por edhe ato janë përshtatur me shumë kujdes e lezet, sikundër është edhe vetë martesa dhe dasma Lunxhote.

Po të krahasojmë 65 Nenet e Kanunit të Labërisë, ku trajtohet martesa dhe dasma labe, me librin e Koço Vasilit, del se e drejta zakonore lunxhote për martesën dhe dasmën është pjesë përbërëse dhe varjant i këtij kanuni. Bazuar në këtë konstatim befasues, më jepet e drejta të them se është e drejtë edhe teza që e përmendin shumë studjues e historianë të mesjetës e të lashtësisë shqiptare se, Lunxhëria dikur përfshihej dhe ishte pjesë përbërëse e Labërisë, si dhe Zagoria, gjë që i përforcon edhe ato pak dokumenta që ne disponojmë në këtë drejtim. Dhe këtë e bën fakti që Koço Vasilit as i ka shkuar mendia se po studjonte të drejtën zakonore shqiptare, por thjeshtë një ceremoni martesore dhe dasmën e krahinës së tij,, thjesht si aspekte të folklorit tonë. Këtu qëndron një nga vlerat më të mëdha të këtij studimi që Koço Vasili i  jep shkencës shqiptare, duke e përforcuar faktin se vetëm ndërimi i fesë nga të krishterë në muslimanë, në trevat ku ne sot i quajmë Labëri, ka sjellë edhe atë që shumë dashakeqë në mesin tonë e shfrytëzojnë dhe këmbëngulin që Lunxhërinë të mos e quajnë Labëri, tezë e cila përkrahet dhe pompohet edhe nga shovinistët tanë fqinjë, edhe pse veshja dhe kënga, si në Labërinë e sotme ashtu edhe në Lunxhëri, ka qenë dhe është ende e njëjtë, gjë që “duken që nga avjoni”, sikundër thuhet në zhargonin e përditshëm popullor për diçka shumë të dukshme.

Por, duke e hedhur shikimin edhe më tej dhe duke e krahasuar studimin e Koço Vasilit edhe me 11 Nenet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, për këto probleme që trajtohen në librin “Dasma Lunxhote”, kemi të drejtën të dalim në një përfundim edhe më të gjerë se, kjo e drejtë zakonore lunxhote për martesën dhe dasmën është pjesë përbërëse dhe varjant i kanunit popullor mbarë shqiptar, i bazuar në filozofinë e vetëqeverisjes vendore shqiptare.

Parë në këtë këndvështrim filozofik, duke patur parasysh dhe shtrirjen gjeografike të Lunxhërisë, botimi i librit “Dasma Lunxhote”, paraqet rëndësi  historike, etnokulturore, juridike dhe kombëtare. Ky lloj ligji për martesën dhe dasmën lunxhote, që na jepet përmes këtij libri, tregon se edhe popullsia e Lunxhërisë, nuk mund ta gjente kurrë këtë të drejtë zakonore në ligjet e shteteve të huaja pushtues, por ajo përshtati këto ligje të së drejtës kanunore shqiptare dhe etoi me të drejtën zakonore të saj, me këto ligjet të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi nga të parët tanë; një lloj filozofie, ku edhe kësaj të drejte i qëndrojnë si kurorë fjalët e Edith Durhamit kur ajo vlerëson rëndësinë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, duke thënë: “Kjo filozofi e ligjit qëndron edhe mbi “dhjetë urdhërat e zotit” ”.

Bazuar në mënyrën se si e ka sistemuar dhe konceptuar Koçua këtë libër si dhe në mënyrën se si ai përshkruan çdo hap që hidhet sipas radhës së veprimeve në tërë atë aktivitet njëvjeçar, mund të themi pa frikë se ky libër është tamam një manual apo një doracak për çdo familje shqiptare, i cili të udhëzon se si duhet vepruar në çdo moment, madje duke na dhënë edhe shprehjet, urimet, batutat dhe përshëndetjet që përdoren në çdo moment nga të dy palët, (e djalit dhe e vajzës), ku shumica e tyre perms këngëve, një manual i vlefshëm jo vetëm për historinë, por edhe për martesat dhe dasmat e sotme e atyre në të ardhmen e pafundme, pasi shumica e këtyre riteve dhe ceremonive përdoren edhe sot, kur bëhet fjalë për martesa serioze.

Duke qenë se autori është përpjekur dhe përqëndruar të na japi me hollësi gjithçka që përdorej në të kaluarën e hershme për këtë lloj ligji, ka rënë në një lapsus disi të dëmshëm për studimin që ai ka bërë: gjithçka e trajton në kohën e shkuar! Mirëpo, duke e trajtuar në kohën e shkuar, gabimisht i jep mundësinë lexuaesit të dali në përfundimin sikur këto të drejta zakonore nuk përdoren më. Ndoshta këtu autori është ndikuar nga dasmat e sotme qytetëse dhe harron që tradita ruhet në fshat, i cili, duke pasur një popullsi homogjene dhe pak a shumë të izoluar, është shumë më konservatore se popullsia moderne qytetëse.

Koço Vasili, duke e shoqëruar këtë të drejtë zakonore me shembuj realë dhe me këngët përkatësse, i jep këtij libri edhe përmbajtjen e një vepre historiko-shkencore. Madje ky punim do të merrte pamjen e plotë të një vepre shkencore nëse Koço Vasili do ta shoqëronte edhe me fjalorthin e termave të vjetra dhe krahinore që ai përdor, të cilat nuk i gjen në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, dhe që arrijnë në mbi 200 të tilla, një pasuri e jashzakonshme kombëtare. Nëse nuk do të ekzistonin barjerat burokratike, xhelozitë dhe cinizmi intelektual, Koço Vasili, për këtë punë të pastër studimore jam i sigurt se do të shpërblehej me gradë shkencore.

 

Tiranë, 12.02.2014

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …