Dilaver Goxhaj: Evropa po i bie në gjunjë Serbisë!

Ditët e fundit mësuam se Këshilli i Evropës vendosi që qytetarët e Sërbisë, duke filluar nga muaji shkurt, mund të lëvizin nëpër vendet e Bashkimit Europjan pa viza. Ky vendim u mor një javë pasi Maqedonia shpalli vënien në zbatim të regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe më vonë, (sikundër u shprehën fillimishtë zëdhënësat e qeveritarëve maqedonas), edhe shqiptarët e Kosovës, kur ajo të shpall pavarësinë. 
Pavarësishtë nga lëvizjet dhe deklaratat politike e diplomatike që u bënë e po bëhen nga Tirana dhe ambasadori i BE-së në Shkup, pas atij njoftimi publik, por vendimi i ditëve të fundit i KE-së tregon se edhe Maqedonia nuk ka vepruar në kokë të saj. Diçka po bëhet. Në të mirë apo në dëm të shqiptarëve, këtë do ta vërtetojë koha, por shenjat tregojnë se po dalin gjithnjë e më shumë re të zeza për shqiptarët. 
Cilido qytetar i Evropës, që ka ndjekur sado pak ngjarjet në Ballkan prej vitit 1990 e në vijim, pyet veten:
Si është e mundur që Sërbia, shkaktarja dhe autorja e katër luftrave në Ballkanin e fundshekullit të 20-të; 
Sërbia e vrasjeve masive të atij karakteri dhe mënyre që nuk kanë ndodhur as në Mesjetën e Largët, ku vetëm në Bosnjë vrau mbi 200 mijë qytetarë myslimanë; 
Serbia e genocideve të llahtarshme, ku për tre muaj zhvendosi nga Kosova 900 mijë shqiptarë, në vitin 1999; 
Serbia e varreve masive me myslimanë të Bosnjës dhe të Kosovës, ku vetëm në Kosovë hapi 450 varre masive dhe i mbushi me 14 mijë kufoma shqiptarësh, përveç 3 mijë të zhdukurve, që nuk dihen ende, përfshi edhe gjeniun e mendjes shqiptare, Ukshin Hotin; 
Serbia, që nuk i bindet dhe nuk ka për t’iu bindur Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës për dorzimin e dy ustallarëve më të mëdhenj të atyre masakrave në Bosnjë, Mlladiçi dhe Karaxhiçi; 
Serbia që as i ka dënuar krimet e saj në Bosnjë e në Kosovë; 
Srbia që nuk u ka kërkuar falje asnjërit nga popujt e ish Jugosllavisë, që i gjakosi e i shfarosi, vetëm e vetëm se deshte dhe don të krijoi Serbinë e Madhe, i lutet Evropa që të pranojë e të lejojë qytetarët e saj, pavarësishtë nga kombësia që ata kanë, kudo që ndodhen, të kenë të drejtën të lëvizin pa viza nëpër Evropë, ndërsa shqiptarët, kudo që ndodhen, nuk u lejohet nga BE-ja as të vetquhen shqiptarë e jo më të lëvizin lirshëm nëpër Evropë. Japonezët nuk e kanë kot një fjalë të urtë popullore, që përkon me këtë rastin e Sërbisë. Ajo thotë: “Të plaçkitësh para, të prêt litari; të pushtosh me zjarr e hekur vende të huaja, të prêt froni mbretëror. Sa e mjerueshme është kjo botë me njerëz të dyfytyrshëm”. 

Edhe Maqedonia, ku gjysma e popullsisë së saj janë shqiptarë, edhe ajo merr guximin dhe thotë se nuk i lejoj shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë të hyjnë në Maqedoni e të takohen mes veti me vëllezërit dhe kushërinjtë e tyre! Dhe dalin ca politikanë e diplomatë të Evropës, si p.sh. ambasadori i BE-së në Shkup, dhe bëjnë nga një deklaratë se gjoja Maqedonia e ka gabim se ne nuk e kemi këshilluar kështu e ashtu, etj. Dhe këtë deklaratë e bënë vetëm pasi reaguan shqiptarët dhe, që të jemi të saktë, vetëm pasi reaguan me forcë mediat shqiptare të Tiranës dhe ato të Prishtinës, se, të jetë për politikanët e lartë shqiptarë, të pozitës dhe opozitës, as që dëgjojnë nga ai vesh, ndaj dhe mjaftohen me nga një gjysëm reagim, si me thanë: Më ka çu nana, sa për me la gojën. 
Mirëpo, ku qëndron shkaku i vërtetë që Evropa i bën të tilla lëshime Sërbisë, ndërsa ne, shqiptarëve, na e mat kokën me spango, qoftë edhe për një vizë për operacion mjekësor rrezik jete?! Nga çdo anë që ta sjellësh analizën, gjithnjë del vetëm në një përfundim: Evropa gjunjëzohet para Sërbisë, ose nga që ia ka frikën se mos ajo i shkakton përsëri luftëra në Ballkan, ose nga që Sërbia është e besimit kristjan, ose…. ka një hile tjetër. Le t’i marrim e t’i analizojmë veç e veç secilin nga këta përfundime. 

1. Evropa e ka frikë Sërbinë se mos i shkakton përsëri luftra në Ballkan

Deri diku kjo qëndron. Për këtë Sërbia ka dhënë prova dhe aktualisht mund të gjejë lehtësishtë pretekste që t’i rifillojë luftrat. P.sh., dimë që Sanxhaku ka qenë banuar me shqiptarë dhe shumë qytetarë të moshuar të saj, edhe sot e gjithë ditën mbajnë qylafin kosovar, mirëpo ata, duke qënë viktimë e politikës së Titos, ( e përkrahur me shumë largëhedhje nga Evropa), për të mos u përmëndur fare shqiptarët si komb në ish Jugosllavi, sajuan dhe krijuan kombin mysliman. Si rjedhojë, aktualisht popullsia e Sanxhakut është një komb myslimane që flet serbisht. Mirëpo historia nuk njeh që, para se të vinin serbët në Ballkan të kishte komb mysliman, gjë që për sërbët do të thotë se kemi të bëjmë me një popullsi pa atdhe. Madje edhe ne, shqiptarët, themi se nuk ka patur dhe nuk ka komb mysliman, pasi dihet që ishin kombet që krijuan fetë dhe nuk ishin fetë që krijuan kombet. Si rjedhojë, sërbëve një ditë mund t’u mbusht mendja e t’i thonë popullsisë myslimane të Sanxhakut: zhdukuni, ky nuk është atdheu juaj!, dhe bëjnë genocid. 
Por edhe në Mal të Zi, Sërbia mund të nxisi trazira me serbët e atjeshëm për bashkim në një federatë apo konfderatë më Sërbinë. Edhe në Maqedoni mund të nxisin kur të duan trazira dhe që u vërtetua në muajin dhjetor, ku pas luftës që u bë në fshatin Brodec të Sharrit, nënkryetari i parlamentit maqedon foli në parlament dhe u tha deputetëve shqiptraë: ejani të ndahemi, ne nuk mund të jetojmë sëbashku. Dhe për çudi as edhe një vrejtje nuk pati nga Evropa për atë deklaratë. Edhe në Kosovë, Sërbia çdo ditë e më shumë po i bën hyzmet shpërthimit të një lufte për ndarjen e Kosovës. Edhe në Bosnjë, i ka gati serbët e “Serpska Republika” që të shpallin pavarësinë e njëanëshme, menjëherë porsa ta shpalli atë Kosova. Madje në këtë pjesë të Bosnjës janë grumbulluar të gjithë çetnikët dhe kriminelët e gjithë luftrave në ish Jugosllavi, dhe, si rjedhojë, Serbia e ka shumë lehtë ta bëjë një gjë të tillë. 
Ndoshta për të gjitha këto ia ka frikën Evropa Serbisë, ndaj edhe i gjunjëzohet, edhe pse Serbia nuk i dorzon kriminelët e luftës, ata që vranë me qindra mijëra njerëz. Por, nga që të masakruarit dhe të zhdukurit janë myslimanë, për Evropën është vetëm një statistikë e thjeshtë. Por, do të thotë dikush se, edhe Shqipëria dhe shqipëtarët mund t’i shkaktojnë Evropës të tilla luftra në Ballkan si, psh. në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, ashtu edhe në Mal të Zi, ashtu edhe në Sërbi (Kosova Lindore që aktualishtë e ka Serbia), duke kërkuar bashkimin e shqiptarëve, por edhe në Greqi mund të shkaktoi probleme me çështjen çame. 
Këto qëndrojnë si fakte. Por që ta bëjnë këtë shqiptarët, duhet që edhe ne të kemi politikanë që ta duan kombin dhe popullin e tyre, sikundër i kanë serbët, ndaj dhe Evropa neve as që na llogarit në këtë anë, pasi na i ka zgjedhur mirë politikanët. 
Nga ana tjetër, po të kemi parasysh Luftën e Kosovës, Serbia nuk mund të bëjë si të dojë, pasi NATO-ja, (për mos të thënë SHBA), e bën zap shumë shpejt ushtarakisht Serbinë, kështu që ajo, në vend të verë vetulla, do të nxirrte sytë, ndaj dhe nuk para është shumë bindës versioni i parë, të cilin e analizuam. Por, me gjithë atë, frikën ia kanë. 
Nga ana tjetër, Evropës edhe nuk i vjen për hosh lufta e serbëve në Ballkan, pasi ajo ka frikën e bashkimit të shqiptarëve dhe do të përballet me një lufte totale ballkanike, ku disa shtete ballkanas janë edhe antarë të BE-së edhe antarë të NATO-s. Që shqiptarët lufta i bashkon, kjo u vërtetua jo vetëm në luftën e Kosovës, por edhe në atë të Preshevës dhe Maqedonisë, ku shqiptarët as që i pyetën fare politikanët e tyre dhe shkuan e luftuan. Përveç kësaj, Evropa ka edhe frikën e Amerikës, e cila është kundër kësaj politike antishqiptare të disa qarqeve shumë të fuqishme të Evropës. Ndaj më i besueshëm ngelet varjanti i dytë, dashuria ndaj serbëve pse janë kristianë. 

2. Të qenët e serbëve të krishterë 

Të gjithë e dimë se në Ballkan fliten vetëm tre gjuhë: shqipja, greqishtja dhe sllavishtja (po të mos marrim parasysh turqishten, e cila zë një pjesë të vogël të Ballkanit). Nga këto tre gjuhë, ata që flasin gjuhën shqipe janë kryesishtë myslimanë, duke iu bashkuar këtyre edhe boshnjakët dhe turqit; ndërsa ata që flasin dy gjuhët e tjera janë të krishterë, janë të besimit fetar që ka vet Evropa. Mirëpo Evropa ka dhënë prova që nuk e ka qejf bashkëjetesën në një komunitet me myslimanët. Me këtë nuk dua të flas për pesë kryqëzatat e saj kundër myslimanëve, por po flasim për më të freskëtën. A ishte Evropa që bënte sikur i fliste Serbisë për vrasjet që ajo bënte në Bosnjë, dhe nga ana tjetër i thoshte: shfarrosi se janë myslimanë? Pse, kot reagoi i madhi Ismail Kadare dhe tha atëherë se këtu kemi të bëjmë me një luftë kundër myslimanizmit, dhe morri për shembull edhe luftën që bënte në atë kohë Rusia kundër çeçenëve dhe Evropa heshtë. Për këtë Kadareja tha se i vetmi rus, të cilin e ka vrarë ndërgjegjia për këtë lloj lufte fetare, ka qënë L. Tolstoi, i cili në pleqërinë e thellë të tij shkruajti librin “Haxhi Murati” dhe e krahasoi vrasjen e ndërgjegjes së Tolstoit me atë të Homerit, për krimet e grekërve kundër trojanëve. Madje, a ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me në krye shpëtimtarin e botës, Bill Klinton dhe Medlin Ollbrajt, që ndërhynë dhe ndaluan luftën në Bosnjën myslimane, duke realizuar Dejtonin. 
Përsëri Evropa, me këmbënguljen e Anglisë dhe Francës, kërkonte që Millosheviçin ta nderonte me çmimin Nobël të Paqes? Ç’ironi e fatit!!! 
Pas Bosnjës kemi referendumin e Kushtetutës Europjane, e cila nuk u pranua nga francezët. Në nenin nr.2 të asaj kushtetute thuhej shprehimisht se rrënjët e Evropës së Bashkuar qëndrojnë te krishtërimi i saj. Ky nen u hoq në varjantin që po përpunohet, por ajo tregoi të vërtetën e mendësisë evropjane, sado që ajo të përgënjeshtrohet. Madje, Papa këmbëngul që të rishkruhet ai nen. 
Po ashtu, u gjetën shkaqe nga Evropa që të mos e pranonin Turqinë në BE, dhe këto u panë ashiqare më vonë nga deklaratat e shumë kryetarë shtetesh të Evropës, që e thanë me të madhe se nuk e duan Turqinë në BE, vetëm pse ajo është myslimane. Po këtë gjë e pamë edhe për pranimin në BE të Qipros greke, që është e besimit të krishterë dhe jo të asaj turke, nga që është e besimit mysliman. 
Në këto kushte bindemi se Evropa i bie në gjunjë Serbisë, ndaj nxjerr njëmijë yçkla, si për pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe për pranimin e Shqipërisë në BE, duke i thënë Serbisë: Eja moj e marrë të bashkohemi të gjithë të krishterët e Evropës dhe t’i lemë mënjanë myslimanët e Ballkanit, t’i izolojmë ata. Dhe këtë Evropa e bën me shpresën që shqiptarët të kërkojnë nesër të jenë pjesë joshtetformuese të Serbisë, Maqedonisë, etj. 

Po shqiptarët? 

Gjithë hilja e BE-së është te Kosova dhe te shqiptarët, edhe pse krishtërimin e saj e mbrojtën shqiptarët duke sakrifikuar veten e tyre. Jo më kot Putini e quan joligjore shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kërkon shtyrjen e bisedimeve. 
Qëllimi është që t’i mbajnë amerikanët dhe shqiptarët në ujë të ngrohtë, deri sa të realizojnë kushtet për qëllimin final të tyre. Kush janë ato kushte? Ajzbergut të politikës evropjanë, në favor të Serbisë, i doli në sipërfaqe jo më 1/7 e tij e zakonshëm, por ½ e tij. Evropa, duke hequr regjimin e vizave për serbët, (atyre që kanë pasaporta udhëtimi të Sërbisë), për qarkullimin e tyre nëpër vendet e BE-së, indirekt u thotë shqiptarëve në Kosovë: merrni sa më shpejtë pasaporta udhëtimi serbe, pasi me ato pasaporta unë u pranoj të vini në Evropë, ndërsa po patët pasaporta të UNMIK-ut apo të Kosovës së pavarur, nuk kam ç’tu bëj; u dua por nuk u ndihmoj dot. 
Për këtë qëllim UNMIK-u ka 8 vjet që ka lejuar funksionimin e zyrave serbe në Kosovë për dhënie pasaportash. Çdo shqiptar i Kosovës, që dëshiron të marri atë pasaportë e ka marrë, kuptohet, duke plotësuar edhe formularin përkatës zyrtar që pranon se është qytetar i Serbisë. Kështu që shqiptarët, duke qenë se kanë arritur në një varfëri ekstreme, dhe qëllimisht është ndjekur dhe ndiqet ajo politikë nga Evropa, do të detyrohen të marrin pasaporta serbe. Nuk thonë kot se varfëria i mëson dhe plakat të kërcejnë. 
Ndërkohë, Sërbia i regjistron ata, që marrin pasaportat e saj, si qytetarë serbë në Kosovë. Njëkohësishtë, me këtë politikë BE-ja u thotë haptas azilantëve kosovarë që të kthehen në Kosovë dhe, po të duan që të rikthehen në Evropë, le të marrin pasaporta serbe. Dhe, në momentin që të mbarojnë bisedimet e stërzgjatura, Serbia dhe BE-ja e kanë bërë punën e tyre dhe, kur parlamenti Kosovës do të shpalli në mënyrë të njëanëshme pavarësinë e Kosovës, do ngrihet Rusia në Këshillin e Sigurimit dhe Serbia me miqtë e saj në BE dhe do të thonë: 
Si mund të njihet shtet i pavarur Kosova, ku pjesa dërmuese e popullsisë së saj janë të regjistruar si serbë! Atëhere do të jetë Evropa dhe Sërbia që do të kërkojnë referendum për Vetvendosje në Kosovë. Mirëpo gjatë referendumit do t’u bëhet e qartë se, ata që nuk duan të shkojnë në Evropë, le të votojnë për pavarësi të Kosovës nga Serbia ose bashkim me Shqipërinë, të tjerët, që duan të shkojnë e të punojnë normalisht e papengesa në Evropë le të votojnë për qenien e Kosovës pjesë e Serbisë. 
Mirëpo rruga për në zemër shkon përmes stomakut. Këtë e di shumë mirë Evropa, ndaj dhe na ka zgjedhur, zgjedh e do të na zgjedhi politikanë që të na mbajnë sa më të varfër dhe ta urrejmë gjithnjë e më shumë vendin tonë, sikundër po bëjnë aktualisht. Në këtë situatë, që po përgatitet, shqiptarët do të parapëlqejnë që më mirë të regjistrohen qytetarë serb, duke mos e mohuar veten që janë shqiptarë, dhe të kenë e të hanë bukë e të rrisin fëmijët, se sa të jenë qytetarë të Kosovës e të vuajnë për bukën e gojës sikundër po vuajnë. Llogarinë qytetari e bën thjeshtë dhe shpejtë. 
Në këto kushte shpëtimi Kosovës dhe i shqiptarëve mund të pritet vetëm nga SHBA, duke liberalizuar ajo vizat për shqiptarët, ose duke kërkuar bashkimin sa më shpejtë të gjithë shqiptarëve në një shtet, por gjithmonë nën një administratë amerikane, ndryshe do ndahemi në disa principata. Po qe se mbetet në dorën e politikanëve aktualë shqiptarë të të gjitha vendeve ku ndodhen, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Preshevë, ata nuk kërkojnë kurrë bashkimin e gjithë shqiptarëve në një shtet. Dhe këtë e bëjnë jo vetëm nga që nuk janë atdhetarë, ndaj dhe u mungon guximi shqiptar, por kryesishtë e bëjnë nga që e kanë të qartë se, po u bashkuan shqiptarët në një shtet të vetëm, as edhe njëri prej politikanëve aktualë nuk e ka të sigurtë se merr pushtetin, pasi e kanë më të lehtë të gënjejnë dy milionë e më pak shqiptarë se sa shtatë milionë shqiptarë të bashkuar. Ata e kanë bërë llogarinë, ndaj dhe i shpallin ekstremistë dhe i çojnë nëpër burgje të gjithë shqiptarët që duan të bashkohen, me pretekste nga më të ndryshmet. 
Në rast se të gjithë politikanët shqiptarë do të ishin në një mendje dhe të kërkonin bashkimin e gjthë shqiptarëve në një shtet të vetëm, jo vetëm që do të ishim bashkuar, por do të ishim zhvilluar shumë herë më shumë se Serbia, për vet pozicionin dhe kushtet gjeografike e ato klimatike që kemi dhe do ishte Evropa që do të na luste neve të shkonim në Evropë, sikundër po lut serbët, dhe jo ne Evropën. Por nga që e di këtë Evropa, ndaj dhe bën kujdes e na i zgjedh politikanët, ashtu si i duhen asaj, pa dyshim, në bashkpunim me fqinjët tanë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …