Brickos

Dilaver Goxhaj: Karadaku i Labërisë

Ishte Tetor i vitit 1997. Grupi prej pesë turistash anglezë, të moshave 28 deri 42 vjeç, pasi kish mbërritur në qytetin e Vlorës, ish nisur për t’u njohur me krahinën e Labërisë, me emërin Lumi i Vlorës dhe për të dalë më pas në Tepelenë e Gjirokastër. Pasi kishin ndaluar nga një ditë në Kotë, pastaj në Brataj, qenë ngjitur në fshatin Tërbaç, por pushuan edhe në Vranisht, të nesërmen kishin hedhur lumin dhe patën shkuar në Kallaratin e Kurveleshit. Atje patën qëndruar një ditë të tërë, ngaqë fshati ka një shtrirje gjatësore përgjatë lumit Shushica, ndërsa mbrëmja i pat zënë në fshatin Kuç, ku natën e kaluan tek shtëpitë në Buronjat e Kuçit. Në këtë fshat qëndruan dy ditë, ku ishin mrekulluar me bujarinë dhe zakonet mikpritëse të atyre banorëve, dhe të pasnesërmen kishin marrë grykën e Shurit të Kuçe dhe kishin mbritur në fshatin Nivicë të Kurveleshit të Sipërm. Kur mbrijnë në qendër të këtij fshati ndaluan të befasuar para një monumenti të një partizani, i cili ishte i rrethuar me lule të freskëta të stinës.

Ata mbetën të befasuar pasi në të gjithë atë rrugëtim që patën bërë pas asaj lufte të madhe për të keqen e Shqipërisë të vitit 1997 nuk u kish takuar që të gjenin monumente të rrethuar me lule e të ishin të mirëmbajtur sikundër ishte ky që po hasnin në qendër të fshatit Nivicë. Kur ata po i afroheshin dhe po e fotografonin atë monument, ishte koha kur fëmijët e shkollës po delnin prej saj, pasi ishte ora e fundit e mësimit. Edhe fëmijëve u bëri përshtypje ky grup njerëzish me çanta të mëdha të ngarkuara në shpinë, me aparate fotografike në qafë dhe me një lloj veshje që ata rallë e kishin parë. Si të tillë edhe fëmijët u bënë kureshtarë dhe u afruan për tek grupi i turistave.

Grumbullimi i fëmijëve tek Monumenti i Partizanit tërhoqi vëmendien edhe të mësuesve të shkollës, të cilët dolën edhe ata dhe u afruan, duke u përshëndetur me të porsa ardhurit. Pasi u përshëndetën dhe u prezantuan, turistët nuk e fshehën habinë e tyre dhe pyetën se për cilin ishte ai monument. Dhe një nga mësuesit që dinte e fliste anglishten u tregoi emërin e shkruar poshtë monumentit dhe u tha: Ky është dëshmori i fshatit tonë, Xheladin Beqiri. Mirëpo njëri prej turistëve, duke ngelur jo shumë i qartë me përgjigjen e mësuesit, e pyeti se pse nuk ia thoshtë të vërtetën, pasi poshtë emërit Xheladin Beqiri ishte edhe një emër tjetër, të cilin ai e shpjegoi: “K-a-r-a-d-a-k-u”. Mësuesi duke buzëqeshur i kërkoi të falur dhe i tregoi se ky ishte pseudonimi i dëshmorit kur ai kish dalë partizan kundër fashistave pushtues Italianë, në çetën e parë të Kurveleshit, dhe që ishte i teti partizan i asaj krahine, por mbante për pseudonim emërin e krahinës nga ai ishte. Po pse, krahina tuaj nuk quhet Karadaku, por Kurvelesh, na treguan në fshatin nga ne vimë, në Kuç, kurse ky e ka Karadaku, foli tërë habi anglezi. Përsëri mësuesi buzëqeshi dhe u tregoi se partizani dëshmor ishte nga Kosova, nga krahina e saj me emërin Karadak, duke u treguar edhe historinë e ardhjes së tij në Kurvelesh qysh kur ishte adoleshent dhe se e kish birësuar një nënë pa fëmijë.

Karadaku qe rritur e martuar po në atë fshat, dhe prej andej kish dalë partizan e më pas në Brigadat Partizane dhe qe vrarë në maj të vitit 1944, ndërsa në Janarin e vitit 1946 ishte ndër tre dëshmorët e pare që u shpallën nga Kuvendi Popullor Hero i Popullit. Dhe mësuesit më pas qenë larguar.

Mirëpo turistët anglezë sikur nuk e besuan plotësisht mësuesin dhe deshën ta verifikonin atë që u tregoi mësuesi dhe pyetën njërin prej fëmijëve, që u duk si më i rritur. Edhe ai u pohoi të njëjtën gjë si dhe mësuesi. Kur po shkonin për tek klubi i fshatit ata shoqëroheshin nga disa vajza të shkollës. Dhe me njërën prej tyre, e cila kuptonte dhe fliste pak anglisht, deshën ta verifikonin edhe një herë. Dhe, kur ajo u tha se Xheladin Beqiri ishte kosoavr i Labërisë dhe se Kosova është e jona dhe ne do t’ia marrim Kosovën Serbisë, turistët ndaluan të ecurit dhe shikuan njëri-tjetrin, të habitur jo vetëm për përgjigjen e zgjuar e të thjeshtë të një adoleshenteje në një nga fshatrat e një krahine të thellë e më malore në Labëri, por edhe për besimin që kish ai popull se Kosova dikur do t’i bashkangjitej Shqipërisë. Dhe për këtë kërkuan që të shkonin në shtëpinë që e kish streehuar e rritur Karadakun. Kur shkuan atje, midis të tjerave ata u befasuan edhe për diçka që rallë ndodh në histori. Mësuan se nëna labe që e kish strehuar, ritur e martuar Karadakun, kur i mbriti haberi i hidhur se Karadaku kish rënë duke luftuar kundër gjermanëve, në qafën e Gjarpërit, në kufirin midis Pëermetit dhe Gramshit, kjo nënë e kish qarë ashtu si dinë të qajnë nënat labe, që në Labëri i thonë: E qau me ligje. Vaji i saj shumë shpejt u popullarizua dhe formacionet partizane labe dhe rinia e shndërruan atë vaj në këngë, e cila u këndua edhe atë natë kur turistët anglezë qëndruan në Nivicën e Kurveleshit:

O Xheladini me halle, Xheladin more,

Bir i vatrës Kosovare, “           

Vish e xhvish ato gjerdane,             

Sorkadh përmbi tufane, “           

Në ballë të sulmit u vrave,             

Shqipërisë jetën ia fale, “            “.

Me kaq e përfundoi tregimin shoku im, Fetah Xhima, i cili atë natë u ndodh në fshatin e tij të lindjes, në Nivicë, pasi kish shkuar për një dasëm.

Tiranë, 11.02.2014

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …