Brickos

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: Katër ditë luftë, në maj të vitit 1999, në zonën e Batalionit 60 autonom, “Kumanova” të SHP të UÇK-së

Prej  7 e deri më 10 maj të vitit 1999, kishim katër ditë provë zjarri të Batalionit 60 autonom, “Kumanova” të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Një provë e zjarrtë trimash, të komanduar nga Jetullah Qarri (Komandant Guri), i cili mundi ta përballonte me sukses sulmin e përgjithshëm të forcave serbe kundër popullsisë shqiptare dhe veçanërisht kundër formacioneve të UÇK-së. Ky batalion mori detryrë për t’i dalë në mbrojtje popullsisë shqiptare prej 10-15 mijë vetë, të shpërngulur me dhunë e të përqëndruar në vendin e quajtur “Reka e  Topillës”, mbi 1000 metra lartësi, në mes të maleve të Suharekës dhe të Shtimes. Vende vende bora nuk kish shkrirë ende. Ai dhe gjithë efektivi që komandonte u treguan të gatshëm menjëherë për të zbatuar këtë urdhër të Sh.P të UÇK-së. Në zbatim të këtij urdhëri, komandant Guri vendosi që të organizonte mbrojtjen duke e përhapur batalionin në vijën Grajçec-Çadrak-Vërshec-Llanishtë e deri në lartësitë  lindore të fshatit Papaz. I gjithi është terren malor, por i përshtatshëm në shumë drejtime për përdorimin e tankeve nga ana e armikut. Fillimisht armiku filloi goditjet me artileri në të gjithë llojet e kalibrave, përfshi edhe atë reaktive, “katjushat”. Fillimisht zjarri i artilerisë nuk ishte shumë préçiz, megjithatë Komandant Guri dhe zevendësi i tij Mefail Helshani i udhëzuan komandantët e kompanive që të  hapnin transhe, duke i future mundësishtë të gjitha forcat në tokë, për t’u mbrojtur nga zjarri i artilerisë, duke fillua me çerdhet individuale në gjunjë, në këmbë dhe pastaj t’i lidhnin njëra-tjetrën me hendeklidhje atje ku mund të punohej me lopatat personale xheniere.

Zjarri i artilerisë armike, e vendosur në Qafën e Duhlës, në Biraç dhe në Pishat e Reçakut,  filloi në ora 06.00 dhe zgjati plot 50 minuta. Me të ndalur zjarri i artilerisë filloi zjarri me “Praga” me qitje direkte (artileri kundrajrore vetëlëvizëse katër grykëshe e kalibrit 37mm) që qarkullonte përgjatë rrugës nacionale Duhël-Shtime. Ndërkohë filluan të afrohen tanket, të shoqëruar nga këmbsoria dhe, me të mbritur në lagjen e Lubovcve, në Graiçec, u përhapën në vijë, duke hapur zjarr. Zjarri i tyre u shoqërua edhe me zjarrin e katjushave tek shtëpitë e para të Reçakut, i cili vijoi deri në ora 09.00. Në këtë orë filloi sulmin këmbsoria serbe, e mbështetur me zjarrin e mortajave, ndërsa zjarri i tankeve dhe i artilerisë u zhvendos më në thellësi të mbrojtjes së forcave të UÇK-së.

Afër pozicionit ku ndodhesha unë kisha komandant Mefailin, i cili rrinte pranë një toge me vullnetarë të rinj, duke u dhënë zemër dhe duke i udhëzuar që të mos hapnin zjarr derisa të afroheshin mirë ushtarët serbë. Ata erdhën shumë afër. Zjarri i mortajave u zhvendos mbas nesh. Të gjithë rrinin gati me gishtin në këmbëz. Nuk m’u durua dhe iu afrova Mefailit, duke i thënë: “Jep urdhër të hapet zjarr. Nuk e sheh, ushtarët serbë janë më afër se 200 metra”. “Prit të afrohen edhe ca”, më tha Mefaili. “Dua t’u nxjerr frikën ushtarëve se janë të rinj. Këta e kanë luftimin e parë. Kështu, sa më afër të afrohen serbët aq më i saktë do të jetë zjarri ynë dhe këta djlmosha, duke qenë të rinj, do të kujtojnë se ushtarët serbë do të vriten prej tyre dhe kështu do të bëhen më trima e do të marrin kurajo. Do fitojnë besim në forcën tonë”. I dhashë të drejtë. Dhe ashtu ndodhi. Zjarrin fillimisht e hapi Mefaili dhe pastaj që të gjithë njëherësh. Qysh me breshëritë tona të para u rrëzuan dy ushtarë të armikut. Të tjetër u tërhoqën 7- 8 metra dhe ranë barkas.  Pas breshërive të para, ushtarët tanë filluan qëllonin me kursim, pasi ashtu e kishin urdhërin, ndërsa ushtarët serbë bënin zjarr të dëndur. Dy ushtarë serbë zvarriten që të marrin të vrarët, por zjarri ynë nuk i lë që të ngrenë kokën.

Edhe në drejtimet e tjera njëjtë po veprohej.

Këmbsoria serbe u detyrua të tërhiqej, por zjarri i artilleries së tyre vijonte. Nga predhat e mortajave e kishim kollaj që të mbrohshim, pasi ato i dëgjonim qysh në momentin e shkrepjes dhe i shoqëronim me sy predhat e tyre, gjë që mund të mbroheshim lehtë, duke u shmangur nga flurudha e tyre. “Më Ters e kemi me artilerinë top, minat (predhat) e tyre janë shumë të shpejta dhe s’e merr vesh se ku do të bjerë”, më thotë Komandant Guri, i cili më ishte afruar pa e ndjerë dhe nuk e pata vënë re, ngaqë isha i përqëndruar duke vrojtuar nga pika e vrojtimit fushën e luftimit. Unë e miratoj me kokë, ndërkohë që shoqëroja me sy prdhën e mortajës, e cila ra rreth 100 metra para pozicioneve tona.

“Komandant Guri, – thashë,- më duket se po afrohen tanket”.

“Po, po, e shoh”, më përgjigjet dhe lëviz vëndit, duke ma bërë me dorë që të shkoj drejt tij. Herë përkulur e herë me zvarritje ecëm rreth 300-400 metra, duke dalë në drejtimin nga afroheshin dy tanke. Tanket e tjerë vijonin të bënin qitje nga vendi, pasi nuk i lejonte terreni të afroheshin më shumë. Ndaluam tek ushtari që mbante Zolën. (Zolë quhet granathedhësi kundërtank një përdorimsh). “Dëgjo, i thotë ushtar Currit,  do ta godasësh kur të të them unë!”. “Si urdhëron, komandant!”, iu përgjegj ushtari dhe shikon drejt meje duke buzëqeshur.

“I kemi me kursim, të shkretat, – më thotë Guri, – prandaj duhet ta godasim shumë afër tankun, që të mos na shkoi huq predha”.

“O, komandant, – i drejtohet ushtar Rrahim Ukzmajli nga fshati Zaskok i Ferizajt, – kur u kemi ju eprorëve në transhe nuk kemi frikë t’i dalim tankut përpara edhe me granata dore”.

I afrohem ushtarit dhe e përqafoj, duke i rënë shpatullave. Ai më shtrëngon në gjoks dhe më thotë: “Do ta shikosh Bacë, se si do ta pësojë tanku.”

… Tanku u afrua gati 300 metra. “Tani terezite mirë dhe…”, – i thotë komandanti i kompanisë, Sulejman Qarri, i cili ishte rreth dhjetë metra më tej. “Ashtu bëj!”, i thotë komandant Guri. Dhe predha u lëshua. Tanku fillimisht u lëkund dhe pastaj shpërtheu në flakë. Ushtarët përqafonin njëri-tjetrin. Tanku tjetër eci pak prapa, pastaj u rrotullua dhe iku me shpejtësi, duke qëndruar larg rezes së goditjes me Zola…

Luftimet vijuan edhe pak, sidomos me zjarr artilerie, gati mori zjarri, derisa serbët mundën të tërhiqnin nga fusha e luftimit të vrarët e të plagosurit si dhe tankun e djegur, duke e tërhequr me tankun tjetër, ndërsa ne shfrytëzonim transhetë për t’u mbrojtur e vrojtuar… Nata kaloi duke vrojtuar nga transhetë, duke fjetur pjesë-pjesë. Pothuajse gjysma e efektivave flinte e gjysma tjetër përgjonte.

Edhe dita e dytë e luftimeve, 8 maji, nisi si dita e parë, por me një ndryshim. Zjarri i armëve të rënda të armikut bëhej me nga dhjetë minuta, me radhë, për çdo lloj kalibri artilerie. Hera e parë që e vëreja këtë lloj zjarri metodik të artilerisë armike. Pra, qëllonin mortajat, pastaj topat e kalibrave të ndryshëm të cilët i dallonim nga madhësia e shpërthimit të predhave, pas tyre artileria e tankeve, pastaj katjushat dhe përsëri mortajat.

Këtë ditë na u vra Safet Elshani, 20 vjeçar, një vit luftëtar pa u larguar as edhe një ditë nga fronti i luftës. Ai ishte komandant  një skuadre vëzhguese diversioniste. Ishte ora 17.00. Ushtarët serbë edhe pse u zbrapsën disa herë, megjithatë vijonin t’i përsërisnin sulmet. Duhej që të kundërsulmoheshin. Safeti mori me vete mitraljerin, Adnan Maliqi dhe u nis t’i sulmoi prej Çadrakut në drejtim të grykës së Dragaçinës. Pasi eci 70-100 metra në drejtim të grykës, vuri re se një togë e ushtarëve serbë ishin pozicionuar e maskuar në fund të grykës. I sulmoi me granata dore. Ushtarët serbë u detyruan të tërhiqeshin. U tërhoqën rreth 50 metra dhe u pozicionuan përsëri. Në kohën kur ata po tërhiqeshin, Safeti ngrihet dhe sulmon duke hapur zjarr me automatik, mirëpo dy snaiperistë serbë, që ishin pozicionuar në vend të maskuar, hapën zjarr. Safeti u vra menjëherë. Adnani thirri për ndihmë. U lëshuan djemtë e skuadrës së tretë dhe pas më shumë se një orë luftime të ashpra i detyruan serbët të tërhiqshin gati 200 metra. Luftimi u ndërpre. Shokët morën trupin e Safetit dhe u kthyen në pozicionet e mëparshme.

Atë natë nuk bisedohej. I gjithë batalioni heshtëte duke pirë duhan.

 Luftimet e ditës së tretë, 9 maji, ishin edhe më të rrepta. Ato filluan me sulm të njëkohshëm të tankeve dhe të artilerisë. Këmbsoria ishte shumë herë më e madhe në numur se ditët e tjera.

Zjarri i mitralozave tanë 12,7 mm, me të cilët e pritëm sulmin e tyre, e bëri efektin e duhur. Serbët ndaluan. Pas 15 minutash këmbsoria serbe dhe tanket filluan përsëri lëvizjen. Në ato drejtime ku tanket nuk mund të kalonin zjarri i artilerisë së tyre ishte edhe më i fuqishëm. Komandant Guri urdhëroi që të mos hapej zjarr derisa këmbsoria serbe të afrohej 100 metra para transheve tona. Ishin orët e mesditës. Të gjithë luftëtarët tanë qenë mbështetur në pozicione e në gjoksmbroje, me automatikët nën shënjë, të shtrënguar për gjoksi e faqet mbështetur për qyte dhe merrnin shenjë herë pas here. Përqëndrimi i secilit ishte mjaft i madh. Kishte edhe nga ata që nuk u durohej për të hapur zjarr dhe i drejtohej komandantit të vet që ta lejonte të hapte zjarr, por komandantët veçse u buzëqeshnin.

Më në fund erdhi edhe moment i hapjes së zjarrit. Zjarri u hap njëherësh nga të gjithë. Sinjali u dha me pushkën e Komandant Gurit, e cila kish një krismë të veçantë. Sot e vura re këtë gjë, por ushtarët e njihnin me kohë. Dukej sikur toka villte zjarr. Ushtarët serbë fillimisht ranë barkas. Pas disa momenteve pati disa që filluan të tërhiqeshin me zvarritje. Por edhe kjo nuk zgjati shumë, pasi u ngritën dhe tërhiqeshin të gjithë me kërcime, me grupe. Dukej që komandoheshin. Tërheqja e tyre me urdhër na la të kuptonim se ata patën bindjen se mos neve na kishin ardhur përforcime. Ndoshta i mashtroi zjarri i njëhershëm nga i gjithë batalioni. “E kursyem edhe një kundërsulm.

O Komandant, i them Gurit. Të lumtë! Dukesh që je komandant me përvojë dhe trim.” “Më ka mësuar komandant Kumanova (Ismet Jashari nga Kumanova, vrarë në 25 Gusht 1998). Kumanovë, për kokën e Kumanovës ishte!”, përfundoi Komandant Guri dhe heshti duke hequr frymë thellë. “Ama, Guri, kur të çlirohet Kosova besoj se do shkosh të rrish në Teqenë e Rahovecit”, e ngacmova unë për t’ia larguar vemendien prej dhembjes që ndjeu kur kujtoi Komandan Kumanovën. “Bah, ç’punë kam unë atje?!” “Po, ja, mjekrën e ke një pëllëmbë.” “Mirë do ishte. Por nuk do të dua asgjë më shumë, vetëm të kthehem në Grejçevcin tim, që ti e sheh se si ma kanë djegur serbët… Të punoj tokën e të gëzohem i lirë me fëmijët e mi, duke mos pasur frikë se do të më trokasi shkau në derë. Po e arritëm atë ditë besoj se do të jemi njerëzit më të lumtur në botë”, më thotë komandant Guri, dhe ngrihet duke më bërë shenjë që të eci pas tij. Mbritëm tek kodra mbi fshatin Papaz. Prej andej e shihnim pothuaj gjithë sektorin e mbrojtjes së batalionit.

Dita e katërt e luftimeve,10 maji, filloi me zjarr shumë më të fuqishëm se dita e mëparshme. Me sa duket ushtrisë serbe i kishin ardhur përforcime të tjera me artileri. Edhe pse këmbsoria serbe i përsëriti disa herë sulmet, në të gjitha rastet ushtarët tanë i thyen kryesisht me zjarr të armëve automatike dhe të topave të dorës, të cilët na paten ardhur në mbrëmje, nga një për çdo kompani. Një prej tankeve u dogj qysh orën e parë të sulmit. Ushtria serbe ishte e vendosur ta merrte nën kotroll rajonin e Topillës, ndaj dhe i përsëriti sulmet fuqishëm të katë ditët rresht. Sulmet dhe kundërsulmet u bënë si veprime të zakonshme. Aty nga ora 16.00 të ditës së katërt sulmi i forcave serbe prej jugut të fshatit Çadrak në drejtim të fshatit Topillë ishte shumë i fuqishëm. “Kam me ua punu”, më thotë Mefaili dhe ikën me vrap nëpër transhe. Shkon tek një prej ushtarëve që mbante Zolën kundërtanke. E marrin Zolën dhe e mbështesin mirë në buzë të gjoksmbrojës së transhesë, dhe qëllojnë duke i dhënë një pozicion mbi 45 gradë. Një lloj zjarri i ngashëm me zjarrin e mortajës. Mefaili e kish përdorur edhe herë tjetër këtë lloj teknike. Më befasoi. Predha bie ekzakt mbi këmbsorinë. T’i shihje si ikën ushtarët serbë! E kuptova trukun e Mefailit. Forcat serbe kujtuan se na kishin ardhur përforcime artilerie. Dhe ndryshuan drejtimin e sulmit. I përqëndruan forcat në krahun tonë të majtë, në drejtim të Llanishtës.

Te rruga që të  çon për në fshatin Llanisht lufton skuadra e komanduar nga Shaqir Tërshani. Ai, së bashku me skuadrën e policisë ushtarake të Sh.P., një ditë më parë pat asgjësuar në mal të Çadrakut 7 paramilitarë serbë të bandës kriminale prej 20 të tillë. Shaqiri dhe skuadra e komanduar prej tij, kur e kish vënë re këtë bandë që po afrohej duke mbajtur në krahë plaçka të shtëpive të plaçkitura në Dragaçinë, ishin zhvendosur me fshehtësi dhe vendosur të maskuar rreth 200 metra më përpara vijës së mbrojtjes ku ishin vendosur forcat tona për mbrojtje. Kur paramilitarët u afruan në largësinë 100-200 metra, skuadra e Shaqirit hapi zjarr të befasishëm duke i asgjësuar shtatë prej paramilitarëve. Menjëherë erdhi një furgon (Pizgauer) dhe një Pragë për të marrë kufomat. Edhe këta u dogjën me granathedhësin kundërtank.  Atëherë forcat serbe u detyruan të hapnin zjarr me artileri, duke rënë predhat e saj edhe mbi kufomat e paramilitarëve. Zjarri i artilerisë  së tyre ishte aq i dëndur, sa kujtoje se binte shi predhash nga qielli. Këmbsoria e tyre mori kurajo dhe u hodh në sulm. Kur Shaqiri e pa se luftimet po bëheshin të ashpra e të rrezikshme thirri mitraljerin, Liman Qarri, i cili u shkoi me të shpejtë në ndihmë, të cilët në ato moment luftonin me forcat serbe, shumë prej të cilave ishin afruar deri në dhjetë metra largësi. U ishin mbaruar granatat e dorës. Në momentin që mitralieri Liman qe afruar 3-4 metra para se të hidhej në transhe ra, skuadër-komandanti Shaqir Tërshani. Por luftimi vijonte. Më së fundi sulmi i forcave serbe u thye, por nuk hoqën dorë nga sulmet. Sulmuan nga një drejtim tjetër me forca të tjera, në drejtimin Lanishtë- Topillë.

Ora mund të kish arritur 20.00. Në këtë orë këmbsoria armike  po sulmonte prej lagjes së Qarrëve dhe asaj të Bungve të Grejçecit. Në këtë drejtim luftonte në mbrojtje toga e tretë, duke u përballur me dy kompani të ushtrisë serbe. Atë ditë toga e tretë, me komandant Nebiun i pat zbrapsur sulmet e armikut pesë herë rresht. Ky ishte sulmi i gjashtë. Kundër këtij sulmi kundërsulmoi skuadra e komanduar prej Sadri Përteshit. Sulmi ynë kishte qëllim që të merrte nën kontroll lagjen e Bungve, pasi në atë vijë përmirësoheshin më mirë pozitat tona. Por sulmi ynë u thye ngaqë na u vra nga zjarri i artilerisë, Naim Lubovci, në lagjen Mehmeti të  fshatit Topillë, duke u ardhhur në ndihmë forcave që luftonin në lagjen Bungu.

Luftimet vijuan deri në ora 22.00, kur toga mori urdhër të tërhiqej prej andej, të riarmatoseshin, të hanin ushqim dhe të kalonin në shpinë të forcave serbe. Kjo u realizua në fshehtësi pas orës 24.00. Në kohën që morëm sinjalin e kapërcimit të vijës së frontit prej asaj toge, Batalioni filloi që të shkëpuste kontaktin pjesë-pjesë dhe, në momentin kur toga e komanduar nga Nebiu sulmoi pozicionet e zjarrit të artilerisë së armikut. Ndaj agimit forcat serbe filluan tërheqjen nën mbulimin e artilerisë së rëndë, e cila vijonte të qëllonte nga pozicionet e saj të zjarrit tek Pishat e Reçakut dhe Duhël.

Divjakë, 12.5.1999

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …