MIT
valamobile
Airport Adem Jashari
kek
mbpzhr grante
Fillimi / Dëshmorët / Eshim Nuhi Gashi (10.6.1962 – 26.3.1999)
Eshim Nuhi Gashi (10.6.1962 - 26.3.1999)

Eshim Nuhi Gashi (10.6.1962 – 26.3.1999)

Dëshmori i kombit Eshim Nuhi Gashi, njëri ndër pjesëtarët e parë të organizuar si “Grupi i Landavicës”, të cilin e sajonin: Përparim Thaçi, Vahit Uka, Xhavit Elshani, Nagip Morina, Faik Berisha, Osman Qarreti, Hysni, Kurtish e Selim Morina, Qazim Thaçi, Ismet, Tahir, Aziz e Sherif Gashi. Ky grup, edhe pse gjeografikisht, më vonë me zhvillimin e instrumentit të forcës, i takonte Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut, furnizonte edhe brigadat 123 e 124 të kësaj zone, pra Rahovecin dhe Therandën. Pra, komapania e Landavicës mbulonte me furnizim edhe arealet luftarake të tërë Anadrinit, të Lumës e të Hasit dhe mbante vijën prej Mazreku nëpër Planejë, Gurrazhub, Gjonaj e Reti, por edhe kontrollin e rregullt mbi aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, veçanërisht te “Ura e Landavicës, me shpërthim si kah Atmaxha, për dalje në arealen luftarake të Lezit, ashtu edhe kah Qëndresa e Retia, në drejtim të Rahovecit.
Eshim Gashi është i lindur më 10 qershor të vitit 1962, në fshatin Landavicë të Andrinit të Prizrenit. I biri i Nuhiut dhe i nënë Bahrisë, bijë e Bajramëve të Qëndresës, i vëllai i Rizanit, Agimit, Feimit, Nazmijës, Selanës, Zarifes, Hanës dhe i Myrvetës, bashkëshort i Bukurisë, bijë e Kryezive të Retisë së Ulët, babë i Avniut, Avdylit, Vezires dhe i Leonorës, shkollën fillore e mbaroi në Landavicë, ndërsa të mesmen, degën e ndërtimtarisë në teknikumin “Gani Qafdërbasha” në Prizren, ku zhvilloheshin lëvizjet e mëdha që shtriheshin në Prizren, veçanërisht në lagjen “Tuzsus”, sot “Lagje e Trimave”.
Prej ditëve të para të organizimit të rezistencës së armatosur, Eshimi kyçet në të gjitha lëvizjet që organizoheshin kundër dhunës së pushtetit serb në Anadrin dhe veçanërisht në Prizren dhe të gjithë bashkëveprimtarët e njihnin me dytësorin “Nikolla” që i shërbente për të vepruar në ilegalitet.
Gjatë tërë kësaj veprimtarie ishte militant i pathyeshëm në Këshillin për Emregjencë, në Këshillin për Grumbullimin e Mjeteve Financiare për Arsimin në Gjuhën Shqipe dhe në aktivitetet rreth aksionit “Familja i Ndihmon Familjes”.
Dhe sot kur shfletojmë shënimet për zhvillimin e Kompanisë së Landavicës, nuk mund të gjendet ndonjë aktivitet në Landavicë, deri më 26 prill të vitit 1998, e të mos ketë marrë pjesë Eshim Gashi, sot dëshmor i kombit. Ngjante edhe të zbulohej, të ndiqej e të thërritej në biseda informative, mirëpo në mungesë të provave lirohej, prandaj një ditë vendosi t’u bashkohet bashkëveprimtarëve që kryenin veprimtari logjistike prej Hasi deri në fshatin Drenaj të Zatriqit. Më 9-10 maj të vitit 1998 ishte së bashku me luftëtarët: Hysen Rexhepi, Bashkim Suka, Hajdar Shala, Tahir Gashi, Feriz Susuri, Skënder Latifi, Ymridin Çenga, Hamit Thaçi, Besnik Kastrati, Baki Latifi, Pal Paluca e të tjerë, sot dëshmorë të kombit të përjetësuar në “Betejën e Jeshkovës”, më 11 mars 1999.
Eshim Gashi nuk kishte nevojë për ushtrime e stërvitje, pasi që ishte i stërrvitur, sidomos në operim me armët e këmbësorisë. Ishte luftëtar i gatshëm prandaj edhe si sokol mali hidhet në të gjitha frontet dhe vijat e zjarrta të arealit luftarak të Anadrinit: Bardhatin, Gardhisht, Drinas, Kromnik, Reti, Rahovec, Zatriq, Vneshtë, Qëndresë dhe në fshatin Landavicë, deri më 26 mars të vitit 1999, kur divizionet serbe e çetnike nga Prizreni e Gjakova u gjetën nën trusninë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të forcave të Aleancës Veriatlantike dhe kështu një patrullë e tërë paramilitarësh shkatërrohet mu në fshatin Landavicë. Në krye të grupit defansiv për mbrojtjen e popullatës civile u gjendën Gashët: Tahiri, Eshimi dhe Ismeti, por me 26 mars, paramilitarët vendosin ta ndëshkojnë Landavicën dhe kah ora 10:00 hidhen predhat e para mbi këtë fshat të njohur për policinë serbe.
Në granatimet e kësaj dite përjetësohen: Eshimi dhe Ismet Gashi, por atë ditë u vranë edhe shumë civilë, madje nuk u kursyen as pleq, gra e fëmijë. Në qendër të fshatit, aty ku sot shkëlqen lapidari për “Dëshmorët e Landavicës”, bashkëluftëtari Selim Morina dhe “Nënëmadhja” e këtij fshati, plaka Miradie Berisha veprojnë bashkërisht dhe arrijnë për ta tërhequr trupin e pajetë të dëshmorit të kombit Eshim Gashi dhe vendosin për ta varrosur. Pas një përpjekjeje të madhe, tërheqësit e trupave të pajetë i afrohen qendrës së fshatit, marrin trupin e Eshimit dhe e varrosin pranë “Përronit të Zenelagës”, ndërsa pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të “Grupit të Landavicës”, mbetjet mortore të Eshim Gashit barten në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në një kodër të Landavicës pranë të gjithë bashkëluftëtarëve të rënë në altarin e lirisë.
Sot, Eshim Gashin landavicasit dhe anadrinasit e kujtojnë si një burrë të pjekur, ushtar të vendosur, shok të mirë e besnik e i pathyeshëm edhe pse shumë i ndjekur, jo vetëm Ai, por edhe e tërë familja e Eshim Nuhiut dhe fisi Gash i Landavicës. Eshimi kishte karakter të fortë, i kalitur mirë nëpër shumë valë të jetës, gjatë ilegales, por edhe pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit. Të gjithë e kujtojnë si luftëtar përherë të buzëqeshur, me moral të lartë e optimist të pathyeshëm.
Luftën e dëshmorit të kombit Eshim Gashi e përkujtojnë vocërrakët e shkollës fillore të Landavicës, ndërsa në këngë e rapsodi këndohet për madhështinë e këtij dëshmori dhe të bashkëluftëtarëve të Tij nga kompania e Landavicës. Sot të gjithë bashkëluftëtarët e Eshimit shkëlqejnë në lapidarin e fshatit, objekt ky memorial e madhështor i ngritur në breg të një përroi e në qendër të fshatit ku u lindën dhe u rritën heronjtë, emrat e të cilëve gjenden nëpër shumë rrugë e shkolla të Anadrinit, ndërsa Leonora, bijë e dëshmorit krenarinë për të anë e shpreh në vjersha e në ese kushtuar Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Mentor Xhemë Gashi (1.5.1978 - 16.6.1998)

Mentor Xhemë Gashi (1.5.1978 – 16.6.1998)

Dëshmori, Mentor Gashi, u lind më 1 maj të vitit 1978, në Plloçicë, komuna e ...