mbpzhr 2018
kek
Airport Adem Jashari
MIT
Fillimi / Dëshmorët / Ismet Selman Gashi (1.5.1952 – 26.3.1999)
Ismet Selman Gashi (1.5.1952 - 26.3.1999)

Ismet Selman Gashi (1.5.1952 – 26.3.1999)

“Do ta mbroj Ukshin Hotin, nëse e vrasin Atë,
le të më vrasin edhe mua!”
(Ismet Gashi, Procesi i mbrojtjes së profesor Ukshin Hotit)

Pas luftimeve në Planejë e Gurrazhub, më 3 dhjetor, në “Lugun e Zi” më 14 dhjetor të vitit 1998, te “Ura e Terzisë”, më 27 janar të vitit 1999, te “Guri i Godenit”, më 28 janar e në Rogovë të Hasit deri më 29 janar të vitit 1999, komandantët e formacioneve ndëshkimore, Marçetiqi dhe Zhiliqi, të stacionuar në Prizren, vënë në plan të parë përhapjen e trishtimit në fshatrat e Hasit dhe të Anadrinit pasi kuptuan se situatën në terrenet e përmendura e dominonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës e veçanërisht, Zona Operative e Rrafshit të Duakgjinit, në të djathtë të Drinit të Bardhë dhe Zona Operative e Pashtrikut, në të majtë të Drinit, veçanërisht fshatrat: Krushë e Madhe, Celinë, Brestos, Hoçë e Vogël, Apterrush, Reti, Qëndresë, Piranë e Landavicë, ishin të mbushur me luftëtarë të lirisë që në njërën anë zhvillonin aktivitete guerile në aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë, e në anën tjetër prisnin e përcillnin grupet e bartësve të “Zjarrit të Lirisë”, që vinin nga Kruma e rrethina nëpër: “Qafën e Luan Haradinajt”, kah “Lugu i Haxhi Hotit” dhe depërtonin drejt brendisë së Kosovës legjendare të Adem Jasharit. E tërë kjo lëvizje prezantonte pasigurinë e garnizoneve serboçetnike që të lëvizin lirshëm nëpër aksin rrugor Therandë – Rahavec, Duhël – Malishevë – Klinë, Rahavec – Malishevë e Klinë – Gjakovë, prandaj objektivi i kryekriminelëve të Bozhidar Zhiliqit e kolonel Milentijeviq bëhet futja e tmerreve dhe trishtimeve nëpër fshatrat buzë e bri rrugëve të përmendura dhe në dekadën e dytë të marsit kjo soldateskë që u ngjante hordhive u hyri vrasjeve selektive e masovike, arrestimeve dhe ekzekutimeve qoftë nga formacioni serboçetnik “Crna Ruka”, qoftë nga strukturat e sistemit policor e militar të saoldateskës së shndërruar në banda anarkike që lanë eshtrat në “Tokën e Huaj”, këtej e andej Drinit të Bardhë e rrëzë Pashtrikut Plak.
Në vargun e hallkave sinxhirore të ekzekutimeve në Has e Anadrini hynë fshatrat: Celinë, Korishë, Rudinë (ish – Pastaseli), Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Fortesë, Qëndresë, Reti, Apterrush, Brestos, Hoçë e Vogël, Zatriq, Lugishtë e deri në Tuzsus të Prizrenit me qendrat urbane Therandë e Rahavec, veçanërisht dy Krusha, me Celinën e Landavicën nëpër të cilën kalonte eksodi i të dëbuarve që duhej ta kalonin Landavicën e Përparim Thaçit, student që indeksin e këmbeu me armën e lirisë e Landavicën e Ismet Selman Gashit, jurist i diplomuar, magjistrant i Fakultetit Juridik, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, luftëtari i lirisë, e sot dëshmor i kombit dhe krenar, që u rri pranë si babë e vëlla “Djemëve të Landavicës” të cilët nuk e lënë të vetmuar as studentin Përparim Ali Thaçin e as avokatin Ismet Gashi.
Dëshmori i kombit Ismet Gashi, i nënës Dalife, bijë e Krasniqëve të Hoçës së Qytetit – Prizren, është i lindur më 1 maj të vitit 1952 në vatrën patriotike tradicionalisht të zhvilluar në rrafshin kombëtar të familjes së Selman Gashit. Mësimet e para i mori në vendlindje, katër klasë, e pastaj në Piranë, kurse të mesmet në Normalen e Prizrenit, ku ishte shkolluar një plejadë burrash të kalibrit kombëtar e intelektual si profesorët Ukshin Hoti e Xhemali Berisha, i pari ndoshta ende trullohet nëpër kazamate – skëterra të Milosheviqit, kurse të dytit i ruhet krenaria në emrin e Shtëpisë së Kulturës në Prizren. Fakultetin Juridik Ismeti e mbaroi në Prishtinë me ëndrra se do të magjistrohet te profesor Bardhyl Qaushi e të specializojë trashëgimtaren në krah të profesor Ejup Statovcit, por, sot të tretë i mungojnë Kosovës. Në fillim Ismet Gashi punoi si mësues i frëngjishtes në fshatin Zym të Hasit duke u ushqyer me krenari se aty, madje duke kaluar nëpër Landavicë pati punuar edhe Shtjefën Gjeçovi të cilin e kishte model ideali edhe Ismet Gashi. Më vonë juristi anadrinas, i Landavicës, depërton në Prizren dhe punësohet në gjykatë, në prokurori, në inspektorat të ndërtimit dhe në fund emërohet kryetar i Gjykatës së Punës së Bashkuar.
Por dhuna serbe, veçanërisht pas ndryshimeve në frymën e “Kushtetutës së Gazimestanit” nga njëra anë, dhe shembja ekonomike e Kosovës në anën tjetër, ndikuan që Ismet Gashi të vëhet në krye të të gjitha formave për manifestimin e revoltës kundër ndryshimeve kushtetuese dhe vëhet në krahun e profesor Ukshin Hotit, madje edhe mbrojtës i profesorit në “Gjykimin e Pirzrenit”, ku i mbrojti edhe shumë të tjerë të ndjekur nga regjimi i kohës.
Në fazën e parë të formimit të qelulave të para të instrumentit të forcës në fshtrat e Anadrinit, ku qarkullonte korridori logjistik i Hasit Ismeti gjendet ndërmjet grupeve; të Krushës së Vogël e të Hoçës së Qytetit dhe është përkrah Sokol Limanit, Selim Krasniqit, Agron Limanit Agim Shalës, Xhemshit Krasniqit, Nuridin Shalës e Hysen Rexhepit, kurse në Landavicë gjendet së bashku me: Përparimin, Tahirin, Eshimin, Hamitin, Hysniun, Halilin, Selimin, Naimin, Faikun, Osmanin, Xhavitin, Vahitin, Zaimin e Qazimin, sot dëshmorë e veteranë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me të cilën ushtri Bozhidar Zhiliqi, komandant i Batalionit të Motorizuar të Manojlo-Mane Marçetiqit e të divizioneve të Nebojsha Pavkoviqit, kishte luftë të përgjakshme e jo konflikt megjesh për ara, livadhe e gardhiqe, siç pretendonin për ta prezentuar këtyre ditëve duke vajtuar si gra në Hagë e duke sulmuar si Limajn ashtu edhe Haradinajn për t’i arsyetuar duart me gjak si dikur Spirë Kapetani për masakrën e bërë në Kabash, ndërsa arsyetohej para Salih Shabanit. Veprimtari i shquar, Ismet Gashi, si intelektual në krye të fshatit e veçanërisht në krye të “Djemve të Landavicës”, pas rënies së Përparim Thaçit më 27 maj të vitit 1998, pasi që ishte vënë në krye të Këshillit Organizativ për përcjelljen e Përparimit dhe të Tubimit në fshatin Drenaj të Anadrinit, ndiqet nga sigurimi serb i cili angazhohet për t’i rënë në gjurmë: për shkak të veprimtarisë në aksionet për mborjtjen e shkollës shqipe, për mirëmbjajtjen e shkollave nëpër shtëpitë private dhe vjeljen e mjeteve për formimimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në diasporë e në fondin “Atdheu në rrezik, vendlindja thërret” si dhe për lidhjet koherente me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sigurimi serb e ndjek vazhdimisht duke përcjellur çdo hap të veprimtarisë së tij, e arreston, por pas shumë bisedave informative e maltretimeve Ismeti arrin të lirohet. Ndjekjet kishin fillluar qysh më 1996-1997 mbi Ismetin dhe të vëllain Binakun, me pretekst se në vëllazërinë e madhe Gashi të Landavicës, ishte i deponuar një arsenal armatimi, pasi që këtu e në këtë familje aderonin shpesh edhe Selim Morina, Faik Berisha, Osman Qerreti, Qazim Thaçi, Kurtish Morina dhe Azizi me Tahirin e Sherifin. Pas 26 prillit të vitit 1998, aksionit të suksesshëm gueril te “Përroni i Keq”, jo larg Landavicës, ndërmjet Krushës së Vogël e Piranës, rrezikohet i tërë Grupi i Landavicës, veçanërisht korridori i logjistikës që kalonte mbi “Urën e Gjonajt”, kah Tupeci, kah Sharra “Korabi” e Landavica në drejtim të “Pyjeve të Megjakut” me dalje në drejtim të Pagarushës. Ismeti vazhdon veprimtarinë sa në moblizim e organizim aq edhe në forcimin e logjistikës, prandaj “Djemtë e Landavicës” përherë ishin të organizuar mirë, të sistemuar, të strukturuar dhe shumë funksional. Sajonin një kompani lokale të Batalionit III të Brigadës së Prizrenit e cila evuloi në Brigadën 125 të Zonës Operative të Pashtrikut. Kjo kompani mbulonte me furnizim arealen luftarake të Anadrinit, të Lumës e të Hasit dhe mbante vijën prej Mazrreku nëpër Planejë, Gurrazhub, Gjonaj e Reti por edhe kontrollin e rregullt mbi aksin e magjistrales Prizren–Gjakovë, veçanërisht te Ura e Landavicës me shpërthim kah Atmaxha dhe Qëndresa (ish–Randubrava). Këtu e në këto aktivitete, Ismet Gashi është me eprorët: Bislim Zyrapin, Ekrem Rexhën-Drinin, Selim Krasniqin, Limë Durajn, e pranë Selim Morinës, Nazmi Gashit, Nexhmedin Kastratit, Xhemë Gashit, Mensur e Osman Zyberajt dhe luftëtarëve emblematikë të brigadave 123 të Therandës, 124 të Rahavecit e 125 të Prizrenit, prej odës së Ismet Gashit në javën e fundit të tetorit të vitit 1998 niset edhe grupi III për armatim dhe numëronte mbi 120 luftëtarë të lirisë.
Në orët e hershme të mëngjesit të 10 marsit të vitit 1999 “Djemtë e Vërrinit” nisen nga Retia në drejtim të Jeshkovës me destinacion që të vendosen me shtab në këtë fshat; kah Landavica u printe Tahir Gashi për ta trupuar aksin rrugor me dalje kah Atmaxha e Hajdar Shalës, sot të dytë dëshmorë të kombit. Ismet Gashi është së bashku me djelmoshat e fshatit për ta përcjellur lëvizjen e forcave serbe që patrullonin në magjistrale dhe mbanin nën kontroll çdo lëvizje nëpër Landavicë. Mirëpo falë mobilizimit të mirë të fshatit dhe syçeltësisë së grupit vëzhgues “Djemtë e Vërrinit” thejnë aksin e magjistrales dhe depërtojnë në Jeshkovën legjendare, por rrethohen dhe në shpartallim të njësiteve të Divizionit të Prizrenit gjatë luftimeve të përgjakshme marrin përjetësinë: Hysen Rexhepi, Bashkim Suka, Hajdar Shala, Tahir Gashi, Ferid Susuri, Skënder Latifi, Ymridin Çenga, Hamit Thaçi, Besnik Kastrati, Alajdin Xhezairi dhe zhduken Ymer, Nuredin, Shemsidin e Hilmi Shala, Shehadin e Musli Gashi, Rexhep Buduri, Faik Begaj, Bali Avdaj e shumë vërrinas të tjerë. Ismet Gashi është sërish në krye të “Djelmoshave të Landavicës” në tërheqjen e të rënëve dhe të plagosurve por edhe në organizimin e përcjelljes së tyre për në Pagarushë ku u bë një përcjellje madhështore për luftëtarët e rënë në Jeshkovë më 11 mars të vitit 1999.
Pas përfundimit të ceremonialit të përcjelljes solemne ushtarake Ismet Gashi rikthehet në fshatrat e Anadrinit dhe vazhdon aktivitetin në fshatrat: Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Piranë, Tupec, Atmaxhë e Landavicë, por vetëm edhe pak ditë pasi që aktivitetet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shtohen në dinamikë dhe intensitet prandaj edhe forcat paramilitare serboçetnike vazhdojnë ndjekjet nëpër fshatrat bri aksit të magjistrales Prizren-Gjakovë, veçanërisht përreth Landavicës.
Fillimi i bombardimeve të caqeve serbe që lëviznin nëpër magjistrale, Ismetin e gjeti në vendlindje por në detyra shumë të rëndësishme, sepse e kishte parasysh hakmarrjen që mund ta bënin hordhitë serbe mbi popullatën e pafajshme civile pas goditjeve që këto banda të çthurura të Zhiliqit pësonin prej aviacionit të NATO-s nga njëra anë, dhe forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ana tjetër me ç’rast pikërisht atyre ditëve shkatërrohet totalisht një tog paramilitarësh që depërtuan në fshatin Landavicë por u ballafaquan me Tahir Haki Gashin dhe grupin. Predhat e para fillojnë për të rënë kah ora 10,00 të 26 marsit ndërsa Landavica mobilizohej për të mos e braktisur fshatin, sipas urdhërit të Shtabit Operativ të Zonës së Pashtrikut në Reti, urdhër të cilin e mori dhe e mbështeti vetë Ismet Gashi, dhe më së pari, prej Xhamisë, motelit të Landavicës e pikave të tjera kodrinore, granatohen shtëpitë e Gashëve e në këto rrënime Ismeti mbetet pa nënën dhe nipin Afrimin, pa Kosovaren e Kushtrimin, e me të plagosurit: i vëllai Eqremi, nipi Rasimi, mbesat Emina e Myfida, kunata Shkurta, e duke i tërhequr të rënët dhe të plagosurit u përjetësua edhe vetë në krye të detyrës luftarake, kurse në lagjen e Morinëve pësojnë Fatimja, Njomëza e Festina-foshnje, ende pa e mbushur një vit. Në lagjen e Qerretëve, bri gërmadhave shuhet jeta e Bukurisë, Diellëzës, Gëzimit e Nazmisë, kurse të plagosur rëndë mbetën edhe trembëdhjetë banorë të fshatit Landavicë.
Por, në krye të të gjithëve mbetet edhe Ismet Selman Gashi, trupi i pajetë i të cilit u zbulua tek më 19 qershor të vitit 2004, pas identifikimeve në morgun e Rahavecit. Ceremoniali i përcjelljes për në përjetësi u bë po këtë ditë nën përcjelljen e bashkëluftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut dhe me protokol të Zonës II të Trupave Mbrojtëse të Kosovës të cilët e bashkuan edhe Ismetin pranë dëshmorëve të kombit në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Landavicë. Në këtë tubim krenarie, për personalitetin intelektual dhe për kontributin e luftëtarit të lirisë Ismet Gashi, në mbrojtjen e shkollës shqipe, në grumbullimin e mjeteve për të ardhurat e arsimtarëve, në mbrojtjen e të ndjekurve, veçanërisht të profesor Ukshin Hotit, në ngritjen e shkollës së fshatit dhe pagëzimin me emrin “Ardhmëria”, në ngritjen e xhamisë së fshatit, në pajtimin e Gjaqeve dhe të Ngatërresave dhe në shumë procese të transformimit të fshatit, në mbledhjen e mjeteve për mobilizim, në organizimin e rezistencës së armatosur, në konsolidimin e togut të Landavicës dhe për shaktërrimin e togut të paramilitarëve serbë në Landavicë, folën shumë bashkëluftëtarë, komandantë e familjarë dëshmorësh, kurse në fund edhe u thanë vargjet më të fuqishme nga nxënësit e shkollës fillore të Landavicës, nga bashkëluftëtarët dhe familjarët e dëshmorëve, kurse shkrime për dëshmorin bënë Nexhat Qoqaj e Qazim Thaçi.
Në çdo pranverë të pasluftës, Landavica bën përgatitje për shënimin e përvjetorit të përjetësisë së: Përparim e Hamit Thaçit, Eshimit, Halilit, Tahirit e Ismet Gashit, të Hysni Morinës, ndërsa bijve e nipave të Ismetit u mbetet që me krenari ta kujtojnë t’anë dhe gjyshin madhështia e të cilit do t’i burrërojë të bijtë: Arbenin, Gazmendin, Shkëlzenin e Mençurinë dhe Kosova do të ketë përherë Hamza e Adema. E Zhiliqi? – Bozhidar Zhiliqit, komandantit të brigadës së motorizuar i mbeti gishti në gojë, sepse Kosovën nuk do ta shohë kurrën e kurrës, do t’ia groposin ndërgjegjen hijet e atyre që i kishte prerë e vrarë në Krushë e Landavicë e i kishte transportuar në Batajnicë. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Musa Selman Begu (19.10.1969 - 17.9.1998)

Musa Selman Begu (19.10.1969 – 17.9.1998)

Në familjen Begu të Kaqanollit, që ishte e njohur për trimëri jo vetëm në Shalë ...