Muhamet Derri: Politika lakuriq- vështrim për librin “Romantika e luftës së UÇK”, e autorit, Dilaver Goxhai

Autori,  Dilaver Goxhai, njëherësh Shpëtim Golemi, këtë radhë doli para lexuesit me librin e tij “Romantika e Luftës së UÇK-së”. Mendoj se është një titull mjaft i goditur, po të kemi parasysh atë çfarë ai trajton në të. Tema dhe titulli, krijojnë një unitet karakteristik, gjë që e vëmë re në të gjithë krijimtarinë e tij publicistike, letrare e artistike.

Kjo ndodh ngaqë romantizmi është brenda qenies së tij njerëzore dhe, kushdo që ia ka lexuar këtë lloj veprimtari të tij, kupton që romantizmi e ka  shoqëruar atë gjatë gjithë jetës.  Në adoleshencë, romantizmi është shumëngjyrësh dhe përfshin të gjitha fushat e dijes, duke luftuar të realizoi atë më të vështirën, që i mungon jo vetëm individit, por gjithë shoqërisë ku jeton e punon ai.

Kosovës i mungonte liria. Bijtë e saj romantikë, ëndërronjësit e saj, u ngritën të gjithë në këmbë. Dhe jo vetëm ata, por të gjithë njëgjuhësit e shqipes nëpër botë, duke krijuar formacionin më të madh luftarak, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke u ndeshur me makinerinë e hekurt të pushtuesit serb dhe fituan, edhe pse ajo lubi ushtri përkrahej heshtas në prapavijë nga një ushtri e tërë pacifistësh shqiptarë.

Romantizmi i ndjenjës për të qenë i lire, dihet se është forca më e fuqishme shtytëse për t’u përballur me çdo vështirësi. Ai të nxit e të frymëzon të sakrifikosh gjithçka, edhe jetën, për të pasur popullin tënd të lirë, për të punuar e jetuar i lirë dhe kur ai është masiv, ai preterit tërë shoqërinë.

Një nga këta romantikë të përparimit e të pavarësisë kombëtare është edhe vet autori i këtij libri. Është ajo romantikë që, edhe pse autori kish një rehati relative, me një mirëqenie mesatare apo afër saj, me një familje të rregullt, me shoqëri e miqësi të zgjedhur intelektuale, por, duke qenë edhe me një zemër të madhe kombëtare, me ëndrrën e lindur që në adoleshencën skënderbegase të tij, e përtej saj, i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka që kombi të ishte i lirë në tokën dhe trojet e veta, të trashëguara që nga lashtësia e largët, sa nuk mbahet mend, e bënë atë që të shkonte me dëshirë e vullnet në luftën për çlirimin e Kosovës.

Kështu u nis autori, në një mesnatë dy herë të frikshme: njëra ishte koha e acartë plot borë e shi dhe tjetra, përndjekja e pushtetarëve të vetë shqiptarë, që çlirimtarët i cilësonin si terroristë! Por, sikundër del nga përmbajtja e librit në fjalë, për fat të keq, kështu ka ndodhur dhe po ndodh edhe pas asaj lufte me të gjithë luftëtarët e thjeshtë të asaj ushtrie çlirimtare, që jetojnë në Kosovë, të tradhtuar nga bashkëluftëtarët bashkëkombës të vetë!

Ka qenë traditë e kahershme ndër ne shqiptarët këtej që, kur djali nisej për të kryer shërbimin ushtarak, përcillej me një ceremoni tej martesore, sepse do të përgatitej për të mbrojtur atdheun, jetën, familjen dhe pasurinë kombëtare nga orekset grabitqare të të huajve. Madje këtë lloj përcjelljeje ne labët e përjetësuam edhe në këngë: “Mirëupafshim nëna ime, / Do shkoj të ruaj kufinë, / Atje më thërret Atdheu, / Do shkoj të kryej ushtrinë”. Po kështu pritej, gjithë gëzim e hare, kur kthehej nga ushtria, ku merrte pjesë i gjithë fshati.

Po këta çlirimtarët tanë vullnetarë, që shkuan në luftë, (dhe jo në shërbimin e detyrueshëm ushtarak shtetëror), për të marrë pjesë në çlirimin e Kosovës, si u përcollën vallë, dhe si u pritën kur u kthyen prej asaj lufte? Përgjigja e kësaj pyetjeje, e cila del qartë në këtë libër, është sa e dhimbshme, aq edhe tragjike. Të përndjekur në ikje dhe të persekutuar e burgosur edhe pse u kthyen fitimtarë me lirinë e ëndërruar në shekuj. Ata u trajtuan dhe trajtohen prej gjithë politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë, këtej e andej kufirit, ashtu sikundër e ka përshkruar poeti ynë i madh Ali Asllani qysh kur mbaroi Lufta e Vlorës, në 1920, dhe që është aktuale dhe sot: “Ç’do të thotë patriot, / Sot për sot në Shqipëri? / Një tufë Ah!, e  një tufë lot, / Një njeri i pa njeri!”

Në librin e autorit Dilaver Goxhaj evidentohet qartë e në mënyrë të përsëritur se çlirimtarët vullnetarë u nisën drejt vdekjes për jetën e lirinë për pjesën e shtypur të kombit, pa bërë pazare fitimi, pushteti e privilegjesh morale a përfitime materialesh. Privilegji i vetëm i tyre është krenaria për çka bënë; është gjaku i derdhur i shokëve të tyre dhe sakrificat që ata bënë, ndaj dhe nuk i mposhti dhe nuk do t’i mposhti kurrë as “harresa” me vetëdije e të ardhurve në pushtet, të të dy shteteve shqiptare, as pengesat dhe intrigat e ngritura nga pushtetarët e ndryshëm dhe personat e nxitur prej tyre, dhe as mosmirënjohja jo vetëm e pushtetarëve të këtyre dy shteteve tona, por as edhe ajo mosmirënjohja e shoqëruar me fyerje nga një lloj Kryetari i LPK-së dhe një anëtari të kryesisë së asaj LPK-je, (Bedri Islami e Ibrahim Kelmendi), e shprehur kjo në librin e tyre të kohëve të fundit, “Lëvizja”, që i etiketojnë si agjentë dhe mercenarë. Ligësia nuk paska kufi! Por dhe krenaria e këtyre luftëtarëve të paepur, nuk paska kufi! Kjo del qartë edhe në librin “Romantika e luftës së UÇK”, ku ndeshet krenaria me ligësinë dhe mosmirënjohjen dhe, kuptohet, fiton krenaria e çlirimtarëve vullnetarë. Ata kanë të drejtë të jenë krenarë, pasi kanë fituar në luftë me dy ushtri: Me forcat e armatosura të Serbisë dhe me ushtrinë agjenturore  shqiptare 80 mijëshe. Një fitore e pashoqe në historinë e luftërave botërore, edhe pse UÇK-ja ishte katër herë më pak se ushtria agjenturore dhe pesë herë më pak se ushtria serbe! Ndaj dhe me të drejtë autori e ka quajtur “Romantika e UÇK-së”. Kjo lloj krenarie dhe kjo lloj fitore e tyre i ka bërë të gjithë politikanët dhe pushtetarët shqiptarë ta ndjejnë veten inferiorë dhe të jenë xhelozë, e cila s’është gjë tjetër veçse sëmundje pasionante e mendjeve të verbuara dhe i shpirtit të vockël.

Të gjithë ata që mbushën radhët e UÇK-së janë skalitur në monumentin liri, që mbetet i përjetshëm, ashtu siç është dhe ëndrra dhe ideali i tyre. Edhe çlirimtari Shpëtim Golemi, (kështu dua ta quaj, me emrin që ai mori në llogoret e luftës), nuk u mposht nga përndjekjet e atyre që kishin bërë ortakëri me pushtuesit serbë, të cilët i dënoi sa ashpër dhe në mënyrë tepër inteligjente plaku patriot tetëdhjetë e ca vjeçar, i dënuari politik i Goli Otokut, preshevari Ali Aliu–Presheva, në sallën e gjyqit, kur kërkoi ta puthte në ballë, në sytë e trupit gjykues të Tiranës, luftëtarin vullnetar nga Labëria, djalin e autorit të këtij libri, të akuzuar për dezertor nga ushtria e shtetit shqiptar, pse kish shkuar e luftonte në radhët e UÇPMB-së, duke u thënë: “Ju bani ashtu si u thonë ligjet apo qeveritarët tuaj, unë i them këtij djali: Faleminderit shumë…. që erdhe të japësh edhe jetën për çlirimin e Preshevës time!”, (f.24). Trupi gjykues, i vënë nga urdhri i pushtetit të Tiranës, nuk e dëgjoi fjalën e patriotit prej Kosove dhe e dënoi çlirimtarin me 13 muaj burg, (djali dhe bashkëluftëtari i autorit të këtij libri), duke i prerë avenirin e jetës së tij në moshën 25 vjeçare!

Autori bën një paralele kuptimplote kur thotë: “Çetën e kohës së Çerçiz Topullit e luftoi perandoria e Sulltanit, ndërsa çetën-ushtrisë të Preshevës e luftoi Perandoria e Solanës.”, (f.25). Perandoria e Solanës qendrën ushtarake e kish në Beograd, ndërsa jeniçerët e saj ishin në të dy anët ku jetonin shqiptarë, të cilët i luteshin zotit që të mos e lejonte NATO-n të  ngacmonte padronin e tyre Serb! Ndaj dhe poeti, i revoltuar, i bëri dikur Rogovës pyetjen retorike: “Në kullën e Jasharajve, serbët natën kush i shpuri?”

Në këtë libër, Shpëtim Golemi nuk flet e shkruan me gjuhën e diplomatëve. Ai flet me gjuhën e një teoricieni ushtarak me përvojë. Ai analizon luftën e UÇK-së, duke hequr paralele me gjithë luftërat e tjera çlirimtare, taktikat dhe strategjitë e saj dhe pjesëmarrësit në to, forcat pro dhe kundër dhe i përgjigjet pozitivisht pyetjes se kush do të jetë fitimtari i këtyre lloj luftërave, duke thënë: Populli i shtypur! Kështu u veprua edhe në Kosovë. Nga disa pushkë u krijua një ushtri prej dhjetëra mijëra luftëtarë, duke vërshuar nga e gjithë bota shqipfolëse, porsa dëgjuan zërin: “Atdheu Thërret!” Këta luftëtarë bënë që të shpërgjumej Evropa, sado që pacifistët dhe përkrahësit e tyre nanurisnin përgjumjen ndaj kësaj lufte heroike. Mirëpo, Amerika dhe Evropa, ja hoqi UÇK-së vellon e të quajturit “terroriste” dhe e quajti me emërin e saj të vërtetë: Ushtri kryengritëse.

Midis të tjerave, autori na jep një fakt jashtëzakonisht tronditës, përmes intervistës me refugjatin prishtinas, kambistin Ismet Myftar Berishën, i cili, si gjithë popullsia e Prishtinës, i përzënë me dhunë nga policia dhe ushtria serbe, kur mësoi në mesnatë se autobusi po i çonte nga Maqedonia në Shqipëri, i thotë bashkëshortes së tij: “Më mirë do të ishte me na çu në Beograd se sa në Shqipëri!”, (f.12). Dhe këtë e kujtonte me një ndjenjë turpi, (që thotë se s’ka për t’ju larguar kurrë nga kujtesa), që të nesërmen në orët e para të mëngjesit, kur ra në kontakt me vëllezërit dhe motrat korçare, mikpritës e bujarë. Dëshmi më domethënëse për investimin kolosal të pushtetarëve dhe politikanëve të atëhershëm të Kosovës dhe të pushtuesve serbë, për ta paraqitur Shqipërinë dhe shqiptarët si njerëz të egër e terroristë, sikundër etiketuan edhe UÇK-në, “terroriste” e “dorë e zgjatur e Serbisë”, nuk mund të gjesh.

Gazetarja e radio Kosova e Lirë ia ka bërë autorit pyetje nga më profesionalet, gjë që i ka dhënë mundësi atij që të na japi portrete individësh apo grup luftëtarësh me një vërtetësi tronditëse për sakrificat dhe vetëmohimin e tyre; ndërsa në anën tjetër të na japi portrete politikanësh për mënyrën e marrjes së pushtetit, me tërë kalbëzimin shpirtëror e moral të tyre, me etjen lubi për t’u pasuruar përmes pushtetit. Kur e përfundon librin së lexuari, për këta të fundit, të krijohet përshtypja sikur autori i ka zhveshur lakuriq dhe i fshikullon me hithrën më djegëse, dhe që është e vërteta. Por edhe ata nuk kanë për t’ia harrur këtë të “rrahur” të tij, ndaj dhe ka pasë gjithë këto persekutime shtetërore të të dy anëve.

Në libër jepen plot fakte, ngjarje, data, heroizma, siç ka edhe ngjarje tragjike, masakra masive të serbëve, djegie fshatrash të tëra e shkatërrime, përdhunime, grabitje e plot krime që provoi populli shqiptar në Kosovë, veçanërisht në ato vite lufte.

Në mbyllje të këtyre shënimeve, që nuk janë as më të mirat dhe as të fundit, më lindi nevoja ta thërrisja dhe  ta pyesja edhe më gjerë autorin. Ishin ditët kur festohej 5 Vjetori i Republikës së Kosovës. Pasi e kërkova në telefon tre ditë rresht, m’u përgjigj ditën e katërt. E urova për festën e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke menduar për kontributin edhe të tij në atë fitore, duke e quajtur të domosdoshme pjesëmarrjen e tij dhe të shokëve të tjerë vullnetarë nga shteti ynë, pjesëmarrjen e tyre në atë përvjetor jubilar.

“Po, more, m’u përgjigj, pata urime nga shumë bashkëluftëtarë dhe qytetarë të Kosovës, duke më marrë në telefon ose me kanë shkruar në e-mail, por i ftuar nga bashkëluftëtarët tanë që sot janë në pushtet në Kosovë, as që mos të të shkojë ndër mend, asnjë nga ne, sepse nuk jemi as ministra e as deputetë, gjë që nuk plotësojmë kushtet e ftesës”.

Mendova: një degë hithësi në trupin lakuriq të pushtetarëve dhe politikanëve kosovarë. Dhe, pasi kaluan disa minuta heshtjeje, e pyeta nëse ai dhe shokët e tij kanë ndonjë fije pendese pse shkuan në atë luftë. Dhe ai m’u përgjigj me këto fjalë, që unë më pas i rendita me këto vargje, të shkëputura nga poezia ime: “Pse vajta në luftë”: “Ish lebetia e një nëne në mesnatë, / Që vajzën e vetme ja rrëmbyen nga gjiri. / Pushtuesit para saj e përdhunuan / Dhe shtëpisë i mbeti vetëm hiri. / Fëmijë lidhur në djepe druri, / Mbi shpinë të nënës nga uria lotonte, / Kur pushtuesi nga vatra i përzuri. / Ish dhimbja njerëzore që në luftë na ftonte!”.

 

Shtator, 2013

 

 

PSE VAJTA NË LUFTË… ?!

Ja si m’u përgjigj një luftëtar çlirimtar,

kur unë e pyeta një ditë se

pse shkoi në luftë, në Kosovë.

 

Dëgjomë, o mik, me përkushtim.

Në luftë vajta me plot dëshirë.

Se kombin tim, atdheun tim

E dua pa pranga e zinxhirë.

 

Kombi im përnatë vajtonte

Fatin e zi, nënshtrimin.

Shpirti i tij nuk e duronte

Vrasjen, djegien, përdhunimin.

 

Ish zëri i kombit në lëngatë,

Që nga bijtë e tij ndihmë kërkonte,

Që më ushtonte në vesh ditë e natë.

Ky zë në luftë do të më çonte.

 

Një zë, që tej shekujve më erdhi,

I fisit që breza të tërë luftuan,

Një lumë gjaku në luftëra derdhi

E atdheun nga mashtruesit e çliruan.

 

Hej heeej!, bërtasim sot fort nga gëzimi.

Fituam! Të gjithëve na ndrit fytyra.

Nuk na mund aspak trishtimi,

Për punë pushtetarësh të ndyra.

 

Shtet deshëm, shtet krijuam.

Se luftuam dhëmb për dhëmbë.

As tituj e dekorata s’kërkuam,

Përmendorja LIRI për jetë në këmbë!

 

Tërmeti tradhtisë le të jetë ballë shumë,

Lirinë e një kombi përtokë dot’ s’e shtrin,

Se bijtë e tij kurrë s’i zë dot në gjumë,

Kur bisha nëpër pyje për gjak ulërin.

 

Misionin që na ngarkoi historia,

Me nder dhe dinjitet e kryem.

Për intrigat që na thurë tradhtia,

Kokën prapa kurrë nuk e kthyem.

 

Ishte ai, zëri i burrit moshë thyer,

Që tërë jetën bukën e ngjeu me gjak.

Nga pushtuesit sa herë kocka thyer.

Ish kombi që na thirri për hak.

 

Ish lebetia e një nëne në mesnatë,

Që vajzën e vetme ja rrëmbyen nga gjiri.

Pushtuesit para saj e përdhunuan

Dhe shtëpisë i mbeti vetëm hiri.

 

Fëmijë lidhur në djepe druri,

Mbi shpinë të nënës nga uria lotonte,

Kur pushtuesi nga vatra i përzuri.

Ish dhimbja njerëzore që në luftë na ftonte!

 

Ishin trokitjet në mesnatën e ngrirë, që

Fshatra dhe qytete shpërgjumnin me frikë

Dhe trupat pa jetë rrugëve shtrirë

Nga plumbat e “mikut’ armik…

Ndaj ne në luftë shkuam me vrik!

 

Muhamet Derri

RM, Itali, Shtator 2013

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …