Komuna e Malishevës përmes faqes zyrtare në facebook ka shpërndarë njoftimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për maturantët se nga nesër (e martë 27 maj 2025), do të fillojë aplikimi për Provimin e Maturës Shtetërore. Aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova dhe do të zgjasë deri më 10 qershor 2025, ndërsa aprovimi i aplikimeve nga koordinatorët e shkollave do të bëhet nga 01 deri më 11 qershor 2025.
Provimi i Maturës Shtetërore në Kosovë është planifikuar të mbahet më 21 qershor 2025, kurse rezultatet do të publikohen më 30 qershor 2025. Nxënësit që e kalojnë Provimin e Maturës do të mund të shkarkojnë certifikatën digjitale nga platforma e-Kosova.
Testi do të zhvillohet në një ditë të vetme dhe do të përfshijë katër lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe një lëndë me zgjedhje. Secila lëndë do të ketë nga 25 pyetje, me gjithsej 100 pyetje.