Me nderime u përkujtuan dëshmorët e Komunës së Malishevës të rënë në Betejën e Rahovecit.

Me homazhe dhe nderime, janë përkujtuar dëshmorët e Komunës së Malishevës që ranë heroikisht në betejën e Rahovecit. Në këtë betejë dhanë jetën për lirinë e atdheut: prof. Hamdi Berisha, Gani Paçarizi, Ramadan Morina, Sadik Shala, Habib Berisha, Liman Gegaj, Afrim Krasniqi dhe Ruzhdi Xhuliqi.

Në përkujtim të tyre, përveç familjarëve dhe bashkëvendësve, homazhe dhe nderime bënë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Argjend Thaçi, Metush Kryeziu nga dega e OVL të UÇK-së, deputeti Nait Hasani, Gjeneral Selim Krasniqi, përfaqësues të subjekteve politike dhe veteranë të luftës.

“Sot, 27 vite më pas, nderojmë e kujtojmë atë çfarë ka ndodhur në betejat e luftës sonë për liri. Kujtojmë ditët e vështira të asaj kohe, vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificën e korrikut të vitit 1998. Mirënjohja është virtyti më i mirë që manifestohet çdo ditë. Shpresoj që gjeneratat që vijnë do të jetojnë me lavdinë e krenarinë për vendin tonë, për të cilin është dhënë shumë, si në kohën për liri ashtu edhe në epokën e shtetndërtimit,” ka thënë në fjalët e tij përkujtimore kryetari Ekrem Kastrati.

Gjatë këtyre nderimeve u vlerësua lart kontributi i të gjithë dëshmorëve të kombit, të cilët ranë në altarin e lirisë për çlirimin dhe pavarësinë e popullit shqiptar.

Homazhet dhe nderimet u zhvilluan pranë varrezave të dëshmorëve, te lapidarët e ngritur në nder të tyre dhe në vendet e rënies së tyre në territorin e Komunës së Rahovecit.

Kontrolloni gjithashtu

Pensionohet ish drejtori komunal, Ajet Sallahu

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtor ka pritur sot në takim ish …