Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka njoftuar se kanë filluar konsultimet e para për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK), dokument strategjik që do të përcaktojë drejtimin e zhvillimit urban të qytetit në vitet e ardhshme.
Sipas Aliut, takimi u zhvillua me grupin e ekspertëve nga Komuna e Ferizajt dhe Instituti për Studime të Integruara (INSI), ku u diskutuan idetë fillestare dhe qasja që do të ndiqet gjatë procesit.
“Plani Zhvillimor Komunal është dokument bazë për planifikimin urban dhe për të ardhmen e Ferizajt. Me këtë plan do të mundësojmë zhvillim të balancuar, infrastrukturë moderne dhe një mjedis të përshtatshëm për jetesë e investime,” ka deklaruar Aliu.
Ky proces pritet të përfshijë konsultime të gjera me komunitetin, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile, në mënyrë që vizioni i ri urbanistik të reflektojë nevojat dhe potencialet e qytetit.