Kryetari Haliti priti në takim zv.komandantin e KFOR-it, gjeneral brigade Cahit Irican

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në një takim zv.komandantin e KFOR-it, gjeneral brigade Cahit Irican. Gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në komunën e Vitisë, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe mbështetjen që KFOR-i ofron. Kryetari Haliti falënderoi gjeneralin Irican për angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it dhe secilin ushtar që është në shërbim në Kosovë, në veçanti në komunën e Vitisë, si dhe për misionin e tyre në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend. Ai theksoi se Komuna e Vitisë është ndër komunat më të qeta në Kosovë, me raporte të mira bashkëjetese përkundër dallimeve fetare dhe etnike. Po ashtu, Haliti njoftoi për projektet ekzistuese dhe ato që parashihen, duke përmendur edhe partneritetet e shumta që komuna ka me qytete nga vende të ndryshme të botës. Nga ana e tij, gjenerali i brigadës Cahit Irican shprehu kënaqësinë që ndodhet në Viti, duke e vlerësuar si njërën nga komunat më të qeta dhe paqësore në Kosovë. Ai falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë me ekipet e KFOR-it, i cili sipas tij ofron një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. “Kur kemi siguri, është më e lehtë të punohet në zhvillimin ekonomik,” theksoi gjenerali Irican, duke garantuar vazhdimin e mbështetjes nga KFOR-i për iniciativat që kontribuojnë në siguri dhe mirëqenie në komunë.  Në fund të takimit, kryetari Haliti i dhuroi gjeneralit Irican një mirënjohje në shenjë vlerësimi për kontributin dhe bashkëpunimin e tij me komunën e Vitisë por një dhuratë me simbolet e KFOR-it pati edhe zv.komandanti  për kryetarin Haliti.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa i komunës së Rahovecit mbajti mbledhjen e radhës, të tetën për vitin 2025  

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, të mërkurën është mbajtur mbledhja e radhës e teta …