Bellanica jep shembull – Vazhdon aksioni ekologjik “Për Malishevën e pastër” me mesazh për mbrojtjen e ambientit

Në kuadër të projekt-aksionit ekologjik “Për Malishevën e pastër”, sot ka vazhduar aktiviteti për pastrimin dhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e mjedisit në Këshillin Lokal të fshatrave Bellanicë dhe Bardh. Ky aksion është pjesë e nismës njëmujore që po zhvillohet në të gjithë Komunën e Malishevës, me qëllim përmirësimin e pastërtisë dhe ngritjen e vetëdijes qytetare për mbrojtjen e ambientit.

Aktivitetit i ka prirë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, i cili njëherësh është edhe drejtues i taskforcës së formuar për realizimin e këtij aksioni. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe drejtorë të drejtorive komunale, zyrtarë komunalë, njësia e “Ekoregjionit” në Malishevë, kryetari i këshillit lokal së bashku me qytetarë të tjerë, si dhe mësimdhënës e nxënës të shkollave.

Meqenëse fshati Bellanicë njihet si njëri nga fshatrat model për mirëmbajtjen e ambientit, aksioni i sotëm kishte edhe karakter simbolik, duke shërbyer si shembull i mirë për komunitetet e tjera. Përveç aktivitetit të pastrimit, pjesëmarrësve u janë mbajtur edhe ligjërata ndërgjegjësuese për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.

Nënkryetari Vesel Krasniqi dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Izet Hoti, folën për qëllimin e aksionit njëmujor, duke theksuar rëndësinë e pastrimit të hapësirave publike, ruajtjes së ambientit dhe largimit të mbeturinave inerte nga vendet e papërshtatshme. Ata theksuan se një ambient i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm nga institucionet dhe qytetarët.

Përmes këtij aksioni, Komuna e Malishevës synon të forcojë kulturën e kujdesit ndaj natyrës dhe të dërgojë një mesazh të qartë se mbrojtja e ambientit fillon nga secili prej nesh.

Kontrolloni gjithashtu

Përkujtohet në 28 vjetorin e rënies Heroi i Kosovës, Shejh Myhedin Shehu

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi së bashku me familjarë, miq, e bashkëpunëtorë, …