U mbajt mbledhja e dytë KKSB-së në Viti, u diskutua për sigurinë në këtë komunë

Në Komunën e Vitisë është mbajtur mbledhja e dytë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku u diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunë.

Mbledhjen e hapi nënkryetari i Komunës, Hasan Aliu, i cili përshëndeti të pranishmit, në veçanti përfaqësuesit e KFOR-it amerikan, OSBE-së, organizatës EDUTASK, bashkësive fetare, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante.

Në këtë takim u miratua procesverbali i mbledhjes së kaluar, ndërsa më pas u diskutua për sigurinë publike në Komunën e Vitisë, përfshirë sigurinë në trafik, sigurinë pranë shkollave, hapësirave publike dhe vendeve ku zhvillohen aktivitete të ndryshme komunale.

Zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Viti, i pranishëm në takim, paraqiti gjendjen e sigurisë në komunë, duke theksuar se situata është e qetë dhe e menaxhueshme, ndërsa u vlerësua bashkëpunimi i mirë ndërmjet Policisë së Kosovës, Komunës dhe institucioneve të tjera.

Takimit iu bashkua edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili njoftoi të pranishmit për aktivitetet e shumta që pritet të zhvillohen gjatë periudhës së ardhshme në komunë.

Ai theksoi se Vitia gjatë këtij sezoni do të jetë aktive me ngjarje kulturore, sportive, rinore dhe tradicionale, përfshirë koncertin e muzikës elektronike, Samitin Global Rinor për Paqe, Turnirin “2 Korriku”, aktivitetet për mikpritjen e mërgatës, festën e 1 gushtit, Ditët e Zojës në Letnicë dhe aktivitete të tjera.

Në fund u theksua përkushtimi i Komunës së Vitisë që, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe partnerët vendorë e ndërkombëtarë, të kujdeset për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që do të organizohen në komunë.

Kontrolloni gjithashtu

Përfaqësues të Komunës së Rahovecit morën pjesë në punëtorinë njëditore me temë “Vërshimet në Rahovec”, organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent

Sot, përfaqësues të Komunës së Rahovecit morën pjesë në punëtorinë njëditore me temë “Vërshimet në …