Në Ferizaj u mbajt mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në të cilën u diskutuan çështje me rëndësi që lidhen me sigurinë publike, rendin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Komunës së Ferizajt, Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë, arsimit dhe shëndetësisë, si dhe anëtarë të tjerë të Këshillit.
Në hapje të mbledhjes, koordinatori i KKSB-së, Albion Sherifi, theksoi se fokusi i takimit ishte diskutimi i gjendjes së sigurisë në Komunën e Ferizajt dhe identifikimi i prioriteteve për periudhën në vijim.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke vlerësuar rolin e KKSB-së si një mekanizëm të rëndësishëm koordinues.
Ndërkaq, Ismet Dervishi, përfaqësues i Policisë së Kosovës në Ferizaj, bëri të ditur se gjendja e sigurisë në qytet vlerësohet e qetë, pavarësisht disa rasteve të izoluara të ndodhura kohëve të fundit. Ai shtoi se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet parandalimit të dukurive negative, rritjes së sigurisë në komunikacion dhe forcimit të bashkëpunimit me komunitetin.
Pjesëmarrësit vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve mbetet faktor kyç për ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë. Gjithashtu, u theksua nevoja për vazhdimin e aktiviteteve parandaluese dhe koordinimin e veprimeve në adresimin e sfidave të sigurisë.
Në përfundim të mbledhjes, u dakorduan hapat e mëtejmë dhe u riafirmua përkushtimi i të gjitha institucioneve për të kontribuar në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) është një mekanizëm lokal që bashkon institucionet dhe përfaqësuesit e komunitetit për të trajtuar çështjet e sigurisë në nivel komunal dhe për të forcuar bashkëpunimin në interes të qytetarëve.