Kryetari i komunës së Ferizajt dhe i Asociacionit të komunave të Kosovës, z. Agim Aliu në një postim të tij në Facebook, ka shkruar se Qeveria Qendrore po shtyn komunat buzë shkatërrimit, me arkat buxhetore bosh, pa shërbime, pa projekte për qytetarët, me tendenca të qarta centralizuese e të kundërligjshme, duke cenuar rëndë autonominë e funksionimin e Komunave të Kosovës.
“Bashkë me kryetarët e komunave dhe mijëra zyrtarë komunal e qytetarë protestuam në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me besimin e deleguar nga qytetarët, në emrin e tyre e për shërbimet që qytetarët presin nga ne, për t’i thënë MJAFT qasjes së padrejtë e të pabarabartë të qeverisë qendrore, që po shtyn komunat buzë shkatërrimit, me arkat buxhetore bosh, pa shërbime, pa projekte për qytetarët, me tendenca të qarta centralizuese e të kundërligjshme, duke cenuar rëndë autonominë e funksionimin e Komunave të Kosovës.
Komunat nuk janë të kryetarëve, komunat janë të qytetarëve, andaj në emrin e tyre e për shërbimet që i ofrohen qytetarëve kërkojmë nga Qeveria:
• Kompensimin e mjeteve të marra nga buxhetet komunale për kontratat kolektive;
• Zbatimin e normës së përvojës së punës prej 0.5% dhe mbulimin e kostos nga buxheti qendror;
• Financimin e plotë të arsimit parauniversitar dhe të rreth 3,100 mësimdhënësve të pambuluar;
• Mbrojtjen e pronës dhe kompetencave komunale;
• Ndarjen e 2 milionë eurove të mbetura nga Granti i Performancës Komunale;
• Përgjegjësi për humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian të destinuara për komunat;
• Kompensimin e dëmeve nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore;
• Themelimin e Grantit të Katërt për investime kapitale;
• Ndarje të drejtë dhe transparente të investimeve;
• Përfshirjen e detyrueshme të komunave në vendimmarrjen për çështjet që i prekin ato.
MOS UA MERRNI KOMUNAVE ATË QË U TAKON QYTETARËVE!, ka shkruar kryetari Agim Aliu.