Natë emocionuese në Krushë të Madhe, ku sporti dhe nderimi për dëshmorët dhe martirët tanë u bashkuan në një organizim madhështor të nivelit të lartë, ka shkruar në profilin e tij në facebook, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.
64 ekipe nga e gjithë Kosova morën pjesë në këtë turne të madh, i cili nisi më 1 korrik dhe për 19 net rresht, fusha e bukur e sportit, e realizuar me cilësi e përkushtim nga Komuna jonë, kishte plot garë e spektakël.
Në finalen e madhe, luajtën NTPN KRASNIQI / ND HIDROIZOLIMI dhe ËMBËLTORE ADI, e cila përfundoi me rezultat 7:4.
Finalja u zhvillua në një atmosferë festive dhe energji të jashtëzakonshme, për të kurorëzuar ekipin kampion të këtij edicioni.
Urime ekipit fitues – për paraqitjen e shkëlqyer dhe fitoren e merituar!
Mbrëmja u pasurua me valle dhe këngë nga Ansambli “Bajram Curri – Krushë e Madhe”, që këtë vit shënon 50 vjetorin e themelimit, si dhe këngëtari i shquar dhe artisti i madh, Arif Vladi, solli emocion dhe atmosferë të veçantë me performancën e tij.
Falënderim për këshillin organizues dhe Drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po ashtu për të gjitha ekipet garuese, donatorët, ekipin mjekësor të QKMF “Dr. Fahredin Hoti” – Rahovec, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, si dhe për pjesëmarrësit dhe qytetarët e shumtë, që e bënë këtë turne një ngjarje për t’u kujtuar gjatë!
Komuna jonë do të vazhdojë të jetë përkrah sportit dhe sportdashësve, përmes mbështetjes së fortë si në infrastrukturë sportive, ashtu edhe në mbështetje të të rinjëve.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të Krushës së Madhe, përfundon postimin e tij në facebook, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi.