Drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, Arbëresha Krasniqi, e shoqëruar nga stafi i drejtorisë, ka mbajtur sot një takim pune me drejtorët e shkollave të komunës, të cilët i falënderoi për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në menaxhimin e institucioneve arsimore.
“Ju falënderoj dhe ju përgëzoj për punën që bëni në drejtimin e shkollave. Së bashku do të angazhohemi maksimalisht për realizimin e detyrave dhe objektivave tona. Jam e bindur se, me bashkëpunim, do t’ia dalim”, u shpreh drejtoresha Krasniqi.
Gjatë takimit, ajo foli edhe për sfidat që hasen në punën e përditshme. Duke u ndalur te mungesat e paarsyeshme, theksoi se nuk do të tolerohet asnjë mungesë pa arsye dhe se synimi i përbashkët është zvogëlimi i mungesave të nxënësve, të cilat mbeten një ndër sfidat kryesore.
“Aty ku kemi mangësi, do t’i përmirësojmë, në mënyrë që të mos ketë pengesa në procesin e mësimdhënies dhe në rritjen e cilësisë”, shtoi ajo.
Në vijim, drejtoresha Krasniqi dhe shefi i drejtorisë, Sabit Berisha, zhvilluan një bashkëbisedim me drejtorët e shkollave, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve dhe çështjeve të ngritura prej tyre.
Në fund, drejtoresha Krasniqi, i ka uruar të gjitha shkollat në prag të shënimit të “Epopesë së UÇK-së” dhe 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.