Mbrëmë, qyteti i Ferizajt ishte në festë. Me një ceremoni madhështore, e shoqëruar nga fishekzjarre, muzikë dhe emocione të forta, u përurua nënkalimi më i madh në historinë e infrastrukturës rrugore në Kosovë. Projekti monumental, i vendosur pranë Stacionit Policor, u përshkrua si “vepra identitare” e Ferizajt nga vetë kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Nën dritat e shumëfishta dhe atmosferën festive ku dominonin ngjyrat bardhë e blu – të shoqëruara me valvitjen e flamurit amerikan në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së – qytetarët e Ferizajt përjetuan një moment historik për qytetin e tyre. Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve lokale, banorë të shumtë, fëmijë dhe të rinj që e kthyen përurimin në një festë popullore.
“Mes buzëqeshjeve të fëmijëve, energjisë së jashtëzakonshme dhe entuziazmit të pamatshëm të qytetarëve… përuruam veprën identitare të Ferizajt, një kryevepër infrastrukturore – Nënkalimin tek Stacioni Policor. Ta gëzojë Ferizaj, ta gëzojnë ferizajasit për brezat sot e të së ardhmes!”, ka shkruar kryetari Aliu në një postim në Facebook, duke shpërndarë edhe pamje emocionuese nga ceremonia.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
