Njerëzit edhe pas vdekjes jetojnë përmes gjurmëve që lënë pas, të cilat nuk duhet të mbulohen nga pluhuri i harresës. Popujt me vetëdije të lartë nuk e matin jetën e njeriut me vite, por me trashëgiminë që ai lë pas. Në këtë kuptim, jeta dhe vepra e profesorit tonë të nderuar zënë një vend të veçantë.
Shkrimtari zakonisht ka qenë pjesë aktive në jetën e popullit dhe në përpjekjet e tij. Si prijës shpirtëror i ka rënë për hise barra e apostullit, ngase i është dashur që bashkë me penën ta mbajë edhe pushkën. Është shembulli i atdhetarit që ka ditur t’i përdorë që të dyja këto armë. I tillë është edhe profesori, studiuesi, kronisti, luftëtari e eprori Sabahajdin Cena.
Shkrimtari amerikan Mark Twain, shkruante: “Nga të gjitha gjërat që kam humbur, më ka marrë malli më shumë për mendjen”, dhe ky mendim përkon me profesorin Sabahajdin Cena, njeri me kontribute të mëdha dhe mbamendje të rrallë. Shoqëria jonë ka mbetur më e varfër për një fjalë, për një urtësi, për një kujtim e nderim për të rënët, për rrëfimin shkencor, për shpirtin fisnik.
Sabahajdin Cena u lidh shpirtërisht me rrëfimtarë, pleq të odave dhe njohës të letërsisë gojore, duke e shndërruar përvojën e tyre jetësore në pasuri të dokumentuar kombëtare. Ai do të bridhte, siç thoshte poeti Din Mehmeti, ,,me tupan të plakur pas shpine, nga dasma në dasmë, nga lindja në lindje, nga vdekja në vdekje.” duke e pasuruar fondin librar kombëtar. Duke mbledhur dhe publikuar këtë pasuri të madhe shpirtërore të kombit shqiptar, Sabahajdin Cena i ka bërë një shërbim të madh kombit. Ai punoi me përkushtim në mbledhjen, sistemimin dhe publikimin e folklorit tonë. Prandaj, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Rahovecit i kam financuar të gjitha librat e tij, ndër to edhe Prozën popullore legjendare.
Profesor Cena nuk prajti së shkruari as atëherë kur kërcisnin pushkët e lirisë. Përkundrazi, pena e tij vazhdoi të shkruajë, edhe atëherë kur nëpër fushëbeteja i binin shokët dhe toka mbushej me varre. Me fjalë të gdhendura me shpirt, ai u thuri himne qëndrese luftëtarëve që me gjak e forcuan pemën e lirisë. Mbështetur në këto kontribute, e pata emëruar këshilltar për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, duke besuar se ai ende kishte shumë për të dhënë dhe për të thënë.
Profesori shkroi artikuj shkencorë, botime dhe kronika për të gjallët dhe për të rënët, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kombëtare. Arkivi i tij përmban një pasuri të madhe dokumentare, e cila do të kërkojë kohë dhe përkushtim për t’u sistemuar e studiuar.
Ishte njeri i dijes, i odave të burrave, edukator i brezave, burrë që i kishte hije vendi dhe kuvendi. Dinte ta gdhendte fjalën për secilin dëshmor dhe për çdo zemër të lënduar. Me fjalët e tij ngushëllonte prindër, gra e fëmijë, duke u thënë me bindje: “Bijtë tuaj nuk ju kanë koritur, mbajeni kokën lart.” Këto fjalë mbeten edhe sot burim force dhe dinjiteti.
Siç thoshte shpesh edhe vetë: “Fundi stolis veprat.” Në këtë trevjetor, ky mesazh le të jetë udhërrëfyes për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe nxënësit e tij. Të krenohen me jetën, veprën dhe përkushtimin e prof. dr. Sabahajdin Cenës, sepse emri i tij do të jetojë gjatë në kujtesën tonë kombëtare, edhe përtej jetëve tona të shkurtra.