Në fshatin Gjylekar të Vitisë është mbajtur sot ceremonia solemne e inaugurimit të shkronjave të arta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë ngjarje mori pjesë zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e vendosjes së këtyre shkronjave si simbol i sakrificës dhe luftës së lavdishme të UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit.
Gjatë ceremonisë u bë edhe shpalosja e një memoriali, ku janë gdhendur emrat e dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë nga fshati Gjylekar: Hoxhë Jonuz Zejnullahu, Bafti Haxhiu, Kenan Halimi, Shaban Kajolli, Selami Ismajli dhe Mehmet Ismajli.
Në inaugurim ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili uroi vendosjen e këtij obelisku si dhe Ditën e Veteranëve. Ai theksoi se Kosova sot ka nevojë për një ushtri dhe një shtet të fortë, duke shtuar se përmes vendosjes së obeliskëve dhe memorialeve të tilla po jetësohet dhe ruhet historia e çlirimit të Kosovës.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Ahmet Jusufi, komandant i Zonës Operative të Karadakut, si dhe Shefket Musliu, komandant i UÇPMB-së.
Ngjarja u organizua nga këshilli iniciues i fshatit Gjylekar, ndërsa morën pjesë veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë.