leoni

Kastrati: Malisheva po hyn në një fazë të re të zhvillimit urban

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, dhe zyrtaren kryesore financiare, Valentinë Krasniqi, mbrëmë vazhduan me mbajtjen e dëgjimeve publike për hartimin e projektbuxhetit për vitin 2026. Qëllimi i këtyre takimeve është mbledhja e kërkesave dhe konsultimi me qytetarët për orientimin e investimeve kapitale në vitet në vijim, me theks të veçantë për vitin 2026. Takimi i radhës u mbajt me banorët e qytetit të Malishevës.

“Malisheva ka kaluar një periudhë të vështirë në aspektin urbanistik, prandaj vitet e fundit jemi fokusuar në investime të rëndësishme për qytetin. Kemi arritur të krijojmë themelet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe planifikim më të mirë urban. Sot mund të themi me bindje se Malisheva është në rrugën e duhur drejt një transformimi pozitiv,” tha kryetari Kastrati, duke folur për projektet e realizuara gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se qyteti po bëhet gjithnjë e më atraktiv për investime dhe se është rikthyer interesimi i kapitalit privat për të investuar në komunën dhe qytetin tonë.

“Hartimi i përbashkët i projektbuxhetit për orientimin e investimeve kapitale është një formë e rëndësishme e llogaridhënies, transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje,” shtoi Kastrati, duke i ftuar të pranishmit që të ndajnë mendimet dhe propozimet e tyre për drejtimin e buxhetit.

Buxhetin për vitin 2026 e prezantoi drejtori për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, i cili bëri të ditur se buxheti i përgjithshëm pritet të jetë rreth 22 milionë euro. Nga kjo shumë, 5.3 milionë euro janë të dedikuara për investime kapitale, ndërsa së bashku me të hyrat tjera, vlera e përgjithshme e investimeve pritet të kalojë 8 milionë euro.

Pjesëmarrësit në dëgjim paraqitën një sërë propozimesh që lidhen kryesisht me përmirësimin e infrastrukturës dhe mbrojtjen e ambientit. Ndër kërkesat më të përmendura ishin: rregullimi i rrugëve të dëmtuara, hapja e rrugëve të reja, sistemimi i shtratit të lumit, ndërtimi i një shëtitoreje nga qendra e qytetit deri tek liqeni në Mirushë, krijimi i kushteve për zhvillimin e bizneseve, si dhe largimi i mbeturinave inerte nga disa pjesë të qytetit. Këto propozime ishin në harmoni me prioritetet dhe planifikimet komunale për investimet në vitet e ardhshme.

Kontrolloni gjithashtu

Në Deçan, po rikthehet festivali Newborn Kosova, një festë e kulturës dhe traditës nga e gjithë bota

Për herë të dytë në Deçan, po rikthehet festivali Neëborn Kosova, një festë e kulturës …