Sot, Këshilli i Drejtorëve i Komunës së Malishevës, nën drejtimin e kryetarit Ekrem Kastrati, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, ku në qendër të diskutimeve ishte përgatitja për manifestimin tradicional “Epopeja e UÇK-së”, si dhe puna dhe angazhimet e drejtorive komunale gjatë javës së kaluar.
Në këtë takim morën pjesë edhe nënkryetari i komunës, Vesel Krasniqi, si dhe të gjithë drejtorët e drejtorive komunale.
Kryetari Kastrati theksoi rëndësinë e përmbushjes me përkushtim të detyrave institucionale, duke kërkuar angazhim maksimal në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe efikase për qytetarët e Komunës së Malishevës. Ai nënvizoi se “puna e përditshme e institucioneve duhet të jetë në funksion të interesit publik dhe në përputhje me politikat e qeverisjes komunale”.
Drejtorët raportuan për aktivitetet javore, realizimet konkrete dhe planifikimet për javën në vijim, me synimin e vetëm, përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Një pjesë e veçantë e mbledhjes iu kushtua organizimit të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, që mbahet më 5, 6 dhe 7 mars, në përkujtim të qëndresës heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz. U theksua se ky manifestim nuk është vetëm një datë në kalendar, por një moment reflektimi dhe nderimi për sakrificën që vulosi rrugën e lirisë.