Sot është mbajtur mbledhja e parë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Viti, e cila u kryesua nga zëvendëskryetari i komunës, Hasan Aliu. Në hapje të këtij takimi kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve, duke përmendur rëndësinë e këtij këshilli për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Ai ritheksoi se qeveria komunale mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve vitias, ndërsa foli edhe për ndikimin e kontratës kolektive, e cila sipas tij po paraqet sfida në realizimin e projekteve dhe menaxhimin e buxhetit, ndonëse komunat nuk janë nënshkruese të saj.
Po ashtu kryetari Haliti theksoi se komuna e Vitisë, përveç kujdesit për qytetarët e saj, po mbështet edhe komunën e Kllokotit, për shkak të mungesës së kapaciteteve në këtë të fundit.
Gjatë mbledhjes, sipas rendit të ditës, është diskutuar për gjendjen e sigurisë në komunë. Zv. kryetari Aliu deklaroi se situata e sigurisë në Viti vazhdon të jetë e qetë dhe stabile, duke falënderuar të gjithë kontribuuesit në këtë drejtim, në veçanti Policinë e Kosovës.
Ndërkohë, komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Ruzhdi Abdullahu, prezantoi një raport të shkurtër për periudhën janar–mars 2026. Ai bëri të ditur se gjatë kësaj kohe janë evidentuar 80 raste të veprave penale të llojeve të ndryshme, prej të cilave 15 janë ende në hetim. Sipas tij, shqetësuese në fillim të vitit kanë qenë vjedhjet në shkolla, por këto raste tashmë janë zbardhur. Ai shtoi se sfida mbeten përdorimi i narkotikëve si dhe përdorimi i mjeteve në komunikacion, si trotinetet dhe motoçikletat pa leje përkatëse dhe nga persona në moshë të papërshtatshme. Në fund të takimit, anëtarët e KKSB-së ngritën edhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë publike, duke dhënë propozime dhe rekomandime për përmirësimin e mëtejmë të gjendjes në komunë.