Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në një takim të veçantë Rrustem Rrustemin, me rastin e përfundimit të karrierës së tij profesionale dhe daljes në pension. Rrustemi ka shërbyer për vite me radhë në Policinë e Kosovës në Viti, në cilësinë e Zyrtarit të Inteligjencës dhe Analizës, duke dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Me këtë rast, kryetari Haliti e falënderoi Rrustemin për përkushtimin, profesionalizmin dhe angazhimin e treguar gjatë gjithë viteve të shërbimit, duke vlerësuar lart rolin e tij në institucionet e sigurisë. Nga ana e tij, Rrustem Rrustemi shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me institucionet lokale dhe kolegët, duke theksuar se përvoja në Policinë e Kosovës ka qenë një pjesë e rëndësishme dhe e paharrueshme e jetës së tij profesionale.