Akademia përkujtimore për nder të 25-vjetorit të rënies së Dëshmorit Agim Milaim Elshani u shënua nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dega në Malishevë dhe nëndegës së fshatit Ngucat.
Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë edhe bashkëluftëtarë të dëshmorit, Agim Elshani, nga UÇPMB-ja, si dhe shumë qytetarë nga trojet shqiptare.
Në fjalën e rastit, kryetari, Ekrem Kastrati tha se me nderim të thellë dhe përulje para veprës së tij atdhetare, kujtojmë Dëshmorin Agim Milaim Elshani, në 25-vjetorin e rënies së tij në fushën e nderit për lirinë e Kosovës Lindore.
Agim Elshani, i njohur si komandant Malisheva i cili ishte pjesë e Zonës Operative Qarri të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës Medvegjës dhe Bujanocit të Kosovës Lindore, mbetet një ndër figurat më të shquara të luftës për çlirim kombëtare. Ai ishte shembull i trimërisë, sakrificës dhe përkushtimit të pa kompromis ndaj çlirimit të vendit. Në kohët më të vështira për popullin tonë, ai zgjodhi rrugën e luftës për liri, duke vënë jetën e tij në shërbim të atdheut, theksoi Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe vazhdoi ‘Të gjithë të rënët për lirinë kombëtare do t’i kujtojmë përherë për trimëri dhe veprën e tyre si simbol të guximit, simbol të sakrificës dhe simbol të dashurisë për atdhe, sepse sakrifica e dëshmorëve është themeli i lirisë sonë, detyra jonë është ta ruajmë këtë liri, si një dëshmi e çmimit të madh që është paguar për lirinë që gëzojmë sot. Sakrifica e Agim Elshanit dhe e të gjithë dëshmorëve të kombit mbetet themel i shtetit tonë dhe obligim i përhershëm për brezat që vijnë, dhe detyrë primare do ta kanë zhvillimin e kombin çdo ditë’, tha mes tjerash Kastrati.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, folën edhe bashkëluftëtarët, Metush Kryeziu, nga OVL e UÇK-së dega në Malishevë, Milazim Elshani, nëndega e OVL së UÇK-së Ngucat, Adhurim Krasniqi, nga Kosova Lindore dhe bashkëluftëtar i Agimit.
Në emër të familjarëve, foli Mimoza Elshani- Mazreku, që falënderoj bashkëluftëtarët e dëshmorit, gjithë qytetarët pjesëmarrës në këtë ngjarje kombëtare për dëshmorin e atdheut, Agim Milaim Elshani, dhe theksoi, sot kombi shqiptar përkulet me respekt para veprës së tij, dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë që ranë për një ideal, bashkimin Kombëtar në të tri luftërat Kosovë, trojet shqiptare në Iliridë dhe Kosovë Lindore, duke rikujtuar se liria nuk është e dhënë, por e fituar me gjak dhe sakrificë. Kujtimi për Agim Elshanin dhe dëshmorët e kombit do të jetojë përherë në ndërgjegjen kombëtare, si simbol i qëndresës dhe i dashurisë për atdheun.
Në fund të akademisë përkujtimore, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dha mirënjohje për bashkëluftëtarët e dëshmorit, Agim Milaim Elshani, luftëtar të UÇPMB-së.
Më pas u bënë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve të UÇK-së në Kleçkë, ku pushon trupi i dëshmorit të kombit Agim Elshani.
Lavdi e përjetshme Dëshmorit Agim Milaim Elshani! Lavdi gjithë dëshmorëve të atdheut!