Të martën në ambientet e Komunës së Deçanit, u mbajt dëgjimi publik në kuadër të procesit të planifikimit të buxhetit për vitin 2026, ku morën pjesë qytetarë nga zona të ndryshme të komunës.
Takimin e hapi Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, znj. Dafina Cacaj, e cila para të pranishmëve prezantoi projektbuxhetin e Komunës për vitin 2026, si dhe parashikimet për vitet 2027 dhe 2028. Ajo shpjegoi në mënyrë të detajuar planifikimin financiar të komunës, destinimin e fondeve dhe prioritetet kryesore që janë paraparë të realizohen.
Në këtë dëgjim mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, i cili iu drejtua qytetarëve me një fjalë rasti, ku paraqiti projektet që tashmë janë në zbatim, si dhe ato që pritet të fillojnë gjatë periudhës së ardhshme. Kryetari Ramosaj theksoi përkushtimin e institucioneve komunale për zhvillim të qëndrueshëm dhe investime të vazhdueshme në infrastrukturë.
Qytetarët shfrytëzuan këtë takim për të parashtruar pyetje, propozime dhe shqetësime konkrete. Ata iu drejtuan drejtpërdrejt Kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, dhe Drejtoreshës për Buxhet dhe Financa, znj. Dafina Cacaj, me kërkesa që kishin të bënin me nevojat e përditshme të komunitetit, përmirësimin e infrastrukturës lokale, mbështetjen për sektorin e bujqësisë, ndriçimin publik, kanalizimet dhe çështje të tjera që prekin jetën e përditshme të qytetarëve.
Kryetari Ramosaj dhe drejtoresha Cacaj i dëgjuan me vëmendje të gjitha kërkesat dhe dhanë sqarime për secilën çështje të ngritur, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë proces. Ata gjithashtu shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar me seriozitet të gjitha propozimet, me qëllim të përfshirjes së tyre në planifikimin përfundimtar të buxhetit.
Ky takim dëgjimor është pjesë e një procesi të rregullt që Komuna e Deçanit zhvillon për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje të qytetarëve në vendimmarrjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre.