Mbahet kampingu pranveror ,,Llanishti 2016”

Me organizim të Shoqatës së Bjeshkatarëve Alpinistë “Guri i Shtrenjtë” nga Shtimja, në mbrëmjen e së shtunës, në ambientet e ish-shkollës së fshatit Llanishtë, janë mbledhur alpinistë nga treva të ndryshme të Kosovës, Lugina e Preshevës, Maqedonia e tjerë. Në fshatin Llanishtë që shtrihet rrëzë shpatijeve të Sharrit, me lartësi mbidetare prej 932 metra, për të përcjellur nga afër këtë aktivitet, ishin prezent edhe zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, z. Fehmi Mujota, kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, nënkryetari i Komunës, z. Fatmir Rashiti, kryesuesi i Kuvendit, z. Rrahman Jakupi dhe zyrtarë tjerë.

Hapjen solemne të Kampingut “Llanishti 2016” e bëri z. Faton Imeri, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Bjeshkatarëve Alpinistë “Guri i Shtrenjtë”. Ndërkaq, këtë kamping pranveror me një fjalë rasti e përshëndeti kryetari i Shtimes Naim Ismajli, i cili tha: “Është një rast i veçantë që ky aktivitet, tash ka filluar të bëhet tradicional dhe shumë popullor, i cili po mbledh njerëz anekënd viseve shqiptare. Është një mundësi e mirë e njohjes, në këtë rast jo vetëm të njohim njëri-tjetrin dhe të ofrohemi në komunikim por duke shtegtuar viseve dhe bjeshkëve tona po i njohim bukuritë që i ka Kosova me gjithë trevat tjera shqiptare. Ne në vazhdimësi do të përpiqemi si institucione të jemi përkrah jush, me qëllimin që ky aktivitet, të jetë sa më mirë i organizuar, të ketë kuptimin e vet të organizimit edhe pse e dimë që ndihmat ndonjëherë janë modeste por të paktën atë modesti apo atë përkrahje ne që e bëjmë për ju, dëshirojmë që të bartim mesazhin që ky aktivitet, ky angazhim i juaj, kjo punë e juaj të respektohet nga ne dhe të respektohet nga e gjithë shoqëria”, tha ndër të tjera Ismajli. Në këtë takim pati fjalë përshëndetëse edhe nga Kryesia e Shoqatës së Bjeshkatarëve Alpinistë “Guri i Shtrenjtë” , pastaj  kryetari i Federatës së Bjeshkatarëve Alpinistë të Kosovës, z. Ejup Maxhera, nënkryetari i FBAK-së, z. Osman Goranci dhe përfaqësues të shoqatave simotra.

Për të argëtuar të pranishmit janë përkujdesur valltarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Dita” së bashku me këngëtarin shtimjan, Sabit Seferi.

Të nesërmen (e diel), në orët e hershme të mëngjesit ka filluar marshuta e alpinistëve drejt pushtimit të Majës së Gurrethit dhe kthimi sërish në Llanishtë.

Ky kamping tashmë tradicional, ka për qëllim promovimin e turizmit malor në trevën e Shtimes, sensibilizimin e qytetarëve për ruajtjen e florës dhe faunës dhe mos dëmtimin e pyjeve. Ky aktivitet është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Bashkim Ramosaj në kuadër të “Javës së Diasporës”“ organizon të hënën pritje të veçantë për bashkëatdhetarët tanë

Komuna e Deçanit mirëpret diasporën, me zemër të hapur dhe ju fton të bëheni pjesë …