Minavere Bislimi po hyn në garën zgjedhore të qytetit San Julien Genevois, të Francës me një profil që nderon jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe qytetin ku jeton. Vitiasja që prej vitesh kontribuon në jetën shoqërore e arsimore atje, po kërkon besimin e qytetarëve, konkretisht komunitetit shqiptar, për t’u bërë pjesë e asamblesë komunale. San Julieni, që tashmë është në proces binjakëzimi me komunën e Vitisë, merr sot një vlerë të shtuar me kandidimin e saj, duke pasur në garë një zë të afërt me popullatën dhe me çështjet e arsimit që prekin drejtpërdrejt familjet e kësaj komune. Bashkëvendësja jonë, Minavere Bislimi vjen me përvojë, përkushtim dhe një qasje që synon përmirësime të prekshme për qytetin ku ka ndërtuar jetën e saj. Andaj, ajo kërkon mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në këtë pjesë, për të qenë zëri i tyre i arsyes për nevojat dhe preokupimet e tyre.
Kush është Minavere Bislimi?
E lindur në Gjylekar, e rritur dhe e shkolluar në Viti, Minavere Bislimi u nis drejt Francës në vitin 1996, ku gjeti mundësitë e para për të ndërtuar jetën e saj. Që në fillim u angazhua pa u ndalur: u pajis me patentë shoferi, ndoqi kurse intensivë të gjuhës franceze dhe punoi krah për krah me bashkëshortin e saj. Më pas, përfundoi trajnime në bazat e kontabilitetit dhe në fushën e informatikës, ndërsa në vitin 2011 kreu një shkollë profesionale për menaxhim në Annecy. Kjo përgatitje i hapi rrugë punësimit në kompaninë e burrit të saj, e më vonë edhe angazhimit si zyrtare administrative në komunën e Saint-Julien-en-Genevois.
Sot, Minavere Bislimi hyn në garën zgjedhore të St-Julien-en-Genevois me një profil që nderon komunitetin shqiptar dhe qytetin ku jeton prej gati tre dekadash. Me rrënjë në Viti dhe me një histori të gjatë integrimi e kontributi në Francë, ajo paraqitet para qytetarëve me një bagazh të çmuar profesional dhe njerëzor.
Ajo kërkon mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në këtë zonë, për të qenë një përfaqësuese që njeh realisht nevojat, shqetësimet dhe shpresat e tyre.
Deklarata e kandidates Minavere Bislimi
“Unë, Minavere Bislimi, kandidate për Asamblenë e St-Julien-en-Genevois, jam banuese këtu që nga viti 1996. Në këtë qytet kam ndërtuar jetën time familjare dhe profesionale. Jam e martuar dhe nënë e katër fëmijëve, të lindur dhe të shkolluar në St-Julien. Vajza ime e madhe është bërë mësuese, e dyta po ndjek të njëjtën rrugë. Djali studioi ekonomi në Annecy dhe Grenoble, ndërsa më i vogli është nxënës në klasën e pestë.
Nga viti 2017 deri në vitin 2024 pata mundësinë të punoj në bashkinë e St-Julien, fillimisht me zëvendësime dhe më pas në mënyrë të qëndrueshme. Kam ushtruar disa detyra, përfshirë pritjen dhe menaxhimin e pasaportave biometrike. Ky angazhim më ka afruar shumë me problemet reale të banorëve dhe më ka mësuar funksionimin e shërbimeve komunale.
Mësimi i vazhdueshëm ka qenë gjithmonë një synim për mua. Jam specializuar në fushat që më pasionojnë, duke përfituar një diplomë në Menaxhim Biznesi, e cila më ka ndihmuar të zhvilloj aftësi në organizim, koordinim dhe menaxhim projektesh brenda buxheteve të përcaktuara. Këto përvoja më japin mundësinë të kontribuoj në mënyrë të dobishme për projektet komunale.
Jam thellësisht e lidhur me St-Julien-en-Genevois. Angazhimi im në jetën publike dhe shkollore bazohet në dëgjim, respekt dhe afërsi njerëzore. Me përvojën si menaxhere administrative dhe si pjesë e stafit të bashkisë, kam fituar një njohje të qartë të nevojave të banorëve dhe të realitetit lokal.
Me sinqeritet dhe përkushtim paraqitem para jush për të kontribuar në një komunë të hapur, mbështetëse dhe të orientuar drejt së ardhmes. Dua të forcoj lidhjen mes bashkisë, shkollave dhe familjeve, dhe të jap kontributin tim për përmirësimin e cilësisë së jetës – sidomos për fëmijët dhe komunitetin shqiptar që jeton në këtë zonë.”