MKRS-ja dha 799 mijë euro për katër federata

Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit me federatat e sportit të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar memorandume të tilla me Federatën e Shenjëtarisë (78 mijë euro), Hendbollit (295 mijë euro), Volejbollit (146 mijë euro) dhe Basketbollit (280 mijë euro), me çka këto federata, në tërësi, për programet e sivjetshme, ndihmohen me 799 mijë euro.

Siç kemi bërë të ditur në disa raste, MKRS-ja nëpërmjet memorandumeve të bashkëpunimit, që po nënshkruan me federatat e sportit të Kosovës, po krijon lehtësira për pavarësimin financiar të tyre, si dhe po synon t’i ndihmojë ato që të mund të funksionojnë në mënyrë sa më të pavarur dhe me efikasitet, në funksion të ngritjes cilësore të sportit të Kosovës.

Drejtuesit e federatave, i kanë vlerësuar si shumë pozitive aktet e memorandumeve, të cilat, sipas tyre, krijojnë kushte për planifikime, dhe në të njëjtën kohë, ndihmojnë jashtëzakonisht shumë veprimtaritë e federatave dhe sporti në përgjithësi.

Ministri Kujtim Shala, përgëzoi drejtuesit e federative për punën, dhe u shpreh se MKRS-ja po punon në disa plane për të ndihmuar sportin e Kosovës, si në infrastrukturë, me legjislacion modern dhe me subvencionime, në mënyrë që sporti i Kosovës të avancohet edhe më tutje, dhe të prezantohet sa më dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …