Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka pritur në takim Nëntoger Flora Thaqi nga Kramoviku, gruan e parë në komunën e Rahovecit, e cila diplomoi në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në postimin e tij në facebook kryetari Latifi ndër të tjera ka shkruar:
“Pata kënaqësinë ta pres në zyrën time Nëntoger Flora Thaqi nga Kramoviku, gruan e parë në komunën tonë, e cila diplomoi në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke dëshmuar përkushtim, vendosmëri dhe disiplinë të lartë, virtyte që e kanë shoqëruar në çdo hap të këtij rrugëtimi të vështirë por fisnik.
Në shenjë respekti, i dhashë një mirënjohje me motivacionin:
“Për suksesin gjatë studimeve, për përkushtimin, për disiplinën, si dhe për avancimin në karrierën ushtarake me gradën e parë të oficerit: NËNTOGER, pas diplomimit në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”.
Flora është dëshmi se forca e gruas nuk njeh kufij, as në uniformë, as në ideal. Ajo është frymëzim për të rinjtë tanë dhe krenari për komunën tonë.
I uroj sukses të vazhdueshme në misionin e saj ushtarak dhe i qëndroj gjithmonë pranë në çdo hap të rrugëtimit profesional e atdhetar!