Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve, Drejtoria Komunale e Arsimit në Skenderaj, e udhëhequr nga drejtori Kastriot Duraku, organizoi Parakalimin e Nxënësve me Veshje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Sheshin “Adem Jashari” dhe Garën e Vizatimit me temën “Liria dhe Paqja”.
Parakalimi i nxënësve përfaqësoi një aktivitet simbolik që solli në vëmendje sakrificën dhe rrugën e lavdishme të çlirimit të vendit, ndërsa përmes garës së vizatimit nxënësit shprehën kreativitetin e tyre duke përcjellë mesazhe për lirinë, paqen dhe të ardhmen e vendit.
Këto aktivitete u përcollën nga afër nga Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, nënkryetari, z. Fadil Nura, Kryesuesja e Kuvendit Komunal znj. Adelina Spahiu-Alija, të cilët panë angazhimin e nxënësve dhe përkushtimin e institucioneve arsimore në edukimin e brezit të ri me vlerat e lirisë, paqes dhe respektit për historinë e vendit.