Qeveria e Kuvajtit i shpreh ministrit Reçica gatishmërinë e plotë për ta ndihmuar Kosovën në punësim dhe mirëqenie sociale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, po qëndron në një vizitë zyrtare në shtetin e Kuvajtit, me ftesë të homologes së tij. Ministri Reçica takoi ministren e Çështjeve Sociale dhe të Punës, njëherit ministre për Çështje Ekonomike, Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh. I pari i MPMS-së e falënderoi homologen e tij për pritjen si dhe për përkrahjen që Kuvajti po i jep Kosovës. Gjithashtu, e njoftoi rreth gjendjes socio ekonomike në Kosovë dhe përpjekjeve që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në uljen e papunësisë dhe ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e saj. Në kuadër të kësaj, Reçica theksoi përkushtimin e tij dhe të dikasterit që drejton në arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal në shtete të BE-së dhe më gjerë dhe në këtë rast, edhe me shtetin e Kuvajtit, ku shtoi se Kosova ka kuadro të përgatitura dhe të certifikuara, të gatshme për tregun e punës jashtë vendit. Ministrja Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh tha se Kuvajti ka nevojë për fuqi punëtore në disa profile dhe shprehi gatishmërinë e plotë që një marrëveshje e tillë të arrihet sa më parë për punësim të qytetarëve të Kosovës, në shtetin e Kuvajtit. Temë diskutimi ishte edhe bashkëpunimi  për ngritjen e mirëqenies së disa kategorive në Kosovë si, personave të moshuar, fëmijëve, si dhe grupeve të cenueshme, ku ministri kërkoi ndihmën e Qeverisë së Kuvajtit për ndërtimin e disa qendrave, për persona të moshuar, për banim social si dhe për fëmijë pa përkujdesje familjare. Ministrja Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh ofroi mbështetjen dhe gatishmërinë e Qeverisë së Kuvajtit për ta ndihmuar Kosovën në këto çështje dhe u dakorduan bashkërisht që këto projekte të konkretizohen sa më parë. Në fund, ministri Reçica e ftoi homologen e tij për një vizitë në Kosovë dhe shprehi gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me shtetin e Kuvajtit në fusha relevante.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi merr pjesë në panelin në kuadër të “Javës së gruas”

Me ftesë të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), kryetari Smajl latifi mori pjesë në panelin në …