Rendimente të larta dhe cilësi e mirë – fushata e korrjes së grurit drejt përfundimit në Malishevë

Fushata e korrje-shirjeve në territorin e Komunës së Malishevës po shkon drejt përfundimit, ndërsa rezultatet e deritanishme tregojnë një nga sezonet më të suksesshme të viteve të fundit, si për nga rendimenti, ashtu edhe për nga cilësia e grurit.

Për të parë nga afër ecurinë e korrjes, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit, Jakup Gashi, vizituan disa bujq dhe kombajnerë në arat mes fshatrave Bubavec, Llazicë dhe Mleqan, si dhe një nga pikat kryesore të grumbullimit të grurit.

Gjatë vizitës, ata u njohën me punën në terren dhe me rezultatet e korrjes, ku sipas të dhënave të deritanishme, rendimenti mesatar arrin rreth 5 mijë kilogramë grurë për hektar, ndërsa cilësia e prodhimit vlerësohet shumë e mirë.

Rezultatet pozitive konfirmohen edhe nga njëra ndër pikat më të mëdha të grumbullimit të grurit në vend, “LINDI-E” në Mleqan. Sipas pronarit të kësaj pike, deri më tani, kur është korrur rreth 70 për qind e sipërfaqeve të mbjella me grurë, janë grumbulluar mbi 15 milionë kilogramë grurë, ndërsa procesi i pranimit të grurit të korrur vazhdon me ritëm të lartë.

Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sylë Dukolli, vlerësoi lart angazhimin e fermerëve dhe rezultatet e arritura gjatë këtij sezoni. “Ky është një sezon shumë i mirë për bujqësinë në Komunën e Malishevës. Rendimentet dhe cilësia e grurit dëshmojnë për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e fermerëve tanë, të cilët edhe këtë vit kanë treguar se janë ndër prodhuesit më të suksesshëm. I përgëzoj të gjithë bujqit për angazhimin e tyre të palodhshëm dhe uroj që puna e tyre të shpërblehet me çmime sa më të favorshme në treg. Komuna e Malishevës do të vazhdojë të jetë pranë fermerëve, duke i mbështetur në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe në rritjen e prodhimit vendor, sepse një bujqësi e fortë nënkupton edhe një ekonomi më të zhvilluar”, tha Dukolli, duke i përgëzuar të gjithë bujqit malishevas.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti mbajti takim koordinues për organizimin e Festivalit NEXUS

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur sot një takim koordinues me Drejtorinë …