Nën udhëheqjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi sot në Viti është mbajtur mbledhja e tetë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa.
Fillimisht kryesuesi Azizi, ju uroj të gjithë subjekteve politike dhe kandidateve garues që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale suksese në këtë proces zgjedhor. Të njëjtën urim e pati edhe zv.kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu dhe anëtarët e KPF-së nga subjektet e ndryshme politike që janë të përfaqësuar në këtë komitet. Në këtë mbledhjen fillimisht anëtarët miratuan procesverbalin nga mbledhja e shtatë e këtij komiteti.
Kurse më pas u prezantua dhe u diskutua informata mbi prokurimet dhe kontratat e nënshkruara për periudhën janar–qershor 2025. Prezantimin e këtij raporti e bëri Burim Sadiku nga Zyra e Prokurimit Publik, i cili shpalosi të dhënat kryesore të aktivitetit gjashtëmujor. Sipas raportit, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, duke u bazuar në kërkesat e njësive shpenzuese, Zyra e Prokurimit ka iniciuar gjithsej 31 aktivitete të prokurimit, të ndara sipas kategorive: 12 aktivitete për shërbime, 1 aktivitet për punë, 18 aktivitete për furnizime. Nga këto aktivitete, 20 janë përmbyllur dhe finalizuar me nënshkrimin e kontratave, ndërsa 11 aktivitete janë ende në procedurë.
Llojet e procedurave të përdorura ishin: 17 raste me procedurë të hapur, 12 raste me procedurë të kuotimit të çmimit, 2 raste me procedurë me vlera minimale. Zyra e Prokurimit, përveç këtyre aktiviteteve, ka nxjerrë edhe urdhër blerje për operatorët ekonomikë që kanë kryer punë, furnizime apo shërbime sipas kontratave me komunën.
Gjithnjë sipas këtij raporti shuma e përgjithshme e kontratave të lidhura për këtë periudhë arrin në 2,748,928.94 euro.