Sot në Viti është mbajtur seanca e tretë e rregullt e Kuvendit Komunal, ku këshilltarët kanë shqyrtuar dhe miratuar me shumicë votash pikat e parapara në rendin e ditës. Fillimisht gjatë këtij takimi kryesuesi Bekim Azizi i njoftoj të pranishmit lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të nxjerrë nga mbledhja e fundit e këtij organi. Më pas u miratua procesverbali i mbledhjes së dytë të Kuvendit Komunal.
Ndonëse në këtë takim janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës, diskutimi më i gjatë në këtë seancë u zhvillua rreth Pasqyrave Financiare të buxhetit komunal për periudhën janar–dhjetor 2025. Gjatë debatit, këshilltarët parashtruan pyetje dhe kërkuan sqarime lidhur me realizimin e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.
Drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Melihate Ajeti, ndër të tjera theksoi se gjatë periudhës janar–dhjetor 2025 janë inkasuar gjithsej të hyra vetanake në vlerë prej 1.567.205,84 euro, ndërsa shkalla e inkasimit, bazuar në planifikimin vjetor, ka arritur në 123,39%. Ajo bëri të ditur se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, të hyrat e vitit 2025 janë më të larta për 333.847,79 euro.
Sa i përket shpenzimeve buxhetore, ajo njoftoi se buxheti i alokuar për periudhën janar–dhjetor 2025 nga fondet burimore – granti qeveritar, të hyrat vetanake dhe donacionet – ka qenë 19.090.931,87 euro, ndërsa shpenzimet e realizuara kapin shumën prej 18.883.720,54 euro. Sipas saj, shkalla e ekzekutimit të buxhetit për këtë periudhë është 98,91% në krahasim me alokimet për të gjitha programet dhe kategoritë ekonomike.
Gjithashtu në këtë mbledhje janë shqyrtuar dhe votuar me shumicë votash këto pika:
• Propozim vendimi për caktimin e orarit të mbajtjes së takimeve të kuvendit të komunës së Vitisë për vitin 2026.
• Propozim vendimi për formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).
• Propozim vendimi për caktimin e anëtarëve të kuvendit komunal të Vitisë të cilët do të përfaqësojnë komunën e Vitisë në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
• Propozim vendimi për aprovimin e buxhetit të participuar nga fermerët përfitues për flet dylli dhe koshere blete projekt i realizuar ne vitin 2025 dhe 20% e participimit të fermerëve përfitues ne mekanizëm bujqësor dhe serra nga subvencionet për vitin 2026.
• Propozim vendimi për ndërrimin e destinimit të parcelave të propozuara me nr. 1088-2 me sipërfaqe 17758 m²në pronësi juridike të “D.S Osnova Shkolla” e cila parcelë do të destinohet për ndërtimin e çerdhes dhe parcela në të cilën do të ndërtohet çerdhja do të jete parcela nr 1088-2 me sipërfaqe 4000 m².