leoni

U përkujtua 27-vjetori i Masakrës së Gollubovcit

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot u shënua 27-vjetori i Masakrës së Gollubovcit, njëra nga masakrat më të mëdha e më çnjerëzore të kryera në Komunën e Malishevës dhe në vend, gjatë luftës së fundit në Kosovë, përkatësisht më 26 shtator 1998.

Masakra e 26 shtatorit 1998 mori jetën e 28 qytetarëve shqiptarë, gra, fëmijë e pleq, kryesisht nga fshatrat Pllaqicë dhe Gollubovc të Malishevës.

Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, Kuvendi i Komunës së Malishevës mbajti një mbledhje solemne, ku me fjalë rasti u paraqitën kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Argjend Thaçi, si dhe përfaqësues të familjeve të viktimave.

Kryetari Kastrati theksoi se Masakra e Gollubovcit mbetet ndër aktet më të rënda të gjenocidit ndaj popullit shqiptar në Kosovë. “Afro 30 pleq, gra e fëmijë u vranë në mënyrën më mizore. Ky nuk ishte vetëm një krim, por një gjenocid i paramenduar ndaj popullit shqiptar. Ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për këtë plagë të hapur”.

Ndërsa kryesuesi Thaçi theksoi se masakra nuk e ndali popullin shqiptar nga rruga drejt lirisë:

“Këto krime nuk e frikësuan popullin shqiptar që të vazhdojë luftën për liri. Ideali i lirisë kurrë nuk ka mundur të shuhet. Ne jemi mirënjohës për sakrificën dhe kontributin e të rënëve për vendin tonë”.

Në emër të familjeve foli Liridona Maloku, ndërsa gazetari Enver Maloku shprehu falënderim ndaj komunës për përkujdesjen e treguar, jo vetëm për këtë përkujtim, por edhe për ruajtjen e vlerave historike në përgjithësi.

Aktivitetet përkujtimore u përmbyllën me homazhe dhe nderime në varrezat e viktimave në Pllaqicë dhe në vendin e masakrës në Gollubovc.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Bashkim Ramosaj takon pensionistët e Deçanit

Kryetari i komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj ka takuar të enjtën pensionistët nga kjo …