Thekse nga fjala e kryetarit të komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi në tubimin e mbajtur në sallën e Kompleksit Muzeor “Ukshin Hoti”, në Krushë të Madhe
Të respektuar familjarë të veprimtarit të çështjes kombëtare, profesorit Ukshin Hoti, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, veprimtarë të çështjes kombëtare, struktura të pushteti lokal e qendror, të nderuar miq e mbështetës të profesorit Ukshin Hoti.
Ne jemi përsëri këtu, në shtëpinë e tij, ndërsa ai nuk ka dalë të na presë, apo më mirë thënë – ne po e presim Atë. Jo se ai ka nevojë për ne, por kombit i duhet mendja e tij e ndritur, ushtarit e intelektualit i duhet guximi i tij njerëzor e intelektual, mësuesit i duhet dija e përvoja e tij, shkencëtarit i duhet njohja e tij e thellë e çështjeve shoqërore, ndërsa të gjithë neve na duhet shpirti i tij i madh për t’na ndriçuar rrugën në ardhmëri. Ukshin Hoti ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual i përmasave të mëdha, atdhetar vizionar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare.
U bënë 26 vjet dhe ne ende nuk e dimë çfarë i ndodhi Ukshin Hotit – rron apo nuk rron!? Prandaj, pyesim veten dhe ata që e dinë çfarë u bë me të: PSE UKSHIN HOTI NUK ËSHTË MES NESH?
E dimë që e kanë nxjerrë nga rrethojat e burgut të Dubravës më 16 maj 1999, mirëpo se ku e çuan, çfarë i bënë, pse nuk e njoftuan Kryqin e Kuq Ndërkombëtar apo ndonjë organizatë humanitare për t’ia dorëzuar të burgosurin NUMËR NJË. Ne ende presim të vërtetën.
Ne i dimë arsyet pse ata nuk e lanë të lirë: ata e urrenin ngase Ukshin Hoti kishte vizion të qartë çfarë duhet të bëjnë shqiptarët dhe si duhet të trejtohen nga të tjerët.
Ai shkruante: “Historia e shqiptarëve nuk duhet bërë nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët”. E dinte se mosnjohja e kësaj historie prodhon dhunë e konflikte dhe se shqiptarët do të pësonin më së shumti nga ky injorim i historisë tonë nga fuqitë e mëdha botërore.
Por, Ukshin Hoti këshillonte edhe serbët për të bërë zgjedhje të vështira, por që do të siguronin paqe e stablitet në rajon. Ai shkruante: “Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropeizimit të saj të ardhshëm”.
Në këtë kontekst, Ukshin Hoti kishte porosi të qarta edhe për vetë shqiptarët dhe për Evropën: ,,Populli shqiptar niset nga besimi i plotë se është popull i Evropës, njëri ndër më të vjetërit, dhe se parimet që do të vlenin për të tjerët do të duhej të vlenin edhe për të. Në këtë mënyrë, tashmë është në provë e sipër kriteri religjioz, kaherë i injoruar dhe i harruar, në përcaktimin e statusit të popujve të Evropës.”
Përcaktimi i shqiptarëve si evropianë është rruga që duhet ndjekur, porosit Ukshin Hoti, ndërsa paraqitjet ,,në versionin despotik aziatik” e dëmtojnë këtë përcaktim, pohon ndër të tjera ai. Ai besonte se zgjedhja e njeriut është e motivuar nga dëshira për lumturi, dhe se kjo mund të arrihet vetëm me njohuri të drejtë të vetes – kjo është më shumë mundësi për të bërë zgjedhje që do të na sjellin lumturinë që e dëshirojmë.
Besonte se zgjidhja e konfiliktit shqiptaro-serb duhet të arrijë rezultate praktike në mirëqenien më të madhe të të dy popujve.
Këto dhe ide të tjera të shfaqura me guxim botërisht në një periudhë kur guximi intelektual mund të të kushtonte, bënë që Ukshin Hoti të shquhet për idetë dhe pikëpamjet e tij shkencore për çështje të rëndësishme.
Këto dhe shumë nga dijet e tij të gjera, që nuk mund të shpalosen në një moment të këtillë solidarizimi e reflektimi, na bindin se qenë edhe fatkeqësitë e tij jetësore që i sollën aq shumë andralla. Se, siç thoshte Leo Fronjdlih, ,,armiku më i madh i serbëve është e vërteta”. Për të mos e dëgjuar zërin e të vërtetës dhe të arsyes, serbët e ndoqën, e persekutuan, e burgosën, e torturuan dhe e mbajtën të mbyllur për shumë vite në burg, ndërsa tani po e mbajnë të fshehur të vërtetën për fatin e tij.
Në këtë tubim solidarizimi ne edhe një herë ngremë zërin e protestës dhe kërkojmë që të ndriçohet fati i Ukshin Hotit, dhe jo vetëm i Tij, por edhe i shumë të tjerëve që u rrëmbyen me dhunë dhe u dërguan në drejtime të paditura për ne.
Duke qenë sot këtu së bashku dëshmojmë se, pavarësisht çfarë t’i ketë ndodhur Ukshin Hotit, ne do të vazhdojmë ta kërkojmë, do të vazhdojmë të jemi nxënësit e tij të bindur e të dëgjueshëm dhe do të përpiqemi që në jetë dhe në punë të zbatojmë mësimet dhe pikëpamjet e tij për çështjen shqiptare.
Ukshin Hoti është mes nesh dhe mes nesh do të jetë për jetë të jetëve. Faleminderit për vëmendjen tuaj! – Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit.