28 vjet nga rënia heroike e Bahri Fazliut – GZIMIT

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka marr pjesë në homazhet e organizuara me rastin e 28 vjetorit të rënies heroike të Bahri Fazliut.

Në një postim të tij në Facebook, kryetari Latifi ka shkruar:

Sot, me nderim të thellë e krenari kombëtare, kujtojmë një prej mendjeve dhe figurave më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, Heroit Bahri Fazliu – GZIMI.

Bahriu ishte shumë më tepër se një luftëtar. Ai ishte ideologu i veprimit, zëri që zgjonte ndërgjegjen kombëtare dhe prijësi që e kuptoi herët se liria nuk fitohet me pritje, por me organizim, sakrificë dhe luftë të pandalur kundër robërisë. Në kohën kur shumëkush kërkonte paqe brenda nënshtrimit, Bahriu ngriti flamurin e rezistencës dhe u bë frymëzim për brezin që mori armët për liri.

Ai jetoi pak, por la pas një trashëgimi të pavdekshme politike, kombëtare dhe atdhetare. Veprimtaria e tij në ilegalitet, puna organizative, artikujt mobilizues përmes revistës ilegale të kohës “Çlirimi” dhe guximi i rrallë në kohët më të rënda, e bënë Bahri Fazliun një nga shtyllat më të fuqishme të luftës çlirimtare.

Rënia e tij më 7 maj 1998 ishte goditje e rëndë për Lëvizjen dhe për gjithë rrugën tonë të çlirimit, por njëkohësisht u kthye në kushtrim të madh për vazhdimin e luftës deri në fitore. Emri i Bahri Fazliut mbetet i lidhur përjetësisht me idealin e lirisë, dinjitetit kombëtar dhe bashkimit shqiptar.

Sot, pas 28 vjetësh, amaneti i tij vazhdon të jetojë në ndërgjegjen tonë si obligim për ta mbrojtur të vërtetën, për të ruajtur idealin kombëtar dhe për të mos lejuar që sakrifica e dëshmorëve të zbehet nga harresa apo nga deformimi i historisë.

Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Bahri Fazliut – GZIMIT!

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe heronjve të lirisë

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti mbledh Këshillin e Drejtorëve, kërkon mobilizim të plotë pas paralajmërimeve për përkeqësim të motit

Nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, sot është mbajtur mbledhja e …