Brickos

41,184,014.00 euro është buxheti i Komunës së Ferizajt, i miratuar për vitin e ardhshëm

Këtë të premte është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga kryesuesi Xhavit Zariqi, ndërsa ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës, Agim Aliu, Nënkryetari Lulzim Aliu, si dhe drejtorë të drejtorive komunale. Në këtë mbledhje është diskutuar projektbuxheti i vitit 2024, ku Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, para anëtarëve të KK-së,  ka thënë se sot po shqyrtohet dokumenti kyç i qeverisjes lokale siç është projektbuxheti i vitit 2024 dhe projeksionet e hershme për vitet 2025-2026. “Është pra kjo kornizë, ky planifikim, kjo llogaritje e saktë, që prioritizon kërkesat e nevojat e qytetarëve, për të mos ndalur, ritmin e ciklin e punës në të cilën është futur tash e sa vjet Komuna e Ferizajt, duke ndryshuar çdo ditë, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimet e duke realizuar vepra të guximshme publike. Të hartosh buxhetin e Komunës, është një detyrë e nder, përgjegjësi e mbi të gjitha vizion, që të ngërthesh në ato shifra, pritjet e shpresat e qytetarëve, për t’u rritur mirëqenia e tyre e për të garantuar mirëfunksionimin e shërbimeve. Ky dokument, është produkt i një pune të vazhdueshme, analitike, vlerësuese, shërbyer me ekspertizën më të mirë të ekipeve tona qeverisëse, për ta përmbledhur në këtë formë e në këtë vizion, që keni sot para vetes. Nuk e themi vetëm ne, por është e mirëditur dhe e kualifikuar gjerësisht, se Ferizaj është lider në mesin e qendrave urbane, më të transformuara, më të zhvilluara, më të përparuara, kjo buruar nga energjia e pashtershme, idetë e qarta e ndjesia për nevojat e qytetarëve, përbetuar në parimet e sinqeritetit e ndershmërisë, bashkëpunimit e afrisë, që kanë bërë që suksesshëm e krenarë të meritojmë këtë epitet. Energjia jonë nuk shterron, Ferizajn në punë, asgjë nuk e ndalon!”, ka thënë Kryetari Aliu. Ai ka thënë  se qeveria lokale e administrata komunale që drejtoj, siç keni mund ta shihni, edhe mes këtyre faqeve të këtij buxheti, ka projekte, ka nisma, ka idetë dhe ka përllogaritjet e duhura, për ta bërë edhe më të begatë Ferizajn. “Janë pafund, projekte e nisma të reja, që shtrirë në kohë e në gjithë gjeografinë e Ferizajt, i japin kësaj të fundit, shumëfishim të vlerave, shumëfishim të mirëqenies, me punë e detyra të përfunduara, për t’i lënë shteg të lirë, inovacioneve e zhvillimit. Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2024, peshon 41,184,014.00€ që ndarë vetëm në fushën e investimeve kapitale, për vitin aktual 2023, kishim të ndara 12,114,664.00€ gjersa për vitin 2024 janë ndarë 11,337,196.00€ apo 777,468.00€ më pak për projektet kapitale…ndonëse si shifër totale, kallëzon rritje, rritje kjo që është bërë vetëm në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, mallrave e shërbimeve, për të përmbushur planifikimet e Ligjit të Pagave, gjersa tek të gjitha kategoritë tjera buxhetore, kemi zbritje të buxhetit, që afekton padyshim në zvogëlimin e shumësisë së projekteve e nismave tona. Në mbamendjen e gjithsecilit është e kujtueshme, po në këtë sallë, kemi vënë theksin për shkurtimet buxhetore. Edhe ky projektbuxhet, peshon më lehtë sesa në vitin paraprak, trend ky shqetësues e për të cilën kërkesave të qytetarëve i kemi dhënë zë, por assesi, ky trend nuk zmbraps vullnetin tonë, energjinë tonë, që ferizajasve t’i ofrojmë dhjetëra projekte e nisma, në të mirë të tyre dhe gjithë komunitetit. Miratimi i Buxhetit të Komunës, përtej një akti formal, është vendimmarrje e drejtpërdrejt për qytetarët, për të vendosur në kalendarin e punëve publike, prioritetet e qytetarëve në 365 ditët e ardhshme. Gjykuar nga kjo lartësi kompetence e përgjegjësie publike, gjurmët për orientimin në nivel të ri të Ferizajt, mbeten tek gjithsecili, andaj në këtë ndërgjegje institucionale, besoj fuqishëm, për t’i dhënë autorizimet ligjore këtij dokumenti. Çdo pore e shoqërisë, secila kategori shoqërore, të gjitha zonat rurale e urbane në territorin e Ferizajt, gjejnë veten në këtë dokument. Për këtë, jemi kujdesur që planet tona investive, të nisin që nga lagjet, në kontakt me secilin qytetarë të interesuar deri tek forumet e gjera profesionale, ndarë në fusha interesi, për ta bërë më gjithëpërfshirës, më të realizueshëm e më efikas, shpenzimin e parasë publike për vitin e ri kalendarik. E gjelbërta është ngjyra, vetëdija, veprimi e vendimmarrja jonë në këtë mandat qeverisës, andaj në këtë pikëpamje, në planin e investimeve buxhetore, kemi paraparë projekte të veçanta, që Ferizajt i japin masive të gjelbërta, hapësira të pafundme rekreative, siç është projekti për zgjerimin dhe rregullimin e Parkut Liria, pyllëzimin dhe rregullimin e Parkut tek Kodra e Sherretëve,  Parku në hapësirën e Kompanisë “Pastërtia”, zbatimi i projektit për miniparqe në qytet e fshatra si në Prelez, Pleshinë e Neredime.Në këtë kuadër, tashmë kemi nisur edhe procesin e konsultës publike për të jetësuar projektin për rregullimin e Tregut të Gjelbërt. Lidhur me projektet e fokusit tonë transformues, infrastrukturës rrugore e gjer tek investimet më minore, shoqërohen nga analiza të mirëfillta, për ndikimin e efektet praktike për jetën e qytetarëve. Në fushën e infrastrukturës, tashmë ka marr formën e saj, vepra madhore infrastrukturore – Nënkalimi për vetura dhe këmbësorë afër Stacionit Policor në Ferizaj, një investim unik ky kur lindi, për tu shumëfishuar si ide edhe në qendra të tjera të Kosovës e përtej saj”, tha Kryetari Aliu. I pari i Ferizajt, Agim Aliu, ka folur edhe për fushën e arsimit, shëndetësisë e mirëqenies sociale, fushën e shërbimeve publike e emergjencën, bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik lokal. Pas fjalës së Kryetarit Aliu, kishte mendime pro e kontra për hartimin e projektbuxhetit, por me 25 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime është miratuar buxheti. Në mbledhjen e kuvendit është diskutuar edhe propozim-vendimi për këmbim i ngastrës kadastrale 1055-5 ZK Prelez i Jerlive prone private në pjesën kadastrale 7-0 Zk Muhoc, pronë e Komunës së Ferizajt. Drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë edhe propozim-vendimin për anulmin e pjesërishëm të vendimit me Nr.01.Nr.107 të datës 29.09.2020. Po ashtu u bë edhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrës kadastrale 1243-0, 1244-0 dhe 1245-3 Zk Fshati i Vjetër pronë e komunës së Ferizajt. Po ashtu me shumicë votash u vendos që të dal në konsultim me publikun edhe Plani  komunal i  veprimit për shërbimet sociale 2024-2026. Po në këtë mbledhje është bërë edhe votimi i anëtarëve të KK-së në komisionin për dhënien  ne shfrytëzim të pronës komunale, ku nga PDK u vendos që të jetë Valon Aliu ndërsa nga LVV Amir Rexhepi.

 

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …